Përfitimet ekonomike nga Samiti i Tiranës i Procesit të Berlinit
2023-10-27 09:59:35

Pjesëmarrësit në Samitin e Tiranës (Foto Syri.net)

Pjesëmarrësit në Samitin e Tiranës (Foto Syri.net)

Shqipëria organizoi në Tiranë mbledhjen e nivelit të lartë, Samitin e Procesit të Berlinit më 16 tetor. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi në Tiranë një paketë të madhe me investime nga buxheti i Bashkimit Evropian, në kuadër të Procesit të Berlinit. Ajo tha se paketa deri tani ka angazhuar 16 miliardë euro dhe pritet të angazhojë në të ardhmen edhe 14 miliardë euro të tjerë. Sipas von der Leyen, Shqipërisë i takojnë 1.4 miliardë euro, një pjesë e të cilave është angazhuar dhe shumica do të jepet këtej e tutje.

Procesi i Berlinit ka si plan kryesor planin e quajtur Axhenda e Konektivitetit(Ndërlidhjes). Fokusi është kryesisht në projekte të transportit, por dhe të ndërlidhjes energjetike. Një theks të veçantë ka marrë ndërlidhja dixhitale dhe tregu dixhital.

Deri në shtator 2023, në vlerë totale, Shqipëria përfaqësonte rreth 13% të projekteve të Axhendës se Nderlidhjes, nga 7% në fund të vitit 2019 dhe 11 përqind në fund të vitit 2020, duke përmirësuar pozicionin e saj, për shkak të miratimit të dy projekteve të reja në samitin e Sofjes, për rehabilitimin e HEC-it të Fierzës dhe By-Pass-it të Tiranës.

Shqipëria ka dhe shpërndarjen më të gjerë të investimeve në bazë sektori, duke përfshirë transportin, energjinë dhe sektorin dixhital. Eksperti i integrimit Ilir Aliaj komenton për Grupin Mediatik të Kinës këtë samit.

Eksperti Ilir Aliaj në intervistë për CMG

Eksperti Ilir Aliaj në intervistë për CMG

CMG: Presidentja e Komisionit Evropian Ursula non der Leyen, deklaroi më 16 tetor ne Tirane se mbeshtetja financiare nga Procesi i Berlinit do të jetë 1.4 miliardë euro për vendin tonë. Sa ndihmohet ekonomia e Shqipërisë?

Ilir Aliaj: Duhet të jemi të sinqertë: 1.4 miliardë euro janë shumë, që të hyjnë në Shqipëri, për një periudhë të caktuar kohore. Është një moment shumë i rëndësishëm. Ne duhet të përgatitemi, të përgatisim veten, por njëkohësisht, edhe të mos i lëmë të zhgënjyer partnerët tanë.

Duhet që të jemi të gatshëm t’i përthithim këto fonde dhe të zbatojmë projektet për të cilat ato janë dhënë, pa shumë burokraci.

Burokracia është e nevojshme, por nuk duhet ta tejzgjasim shumë çështjen e burokracisë. Duhet të jemi pak më efektivë në përthithje të fondeve dhe në zbatim. Kjo është shumë e rëndësishme.   

CMG: Keni shumë të drejtë, se edhe e kaluara, na tregon se nganjëherë, nuk kemi qenë në kohën e duhur dhe me projektet e duhura, dhe përthithja ka vuajtur. Gjykoni se është qasja e duhur, tashmë nga ana e autoriteteve të Procesit të Berlinit, që madje t’i lejojnë vendet e Ballkanit Perëndimor që të kenë akses në fondet për Vendet Anëtare të Bashkimit Evropian, gjë e cila më parë nuk kishte ndodhur, si dhe drejtpërsëdrejti në Tregun e Përbashkët Evropian?  

Ilir Aliaj: Ne duhet të jemi të qartë: nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë. Kemi Inisiativën e Vishegradit. Ishin Polonia, Çekosllovakia(ishte Çekosllovakia e pandarë në atë kohë) dhe Hungaria. Sot janë katër vende. Këto vende, përpara se sa të anëtarësoheshin në Bashkimin Evropian, morën akses në Tregun e Përbashkët Evropian dhe, nga një pozicion i tillë, këto vende përfituan shumë.

Pra, ne duhet të ndjekim një rrugë që është shkelur nga disa. Nuk është një rrugë e re për ne. Ne duhet ta ndjekim këtë rrugë. Ne kemi miq si në Poloni, në Çeki, në Sllovaki dhe në Hungari. Pra, ne mund të marrim eksperiencën e tyre dhe ndihmën e tyre, për të bërë ato që na kërkohen tani.

