Fituesi i çmimit “Hugo” merr frymëzim nga historia dhe kultura tradicionale
2023-10-27 10:42:48

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Shkrimtari kinez fantastiko-shkencor Hai Ya, fitues i çmimit prestigjioz “Hugo”, ka gjetur një burim të pashtershëm frymëzimi në historinë dhe kulturën tradicionale kineze.

Për shkrimtarët që rriten në Kinë, sfondi kulturor dhe karakteristikat shoqërore të vendit janë rrënjosur thellë në qenien e tyre, - tha Hai, i cili fitoi çmimin për novelën më të mirë për "Piktori i kohë-hapësirës”, një vepër për të cilën u frymëzua nga një pikturë e lashtë, kryevepra "Një mijë milje lumenjsh dhe malesh".

Hai shkëlqen në krijimin e fantashkencës me temë historike, me vepra të shquara duke përfshirë "Gijotina fluturuese", "Skeleti i dragoit" dhe "Fogong Temple Pagoda".

"Kultura dhe traditat janë të ndërthurura ngushtë me jetën tonë; ne thjesht i paraqesim ato kur krijojmë",- tha Hai, duke vënë në dukje se shkrimtarët kinezë të fantashkencës po bëhen më të sigurt në shfaqjen e kulturës dhe narrativave vendase. Ndërsa shkenca është një gjuhë globale, aspektet imagjinative të fantashkencës janë thesare të çmuara unike për çdo kulturë, tha Hai.

"Në historinë dhe kulturën tonë, ka vlera universale që mund të prekin njerëz nga të gjitha sferat e jetës",- tha ai, duke shtuar se integrimi i kulturës tradicionale në fantashkencë jo vetëm që i lejon botës të kuptojë më mirë Kinën, por gjithashtu mundëson që krijimet kineze të fantashkencës të hyjnë në skenën globale.

Hai, i cili jeton në metropolin jugor kinez të Shenzhen, vijon karrierën e shkrimtarit me kohë të pjesshme krahas punës së tij me kohë të plotë në sektorin financiar. Ai është shkrimtari i tretë kinez i trillimeve shkencore që fiton çmimin “Hugo”.

Hai shprehu emocion dhe nderim të jashtëzakonshëm për marrjen e çmimit. “Nuk besoj se kjo ka të bëjë vetëm me talentin tim”, - tha Hai. "Në historinë e fantashkencës, shumë autorë mund të kenë ndaluar së krijuari vepra të reja pas botimit të një ose dy veprave të jashtëzakonshme. Ndihem relativisht me fat që mund të vazhdoj të shkruaj në një epokë të tillë".

Lidhja e Hait me fantashkencën filloi si një pasion i thjeshtë.

"Fillimisht ishte vetëm për argëtimin tim dhe nuk e mora shumë seriozisht. Rreth vitit 2018 u zhyta me të vërtetë në këtë botë dhe vendosa zemrën time për të krijuar".

Hai tha se nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë midis punës së tij dhe shkrimit, por vuri në dukje se puna e tij i ka mësuar disiplinën dhe i ka rrënjosur një zakon për të punuar me një plan.

"Unë bëj një përpjekje që kohën që zakonisht e shpenzoj në telefon ose duke parë video të shkurtra ta kaloj duke shkruar",- tha ai.

Hai tha se veprat e tij nuk kanë arritur ende audiencën jashtë shtetit, por ai po punon drejt këtij qëllimi.

“Disa nga veprat e mia janë përkthyer në gjuhë të tjera dhe agjenti im po eksploron në mënyrë aktive potencialin për zhvillimin e pronësisë intelektuale”,- tha Hai.

Rezultatet e çmimeve “Hugo” të këtij viti u shpallën të shtunën e kaluar në një ceremoni zyrtare në Konventën e 81-të Botërore të Fantashkencës në Chengdu, kryeqendra e provincës Sichuan e Kinës Jugperëndimore.

Çmimet “Hugo”, të prezantuara për herë të parë në vitin 1953, pastaj çdo vit që nga viti 1955, janë çmimet më prestigjioze të fantashkencës. Ato votohen nga anëtarët e Konventës Botërore të Fantashkencës, e cila është gjithashtu përgjegjëse për administrimin e tyre.

Konventa Botërore e Fantashkencës mbahet çdo vit që nga viti 1939 (përveç viteve gjatë Luftës së Dytë Botërore, 1942 - 1945). Këtë vit ishte hera e parë që mbledhja më e madhe dhe më e gjatë e fantashkencës në botë u mbajt në Kinë.