Nxitja e ndërlidhjes për të ndjekur bashkërisht rrugën e lulëzimit
2023-10-26 21:44:02

foto nga CFP

Porti i Pireut/ foto nga CFP

Greku Tassos Vamvakidis është menaxheri për tregtinë i Terminalit të Kontejnerëve të Pireut pranë grupit kinez të transportit COSCO. Në këtë port, më të madhin në Greqi, ai ka punuar për afro 50 vjet dhe ka dëshmuar procesin e këtij porti nga rënia në rilindje.

Tassos Vamvakidis, menaxheri për tregtinë i Terminalit të Kontejnerëve të Pireut:

“Kam qenë klient i këtij terminali. Shpresoja të merrja shërbimet që nuk i kisha marrë në të kaluarën dhe shpresoja gjithashtu që, nëpërmjet pjesëmarrjes në këtë projekt të suksesshëm, të jepja kontribut në të mirë të mirëqenies së shoqërisë vendore, si edhe të ekonomisë greke.”

Që nga viti 2010, COSCO-ja filloi të vinte funksionim portin e Pireut. Pas zhvillimit mbi dhjetë vjet, ky është bërë sot porti detar nr. 1 në Mesdhe dhe i katërti më i madh në Evropë. Ky projekt ka krijuar në mënyrë të drejtpërdrejt mbi 3 mijë vende pune dhe i ka dhënë shoqërisë vendëse një kontribut prej mbi 1.4 miliardë eurosh.

Tassos Vamvakidis, menaxheri për tregtinë i Terminalit të Kontejnerëve të Pireut:

“E kemi zhvilluar këtë port jo vetëm për sa i përket biznesit, por edhe marrëdhënieve ndërmjet popujve. I kemi nxitur këto dy qytetërime të lashta të afrohen më tepër me njëri-tjetrin.”

Porti i Pireut është një projekt simbol i ndërtimit të përbashkët nga Kina e Greqia të “Një brez, një rrugë”. Në vitin 2014 COSCO-ja hapi “Ekspresin tokësor-detar ndërmjet Kinës dhe Evropës”, i cili lidh në Evropë Rrugën Detare të Mëndafshit të Shekullit të 21-të dhe Brezin Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit, duke përfshirë 71 milionë banorë në nëntë vende të Evropës Qendrore e Lindore.

Dr. George Tzogopoulos, bashkëpunëtor i vjetër shkencor në Fondacionin Helenik për Politikën Evropiane dhe të Jashtme të Greqisë:

“Një nga karakteristikat më të rëndësishme të këtyre investimeve është që ato nuk kufizohen vetëm në Greqi e Kinë, duke favorizuar një numër vendesh anembanë botës dhe kompani të vendeve të tjera.”

Porti Duisburg në Gjermani / foto nga CFP

 “Një brez, një rrugë” vjen nga Kina dhe i përket botës. Gjatë 10 vjetëve pas paraqitjes së kësaj nisme, Kina ka nënshkruar mbi 230 dokumente bashkëpunimi me më shumë se 150 vende e 30 organizata ndërkombëtare dhe ka zbatuar mbi 3000 projekte bashkëpunimi. Vendet pjesëmarrëse kanë pasur zhvillim ekonomik e shoqëror dhe popujt e tyre kanë pasur përfitime konkrete.

Dr. Michael Borchmann, ish-drejtori i Drejtorisë së Çështjeve Evropiane dhe Ndërkombëtare të landit gjerman të Hesenit:

“Në fakt, ‘Një brez, një rrugë’ është bërë një rrjet i gjerë i përbërë nga porte të reja, hekurudha, autostrada dhe parqe industriale, që lidhin Afrikën, Azinë dhe Evropën.”

Trenat e mallrave Kinë-Evropë janë bërë një markë simbol e ndërtimit të përbashkët të “Një brez, një rrugë”. Sipas të dhënave të fundit, gjatë dhjetë vjetëve këta trena kanë kryer 78 mijë udhëtime, duke transportuar 7.4 milionë kontejnerë standardë me mallra me një vlerë të përgjithshme mbi 340 miliardë dollarë amerikanë në mbi 200 qytete të 25 vendeve e rajoneve evropiane. Duisburgu është nyja e trenave të mallrave Kinë-Evropë, me vëllimin më të madh të ngarkim-shkarkimit. Ky qytet evropian i industrisë tradicionale u rigjallërua falë këtyre trenave.

Marcel Stein, kryeekzekutivi i grupit “Bahnoperator”:

“Trenat e mallrave Kinë-Evropian kanë pasur suksese të mëdha gjatë 10 vjetëve të kaluar dhe kanë ndryshuar tregun hekurudhor evropian. Më shumë mallra mund të transportohen ndërmjet hekurudhës. Mund të them se rigjallërimi i transportit hekurudhor i mallrave në Evropë është i pandashëm nga kontributi i Kinës.”

foto nga CFP

foto nga CFP

Në Forumin e 3-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar “Një brez, një rrugë”, që porsa u mbyll, Kina paraqiti tetë veprime në përkrahje të ndërtimit të përbashkët cilësor të “Një brez, një rrugë”, duke përfshirë formimin e rrjetit trepërmasor të ndërlidhjes, ndërtimin e ekonomisë së hapur botërore dhe nxitjen e zhvillimit të gjelbër e novacionit teknologjik.

Loh Yeow Khoon, drejtori i Institutit të Qeverisjes dhe të Zhvillimit të Vazhdueshëm pranë Universitetit Kombëtar të Singaporit:

“Mendoj se presidenti Xi mbajti një fjalim shumë të mrekullueshëm dhe të gjithanshëm, i cili skicon planin shumë efektiv e të zbatueshëm për drejtimin e ardhshëm. Ndër tetë pikat e fjalimit, për shembull ajo mbi zhvillimin e gjelbër, në fakt ka të bëjë me mjedisin ekologjik. Një shembull tjetër janë shkëmbimet njerëzore, që do të jenë në ndihmë të nxitjes së shkëmbimeve shoqërore ndërmjet vendeve të ndryshme.”

Enriko Ceko, drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Zhvillimin e Vazhdueshëm:

“Sipas Raportit të Bankës Botërore mbi Ekonominë ‘Një brez, një rrugë’, me t’u zbatuar kjo nismë në mënyrë të gjithanshme, palët pjesëmarrëse do të kenë një rritje të tregtisë së jashtme prej mbi 4.1 për qind. Parashikohet se deri në vitin 2030, ndërtimi i përbashkët i ‘Një brez, një rrugë’ do t’i sjellë mbarë globit 1.6 trilionë dollarë amerikanë përfitime shtesë në vit.” (Wang Lei/ Artan)