Duhet të themi që aksesi në Tregun e Përbashkët Evropian është një lajm i mrekullueshëm për biznesin shqiptar. Unë e them vazhdimisht: topi është në fushën tonë. Me gjuhën sportive: na e kanë dhënë topin. Na kanë dhënë edhe fushën. Tani duhet të bëjmë golin. Kjo është në dorën tonë. Vërtet është një lajm i mrekullueshëm. Pra, një kompani shqiptare, e cila ka akses në një treg prej 450 milionë banorësh! Cili mund të jetë përfitimi më i madh se kaq?

Sigurisht që ka disa standarde. Bashkimi Evropian i ka shumë të larta këto standarde. Por ne mund të ndihmohemi. Pra, kompanitë shqiptare mund të ndihmohen nga proceset integruese të Bashkimit Evropian.

Me shumë shpresë, them se do të hapen shpejt kapitujt e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian dhe do të ketë mundësi edhe për fonde të tjera. Kështu që ky është një lajm  i mrekullueshëm.       

CMG: Sa të rëndësishme janë për ekonominë tonë projektet e ndërlidhjes që Procesi i Berlinit ka miratuar që nga viti 2015 dhe do të miratojë për Shqipërinë edhe në të ardhmen?

Ilir Aliaj: Këto janë projekte të një rëndësie strategjike për Shqipërinë. Për arësye historike kemi qenë të izoluar. Nuk kemi kohë dhe nuk do të merremi me historinë.

Shqipëria ka qenë e izoluar. Në këto 30 vitet e fundit, janë bërë përpjekje për ta nxjerrë nga izolimi.

Duhet thënë që pjesa e transportit, pra ndërlidhja e transportit detar ka patur një faktor shumë të rëndësishëm. Dhe arësyeja është shumë e thjeshtë. Përballë ne kemi Italinë. Përveç faktit që kemi diku rreth 700 mijë shqiptarë që jetojnë atje, Italia është ndër shtatë vendet më të industrializuara të botës.

Tani na duhet ne edhe lidhja me mjetet e tjera të transportit. Si me trenin, pra duhet patjetër të rikonstruktohet hekurrudha Tiranë-Durrës-Podgoricë. Duhet bërë edhe lidhja e hekurrudhës Pogradec-Guri i Kuq-Ohër.

Pra, që të futemi në akset kryesore të transportit hekurrudhor evropian për rajonin. Sigurisht, po bëhen përpjekje nga ana shqiptare, që edhe transporti rrugor të përmirësohet ndjeshëm. Ama, në qoftë se ne arrijmë të realizojmë transportin e mallrave me tren dhe atë të udhëtarëve me tren, atëhere do të jemi në një linjë shumë të mirë. Kjo është e një rëndësie strategjike për ne, për Shqipërinë.     

Pritja për pjesëmarrësit në Samitin e Tiranës (Foto Përqasje)

Pritja për pjesëmarrësit në Samitin e Tiranës (Foto Përqasje)

CMG: Sa do e ndihmojë ekonominë tonë marrëveshja rajonale për njohjen e ndërsjelltë të shtatë kualifikimeve profesionale, e cila u nënshkrua në Tiranë?

Ilir Aliaj: Siç e dimë, Shqipëria, por edhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë një hemorragji forcash pune nga emigracioni. Forcat e punës tonat shkojnë kryesisht në Evropën Perëndimore.

Nga kjo marrëveshje rajonale për shtatë profesionet, ne mund të përfitojmë forca pune si nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, sepse janë shqiptarëfolës, por edhe nga Serbia, pse jo? Pse jo të mos i marrim forcat e punës nga Serbia, nga Bosnje-Hercegovina? Kur duhet për të bërë punë, pse jo?

Kjo do të afrojë njerëzit me njeri-tjetrin. Ky është procesi i integrimit realisht. Afrimi i njerëzve me njeri-tjetrin. Dhe pastaj vijnë të gjitha të mirat e tjera të integrimit.  

CMG: Në gjykimin tuaj, a shërbeu organizimi i Samitit në Tiranë, për herë të parë në mënyrë fizike në një vend përfitues, si një mjet efektiv për të lobuar më mirë për projekte më të mëdha dhe për fonde më shumë nga Procesi i Berlinit?

Ilir Aliaj: Duhet të themi pa mëdyshje që Samiti në Tiranë ishte një përfitim imazhi i mrekullueshëm i Shqipërisë. Pra, qendra e Ballkanit Perëndimor për Brukselin është Tirana. Këtë duhet ta themi pa mëdyshje. Për arësye nga më të ndryshmet, nuk është më, për momentin, Beogradi, apo një kryeqytet tjetër i rajonit, por Tirana.

