Mozaiku është pikturë monumentale dekorative e punuar me gurë kubikë të vegjël prej qelqi, qeramike, ose ndonjë materiali tjetër të qëndrueshëm me ngjyra. Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar një pasuri të madhe mozaikësh, sidomos në ultësirën bregdetare të vendit tonë. Mjaft prej tyre janë zbuluar në Durrës, Apoloni, Sarandë, Butrint, Shkodër, etj.
Mozaiku më i hershëm është zbuluar në shekullin III–IV para Krishtit në Durrës. Ai paraqet portretin e një gruaje, prandaj është quajtur edhe “Bukuroshja e Durrësit”. Shumica e mozaikëve të zbuluar në vendin tonë tregojnë se kanë qenë dysheme kishash, paraklisesh të krishtera ose dysheme pagëzimoresh.
Shqipëria numëron 19 mozaikë të shpallur monument kulture dhe dhjetëra të tjerë që nuk janë marrë në mbrojtje. Statusi i pronësisë dhe niveli i investimeve ka krijuar sfida për specialistët për konservimin dhe hapjen për publikun të këtyre thesareve shumëngjyrëshe. Qarku i Durrësit ka numrin më të madh, prej 6 mozaikësh, e ndjekur nga Qarku Korçë me 4 mozaikë, Vlora me 3 mozaikë, Fieri dhe Elbasani me 2 mozaikë secili dhe Shkodra e Tirana me nga 1 mozaik.
Bukuroshja e Durrësit
Mozaiku më i hershëm i zbuluar në Shqipëri është “Bukuroshja e Durrësit”, që daton në shek. IV para erës sonë. Si figurë qendrore ka kokën e një gruaje, të cilën e rrethojnë bisqe të mëdhenj me dredhëza, rrotëza, lule zambaku e lule kambane, që mbushin njëkohësisht të gjithë sipërfaqen e mozaikut. Mozaiku “Bukuroshja e Durrësit” u zbulua në vitin 1918 nga arkeologu austriak Kamilo Prashniker dhe daton në shekullin e katërt para erës sonë. Studiuesi i huaj ishte i pari që gjatë Luftës së Parë Botërore, në themelet e një shtëpie të vjetër në Durrës, zbuloi pamjen e mozaikut të lashtë.
U desh përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, rreth vitit 1947, që vepra të pastrohej nga dherat që e kishin mbuluar për t’ju nënshtruar kujdesit maksimal që e solli në dokumentarët e Muzeut. Figura kryesore e mozaikut është një vajzë e re që harmonikisht qëndron e rrethuar nga lule të shumta. Mozaiku ka formë vezake dhe është rreth 9 m2. Kompozimi i veprës, të quajtur në mënyrë metaforike “Bukuroshja e Durrësit,” përmban gurë të vegjël me ngjyra të forta në të kuqe, të bardhë, të zezë, të kaltër e të portokalltë.
Studiuesit thonë se fytyra e vajzës në mozaik është në unitet me tërë zbukurimoren prej lulesh dhe komunikon nëpërmjet mjeshtërisë së artit edhe në ditët tona. Në përgjithësi, dyshemetë me mozaikë në Shqipëri janë elementë karakteristikë që hodhën rrënjë në shumë ndërtesa publike apo shtëpi private ndër shekuj. Sot ky mozaik gjendet në Muzeun Historik Kombëtar.
Mozaiku i Pagëzimores
Në maj të vitit 1928, arkeologu Italiani Luigi Ugolini, teksa gërmonte gjatë ekspeditës së tij në Butrint, nën një mur që dukej jo shumë mbi tokë, punëtorët e tij panë të shfaqej një dysheme e dekoruar me peshq, zogj, një gomar, vile rrushi dhe drerë. Punëtorëve të Ugolinit, të cilët ishin më së shumti barinj të zonës, nuk i kishin zënë sytë kurrë më parë një mozaik. Me eksperiencën e tij prej profesionisti, Ugolini iu afrua pamjes rrethore me një transhe të thellë duke hequr ditë pas ditë dheun dhe duke zbuluar atë që do të quhej Mozaiku i Pagëzimores.
Mozaiku i Pagëzimores i përket periudhës kur krishterimi po lulëzonte në Butrint dhe qyteti kishte peshkopin e vet. Në Perandorinë Romake të Lindjes, kjo është sipas studiuesve pagëzimorja e dytë për nga madhësia pas asaj në Kishën e Shën Sofisë në Stamboll. Mozaiku i Pagëzimores ka një kompozim të rrallë të motiveve të ndryshëm. Shtatë shirita rrethorë sillen rreth vaskës së pagëzimit në një sipërfaqe me diametër rreth 13,5 metër. Shiriti i parë dhe i pestë tregojnë një degë dredhësi, një bimë kacavjerrëse e zonës.
Shiriti i dytë dhe i katërt i mozaikut kanë medalione të lidhur me njëri – tjetrin që mbajnë brenda figura lulesh, zogjsh, bimësh, peshqish dhe kafshësh të egra. I gjithë mozaiku ka 69 medalione me figura të larmishme. Rrethi i tretë dhe i gjashtë kanë unaza të lidhura me njëra-tjetrën, ndërsa rrethi i shtatë, ai që rrethon dhe vaskën e pagëzimit, ka një qilim medalionesh me rombe. Mozaiku i Pagëzimores u hap për restaurim për herë të parë dy vjet më parë, pasi kishte qëndruar i mbuluar për shtatë vjet me radhë.
