“Gjyshja ime perfekte” në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental
2023-10-26 11:09:17

Fundjavën e kaluar u vu në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli", shfaqja "Gjyshja ime perfekte", me skenar dhe regji nga Endri Çela.  Një komedi me shumë të papritura dhe teknologji për fëmijët vjen si pjesë e programit: "Edukimi përmes artit",me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental. Shfaqja tregon një histori ku  skenaristi Endri Çela ka shkuar me magjinatën e tij në vitin në 2137, në katin e 55-të të një kulle në Tirana City, ku emrat e fëmijëve përcaktohen me numra, ndër to është edhe djali me emin 03. Ai jeton me dy prindërit e tij dhe me dy vellezërit binjakë, si dhe me një gjyshe tipike shqiptare, 136 vjeç. Çdo gjë duket e zakonshme, por kur prindërit biznesmenë ikin në punë dhe dy vëllezërit shkojnë në  "Hi Tech Collegue" gjyshja 136-vjeçare bëhet pjesë e një eksperimenti me çip në tru, që e shndërron në një gjyshe perfekte për nipat e saj. Regjisori dhe  skenaristi i komedisë "Gjyshja ime perfekte", Endri Çela  për Radio Ejani tregon të rejat nga kjo përvojë krijuese

CMG: Imagjinata jote na çon në vitin 2137 ne katin e 55 të një kulle ne Tirana City dhe djali me emri 03. Si lindi ideja për këtë shfaqje?

Endri Çela: “Gjyshja ime perfekte” vërtet i vendos ngjarjet në një të ardhme imagjinare, por kjo imagjinata ime, nuk do të thotë se ka lindur nga hiçi. Eshtë një fakt alarmant, lajm i dëgjuar në media se më në fund është pranuar eksperimenti në tru tek njerëzit dhe për mua ky është një fakt alarmant, se ku është duke shkuar e ardhmja e shoqërisë sonë. Sa robotikë do të bëhemi, sa pak të vetëdijshëm do të jemi për atë që do të bëjmë, për atë që do ndjejmë, sa pak të vetëdijshëm do të bëhemi nga ana njerëzore ndaj vërtetësisë që mendojmë se e kemi dhe sa shumë do të zbehet komunikimi njerëzor mes nesh?!

Prandaj fillova të flas për një marrëdhënie gjyshe-nip sepse kemi të bëjmë me të shkuarën, me atë të shkuarën me rrudha të bukura.

Kemi të bëjmë edhe me të ardhmen, me një fëmijë 6 vjeç i cili ushqehet vetëm me proteina, me kapsula dhe pilula energjike, i cili nuk ka njohuri fare për mishin me pastërma që e dëshiron kaq shumë gjyshja dhe së dyti nuk mund të rri pa përmendur dëshirën time për të ngritur në piedestal  gjyshërit, pra jo më kot dhe titulli i shfaqjes është “Gjyshja ime perfekte”, sepse ajo i fton fëmijët për të parë këtë imagjinatë se si do jetë një marrëdhënia “gjyshe -nip” në të ardhmen.

Endri Çela Regjisor

CMG: Na trego disa detaje më tepër se si zhvillohet ngjarja?

Endri Çela: Pjesa nis me 03-shin, protagonistin tonë që është një djalë 6 vjeçar, i cili rri gjatë gjithë kohës në shtëpi mbyllur nën përkujdesjen e gjyshes, e cila mezi flet, mezi dëgjon, mezi shikon, për faktin se është 136 vjeçare, pra shumë  e  vjetër, imagjononi edhe për syrin e një fëmije. Nipi i lënë gjatë gjithë kohës në përkujdesjen e kësaj gjysheje, sepse prindërit e tij biznesmenë shkojnë gjatë gjithë kohës në punë dhe nuk duan të bezdisen. Gjithashtu edhe vëllezërit e tij 2-3 minuta më të mëdhenj, kanë luksin që të studiojnë në "Hi Tech Collegue", ndryshe nga ai sepse është  2-3 minuta më i vogël dhe i duhet të rrijë nën përkujdesjen e gjyshes në shtëpi.  