Dhe këtë ne duhet ta marrim dhe duhet ta mbajmë. Ne si shoqëri civile, media etj. duhet t’ja përsërim këtë vazhdimisht politikanëve dhe vendim-marrësve tanë. Kjo është e para.

E dyta, a mund të bëjmë ne lobime për projekte të tjera? Sigurisht që ne mund të lobojmë për projekte të tjera. Nisur nga Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë, ne mund të bëjmë lobime të tjera, për të marre fonde të reja. Arësyeja kryesore është që ne duhet të jemi të përgatitur për çfarë do të kërkojmë.

Unë besoj se edhe Ursula von der Leyen, pra Presidentja e Komisionit Evropian, edhe kancelari gjerman Olof Scholz, ishin shumë të sinqertë, kur thanë se ju jeni të mirëpritur. Janë paratë, hajdeni! Por, duhet të shkojmë të përgatitur dhe të mos shkojmë thjesht: po bëjmë një zivite reciproke në Bruksel apo në Berlin. Duhet të shkojmë të përgatitur, me projekte konkrete.    

CMG: Fakti që edhe disa Vende të tjera Anëtare të Bashkimit Evropian, që më përpara nuk ishin, u futën në Procesin e Berlinit, si për shembull Hollanda, etj., a e ndihmon këtë proces për vendet e rajonit?

Ilir Aliaj: Nuk e ndihmon për fonde më shumë, pasi ato janë fonde që vijnë drejtpërsëdrejti nga Brukseli dhe Hollanda buxhetin e saj e kalon në Bruksel. Por, anëtarësimet e reja ndihmojnë në forcimin politik të Procesit të Berlinit. Pra, sa më shumë aktorë të jenë, aq më i fortë është procesi. Aq më të interesuar janë në Bruksel dhe në të gjitha 27 Vendet Anëtare së bashku të BE-së, për Ballkanin Perëndimor. Dhe kjo është ajo çfarë ne na duhet.

Pamë në Tiranë Kryeministrin e Spanjës, i cili ishte shumë entuziast. Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez erdhi për herë të parë në Tiranë. Spanja gjeografikisht është pak larg. Kemi patur me këtë vend marrëdhënie shumë të mira, por jo ndonjë bashkëpunim shumë të afërt. Ndërsa për Italinë, Greqinë dhe Hollandën, këto vende kanë qenë gjithmonë afër me Ballkanin Perëndimor. Spanja, për arësye historike të saj, nuk ka qenë shumë afër rajonit tonë, pasi kolonitë e saj nuk kanë qenë asnjëherë në këtë pjesë të botës.

Mirëpo ne pamë kryeministrin spanjoll shumë entuziast. Spanja është aktor shumë i fuqishëm në Bashkimin Evropian. Është ndër katër-pesë vendet shumë të fuqishme në Bashkimin Evropian. Po ashtu, shumë e fuqishme është Hollanda, kryeministri Rutte.

Hollanda është nyja ndërlidhëse e Bashkimit Evropian me Britaninë e Madhe. Ne pamë në Samitin e Tiranës Sekretarin e Jashtëm të Britanisë së Madhe. Pra, pavarësisht se është jashtë Bashkimit Evropian, Britania e Madhe përsëri është shumë e interesuar për rajonin tonë.

Janë shumë faktorë, të gjithë këta emra që po permendim, që na bëjnë optimistë. Ne duhet të jemi edhe optimistë, që nuk do të na lënë vetëm këta faktorë. Dhe kjo duhet të kuptohet nga të gjithë ne këtu në rajon.

CMG: Ju jeni ekspert i integrimit. Ne gjykimin tuaj, a e përshpejton procesin e integrimit kjo qasje e re e Procesit të Berlinit, siç quhet ndryshe një “ri-inxhinierim” i tij, kah planit të rritjes ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor?

Ilir Aliaj: Pa diskutim që po. Duhet të shohim që Procesi i Berlinit është edhe një proces politik, i cili bën më shumë presion për reforma. Si Presidentja e Komisionit Evropian, edhe Kancelari i Gjermanisë përmendën reformat shumë herë.

Reformat janë të domosdoshme për ne. Mund të kenë dhimbje, sepse kanë kosto financiare dhe ekonomike, por qytetarët shqiptarë e kanë thënë zërin e tyre. Në vitin 2021, Shqipëria doli vendi, ky qytetarët jepnin përkrahjen më të madhe për procesin e integrimit evropian. 86 përqind e qytetarëve tanë shprehen se duan të integrohen në Evropë. Pra, qytetarët marrin parasysh edhe koston, barrën financiare që do të paguajmë, për të shkuar në Evropën e Bashkuar. Dhe kjo është shumë e rëndësishme.    

Mund të themi se Shqipëria do pak punë, por është e gatshme, për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.

 

Intervistoi Fatos Çoçoli