Festivali folklorik "Oda Dibrane" mbylli me sukses edhe edicionin e tij të 29-të. Në prani të përfaqësuesve të autoriteteve lokale të Dibrës dhe qytetit të Peshkopisë, u organizua në Qendrën e Kulturës të Dibrës festivali tradicional folklorik "Oda dibrane", ku performuan ansambleve folklorike nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. E nisur 29 vjet më parë me qëllimin fisnik, të pritjes së miqve në odën apo dhomën më të mirë të pritjes së mikut, aty mes miqsh shkëmbehen zakone, flitet me këngë e valle, aty ku folklori transmetohet e trashëgohet brez pas brezi.
Festivali mbarëkombëtar që prezanton dhe bashkon vlerat më të mira tradicionale dhe artistike është pjesë të folklorit shqiptar të humorit dhe lojërave popullore, ritet dhe alegoritë vijnë përmes Festivalit Folklorik “Oda Dibrane”. Ky është festivali folklorik më i madh që zhvillohet në trevat shqiptare.
Veli Vraniçi (Drejtori i Festivalit Oda Dibrane)
Drejtori i Festivalit “Oda Dibrane” Veli Vraniçi, me profesion për disa dekada ka punuar në Shtëpinë e Kulturës dhe të Krijimtarisë Popullore "Haki Stërmilli" të Peshkopisë. Në vitin 2014 ai është shpallur "Nderi i Kulturës Dibrane" dhe në të njejtin vit ka marë titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës. Në vitin 2017 Veli Vraniçi si pjesë e një delegacioni me drejtorë të festivaleve folklorike ndërkombëtare nga vendet e Evropës Qëndrore e Lindore, një projekt i Ministrisë së Kulturës të Kinës, gjatë të cilit ka vizituar Shangain në Festivalin e 19-të Ndërkombëtar të Arteve.
Drejtori i Festivalit Veli Vraniçi është shprehur për mediat: “Është festivali më jetëgjatë i këtij lloji në Shqipëri. “Oda Dibrane” tashmë nuk është vetëm pasuri e Dibrës, por një pasuri kombëtare. Jam i lumtur që salla mbushet përherë plot dhe të gjithë mbeten të kënaqur me Festivalin “Oda Dibrane”
Më 13 tetor dhe 14 tetor Peshkopia ishte arena festive, e cila shpalosi traditat folklorike shqiptare “Oda Dibrane” e cila është pjesë e Kalendarit Kombëtar të Eventeve të Turizmit Kulturor dhe Aplikacionit TEA. Në këtë edicion të 29-të, në këtë festival morën pjesë 11 ansamble dhe grupe pjesëmarrëse, të cilët sollën elementë unikë të folklorit të krahinave si këngë, valle, kostume të larmishme, rite e lojëra të ndryshme popullore. Kishte shumë pjesëmarrësh të cilët merrnin pjesë për herë të parë në këtë aktivitet.
Në natën finale, juria vlerësoi me mirënjohje artistë instrumentistë dhe këngëtarë, ndërsa fitues i edicionit të 29-të festivalit “Oda Dibrane” u shpall “Ansambli Lura”. Specialistët e folklorit e vlerësojnë këtë edicion si më të mirin në dekadën e fundit, duke pasur edhe artistë të rinj, ky është një tregues që folklori trashëgohet edhe në brezat e tjerë. Organizatorët e këtij aktiviteti janë shprehur optimistë edhe për vitin e ardhshëm që do të jetë një edicion jubile pasi “Oda Dibrane” do të festojë 30-vjetorin, një traditë e mbajtur për tre dekada me rradhë.
Sava Lena