Mozaiku i Linit
Mozaiku i Linit është monument kulturor i cili ndodhet në fshatin Lin, në Pogradec. Është monument kulturor i mbrojtur me ligj. Kisha paleokristiane e Linit u zbulua për herë të parë në vitin 1967 nga një ekspeditë e punonjësve të muzeut lokal të Pogradecit. Prej vitit 1973, ai është shpallur monument kulture i kategorisë së pare. Mozaiku i ekspozuar i Bazilikës së Linit, e cila ndodhet rreth 20 kilometra larg Pogradecit përbëhet nga disa kolona të punuara me mjeshtëri si dhe mozaikët me motive të njohura si zogjtë, gërshetat, kryqi i thyer apo lulet, por edhe elementë të rrallë për zonën dhe kohën.
Mozaikët e bazilikës paleokristiane të Linit përbëhen nga motive që përfshijnë jo vetëm elemente të përdorura edhe në bazilikat e tjera si: zogj, motive me gërsheta, skena nga bota ujore, bimore dhe ajo shtazore, lulet, por edhe motive që gjenden shumë rrallë si p.sh. bletët.
Ngjyrat më të përdorura për zbukurim janë e bardha, e zeza, e kuqja, kafja, jeshilja, e verdha dhe portokallia. Për ndërtimin e mozaikëve janë përdorur gurë të vegjël në formë kubikësh me përmasa 1×1 cm, të cilët kanë më së shumti përbërje gëlqerore, por nuk mungojnë as kubikët prej mermeri, ata prej tulle apo kubikët prej brumi qelqi.
Mozaiku i Orfeut
Mozaiku gjendet në bodrumin e një banese përdhese dhe vizitorët nuk e shikojnë dot. Aty shfaqet Orfeu, i rrethuar me motive bimore dhe gjeometrike. Sipas mitologjisë, ai ishte këngëtari, muzikanti dhe poeti më i famshëm i antikitetit.
Mozaiku i Orfeut mendohet se i përket shekujve në fillim të Erës së Re dhe gëzon statusin e monumentit të kulturës së kategorisë së parë. Ky mozaik u zbulua në vitin 1987. Germimet u drejtuan nga Moikom Zeqo, i cili botoi në Revistën “Iliria” fotot e vleresimet e para të këtij mozaiku të mrekullueshëm. Mozaiku është punuar me gurë kubikë. Ngjyrat që mbizotërojnë në mozaik janë e kuqja, e bardha, jeshilja dhe e zeza, por janë përdorur dhe të tjera. Është nga mozaikët më të bukur me figurën e Orfeut të botës antike në Mesdhe, por fatkeqësisht është nën bodrumin e një shtëpie”.
Mozaiku i Bazilikës së Elbasanit
Në zemër të qytetit të Elbasanit ndodhet mozaiku i Bazilikës paleokristiane. Zbuluar në vitin 2007, sipas studiueses franceze është më i bukuri në Shqipëri dhe më gjerë. Pjesa qendrore e të cilëve është kupola e kishës. Ikonografia e tij dhe temat janë shumë të pasura, ka kafshë, panele të shkëlqyera, por mbi të gjitha një larmishmëri ngjyrash, shumë më tepër se në mozaikët e tjerë.
Mozaiku i Meandrit
Mozaiku i Meandrit i është i vendosur në bodrunim e një pallati në Durrës dhe është i ndërtuar në teknikën bardh e zi. Mozaiku i përket shekullit të parë të erës sonë dhe është realizuar me teknikën bardh e zi. U zbulua në vitin 2005 kur u hapën themelet e një pallati. Për vite me radhë qendroi në bodrumin e këtij i mbuluar nga ujërat e zeza dhe i paaksesueshëm nga publiku.
Me rikosntruksionin e pallatit dëmtuar nga tërmeti, edhe mozaiku iu nënshtrua rikonstruksionit dhe mozaiku u pastrua nga mbeturinat, por sërish mbetet në kushte të papërshtatshme për vizitorët. Por kjo gjë nuk ia heq aspak bukurinë e tij.
Mozaikët e Apolonisë
Mozaiku i Apolonisë, me një sipërfaqe rreth 30 metra katrorë, ai ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar. Ky mozaik i shekullit III të e.s për shumë vjet është mbajtur në oborrin e brendshëm. I quajtur ndryshe “Qilimi i Apolonisë” ka një histori interesante: i zbuluar në vitin 1959 nga gërmimet e përbashkëta shqiptaro-sovjetike, ai u zhvendos në mjediset e MHK-së në vitet ‘80 me qëllimin për ta ekspozuar ne Gjermani. Por kjo gjë u bë e pamundur, ndaj ky mozaik nuk u kthye më Apoloni. Ky mozaik realisht ndodhet në oborrin e Muzeut Historik Kombëtar.
Së fundmi një tjetër mozaik është zbuluar në Apoloni. Mozaiku u takon shekujve V-VI, me përmasa 5 metra me 1 metër e gjysmë. Pak njerëz ishin në dijeni të tij e tani mozaiku është i hapur për të gjithë. Me anë të një ballkoni prej xhami vizitori mund ta admirojë nga sipër mozaikun. Ky mozaik ka vlera të jashtëzakonshme, jo vetëm për Apoloninë, por të gjithë rajonin. Prania e këtij mozaiku, dëshmon që në Apolloni ka pasur prani njerëzore edhe mbas tërmetit katastrofik të shekullit IV. Mozaiku ka disa motive të stilizuara nga bota e kafshëve, disa referenca të krishtera dhe motive gjeometrike. I ruajtur në gjendje shumë të mirë, mozaiku është zbuluar nga vitet 2000.
Neritana Kraja