Gjyshja 136 vjeçare, për sytë e një fëmije është jashtëzakonisht e bezdishme, e vjetër dhe e lodh me vjetërsirat e saj. Në këtë mënyrë nipi kërkon që ta vejë  në gjumë gjyshen që të rrijë rehat e të largohet nga vjetërsirat e saj. Atëherë ai  thërret vëllezërit e tij që janë në "Hi Tech Collegue". Ai i thotë se ka nevojë për një ilaç gjumi, sepse nuk e di se ku i lënë  mami e babi ilaçet e gjumit që ta verë gjyshen në gjumë, ashtu si e vendos vetë mami  gjyshen në gjumë, kur ajo ngrihet natën e këndon si gjel. Ai thërret vëllezërit e tij binjakë 01-shin dhe 02-shin, që të gjejnë vendin e ilaçeve. Por njëri prej tyre i jep një ide edhe më brilante ku i thotë: Përse e vendos në gjumë? Kur shumë mirë mund t’i vendosësh një çip në tru dhe kështu t’i mund ta komandosh gjyshen që ajo të bëjë çfarë të duash ti. Ata i vendosin asaj profesione nga më të ndryshmet, mosha nga më të ndryshmet, karaktere nga më të ndryshmet, e bëjnë të ëmbël apo të hidhuar aq sa duan ata, i vendosin gjyshes detyrat nga më të ndryshmet. Kështu vazhdon shfaqja derisa në fund ka një moment prekës që jepet edhe mesazhi i shfaqjes: “Ti gjyshen duhet ta duash për atë që është edhe atëherë kur ajo është”. Fëmijët mendojnë se vërtetë e vlerësojnë figurën e gjyshes, e duan figurën e saj, por jo sa ata ta mendojnë se si do ishte jeta e tyre, nëse gjyshja nuk do të ishte më me ta.

CMG: Ke realizuar edhe shfaqje të tjera për të rritur por edhe ] fëmijë. Mendon se kjo shfaqje me në fokus teknologjinë, tërheq më shumë fëmijët?

Endri Çela: Shfaqja ka vërtetë teknologji. Jetojmë në vitin 2137, çdo gjë është tashmë Hi-Tech edhe dialogu është i strukturuar në mënyrë të tillë që vetë fëmijët flasin, ashtu siç unë imagjinoj se do të flisnin në 2137-tën. Ka fjalë teknologjike brenda tekstit, ka fjalë të një zhargoni të përditshëm, por më tepër sesa teknologjia e shfaqjes, do t’i tërheqë mesazhi që është shumë ndjesor sepse me futjen e kësaj teknologjie në shfaqje, unë mund ta bëj atraktive për sytë e fëmijëve,  që në kohën e sotme janë të mësuar  me Hi Tech, Games, apo çdo lloj tjetër teknologjie që u shfaqet. Por përtej kësaj mendoj se çfarë rëndësie do të kishte teknologjia nëse njerëzit nuk do të ishin të vërtetë, nëse ti nuk do ta prekje atë ëmbëlsi, atë qënie njerëzore që të do në mënyrën e saj, etj.  

Nëse nuk do të kishim komunikim, çfarë do të ishim ne? Disa robotë, disa qënie që do të quheshin qënie njerëzore, por nuk do të ishin qënie të mirëfilltë, njerëz që nuk kanë më komunikim të ngrohtë dhe njerëzor me njëri-tjetrin.

Shfaqja "Gjyshja ime perfekte" do vijojë të vihet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogu" çdo fundjavë në orën 10.00. Në kastin e aktorëve të shfaqjes janë Kleard Germenji, Adriana Tolka, Video grafic designer Renato Alickolli, me muzikë nga Florjan Hoxha, koreografia nga Aledia Kondaj, kostumografia nga Sofi Kara, skenografia Beqo Nanaj, video Shot Marjo Cani, ndriçimi Taulant Kotorri dhe as. regjisor Joan Mezini.

Regjisori Endri Çela është një artist mjaft i talentuar, i cili ka vënë shfaqje në skenë për fëmijë  e të rritur, ku shpeshherë ka realizuar jo vetëm regjinë, por ka qenë gjithashtu  skenarist dhe interpretues. Regjisori Çela  këtë vit ishte pjesë e edicionit të njëmbëdhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të monodramës “To the Stars” me shfaqjen "Gruaja e thyer" dhe po me të njëjtën shfaqje është nisur këtë javë drejt Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Tetovë .

Intervistoi: Sava Lena