Regjisor Valmir Tertini
Jeta dhe vepra e aktorit të madh shqiptar me famë botërore Bekim Fehmiu vjen në një film dokumentar me skenar nga Fahri Musliu dhe regji të Valmir Tertinit. Dokumentari sjell dy intervista ekskluvize të bashkëshortes së Bekim Fehmiut, Branka Petriç Fehmiu. Kujtime dhe rrëfime sjellin edhe personalitete të tjera të artit si Roza Anagnosti, Piro Milkani, Timo Flloko, Enver Petrovci, etj. Ky dokumentar u shfaq premierë para pak kohësh në Tiranë dhe ditët e fundit edhe në Prizren. Filmi dokumentar për aktorin Bekim Fehmiu do të shfaqet dhe në disa shtete të tjera ku janë realizuar dhe xhirimet e tij. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) regjisori Valmir Tertini tregon për realizimin e dokumentarit dhe sfidat gjatë xhirimeve.
CMG: Para pak kohësh u shfaq premiera në Tiranë e filmit dokumentar kushtuar aktorit shqiptar me famë botërore Bekim Fehmiu, me regjinë tuaj. Si lindi ideja dhe realizimi i këtij dokumentari?
Valmir Tertini: Ideja nisi aty kur Fahri Musliu kishte shkruar një monografi për Bekim Fehmiun dhe e takova në promovimin e librit të tij. Aty vendosëm së bashku që të realizonim një dokumentar të gjatë artistik për figurën e aktorit tonë të madh Bekim Fehmiu. Unë mendoja që kishte një dokumentar sepse kishte kaluar kohë nga vdekja e tij, mirëpo një gjë e tillë nuk kishte ndodhur. Kështu që ne në fillim kishim vetëm idenë dhe nuk kishim takime intensive ose diçka të tillë. Flisnim ndonjëherë në telefon sepse Fahriu ishte në Beograd, ndërsa unë në Tiranë, rrallë takoheshim në Prizren dhe u zgjat pak ideja për dokumentarin.
Pastaj filluam intensivisht punën tonë në vitin 2018, ku nisëm të bënim përgatitjet për skenarin që do ta bënte Fahriu dhe unë do të realizoja regjinë. Së pari u hap thirrja për financim nga Qendra Kinematografike në Kosovë, ku aplikuam me një producent të Kosovës, por morëm përgjigje negative. Më vonë hapëm thirrjen në Shqipëri dhe gjetëm producentin tonë Jaklid Jaçe me Cinemania dhe siguruam fondet nga Qendra Kinematografike e Shqipërisë, dhe disa fonde të tjera nga komunat e Kosovës për të qenë një bashkëpunim Shqipëri-Kosovë. Xhirimet për dokumentarin nisën në Beograd, për të vazhduar në Sarajevë dhe Zagreb. U kthyem në Kosovë, pastaj bëmë disa xhirime edhe në Tiranë, por ndodhi pandemia dhe u ftohëm pak nga pjesa e xhirimeve dhe herë pas here shihnim materialet e xhiruara ose pjesën e arkivit që ne po punonim. Mirëpo nuk ishte ajo ngrohtësia e nisjes sepse për një vit ne do e mbyllnim dokumentarin se pothuajse çdo gjë ishte gati.
Ky film dokumentar nuk mund të mbyllej pa xhirimet në Itali, të cilat morën kohën e vet sepse kishim vërtetë yjet e kinemasë për të intervistuar.
Valmir Tertini para premieres se dokumentarit
Valmir Tertini pas shfaqjes se dokumentarit
CMG: Xhirimet në Itali janë bërë në një kohë të dytë për të plotësuar filmin dokumentar?
Valmir Tertini: Ka qenë një shkëputje e madhe, sepse nga ana regjisoriale unë çdo intervistë që bënim apo çdo xhirim sipas trajtesës që kishim, plotësoja shkallët e mia që morëm dhe këto intervista ekskluzive, pra dalëngadalë po plotësohej dokumentari, por nuk e shihja këtë dokumentar pa xhirimet në Itali sepse do të dukej gjysmak. Ne si staf realizues ishim larg njëri-tjetrit saqë na mungonin takimet së bashku, sepse edhe organizimet kërkonin kohën e vet. Në momentin që xhiruam në Itali, unë aty e kuptova që filmi dokumentar u plotësua dhe ne e kishim tashmë filmin ashtu si e donim në aspektin artistik dhe kritik.
Për këtë arsye deshi edhe kohën e vet të post-produksionit, sepse ne jemi marrë shumë me arkivin, me imazhin dhe audion. Për të gjithë ata që kanë pasur mundësinë ta shohin këtë film në kinema e bëjnë këtë diferencë.
CMG: Pas shfaqjes në Tiranë ky film dokumentar do të shfaqet dhe në vende të tjera ku ju keni xhiruar?
Valmir Tertini: Fillimisht kur e kemi shkruar skenarin menduam që premierën e parë të madhe siç e bëmë në Tiranë ta kishim në Prizren, por për shkak të financimit që kishim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Tiranë detyrimisht që premiera e madhe i takonte të ishte në Tiranë dhe kështu ndodhi. Pas Tiranës do kemi premierën tjetër në Prizren, dhe pastaj do vazhdojmë me premierat e tjera nëpër vendet të cilat kemi xhiruar si në Serbi, Bosnje Hercegovinë, Kroaci dhe Itali. Njëkohësisht po fillojmë shpërndarjen e filmit nëpër festivale. Fatkeqësisht festivalet që ne synojmë janë të llojit film dokumentar të gjatë, dhe shumica e këtyre fillojnë nga shkuarti i vitit tjetër. Kështu që po presim të përzgjidhemi në festivalet që ne mendojmë se i përshtatet temës.
CMG: Mendoni se realizimi i këtij dokumentari është një prej punëve tuaja më të arrira të deritanishme?
Valmir Tertini: Unë kam bërë një film i cili titullohet “Tradhëti me letra”, dhe ka qenë një film që ngado shkoja më thonin ky regjisori, i cili ka bërë filmin për martesën për dokumentacion. Ky film eci shumë mirë, ku morëm pjesë në 98 festivale dhe morëm 11 çmime. Filmi është xhiruar në Gjermani dhe Kosovë. Ndërsa në momentin që kemi filluar të dalim publikisht nëpër media në Kosovë, Serbi dhe Shqipëri, filmi dokumentar për Bekim Fehmiun u bë shumë popullor akoma pa përfunduar, ku ishte një interesim i madh nga gazetarët se kur do të mbyllej ky film dokumentar sepse u zgjat pak dhe filmi mbyll këtë vit. Tani edhe prezantimi im në publik është si regjisori i filmit dokumentar për Bekim Fehmiun, dhe është filmi im i parë i gjatë si regjisor në këtë zhanër.
Valmir Tertini me regjisorin Dhimiter Anagnisti dhe aktoren Roza Anagnosti
CMG: Keni mbaruar studimet për arte mediatike në Kosovë dhe masterin për regji filmi në Tiranë. Si ka qenë jeta juaj artistike gjatë këtyre viteve që nga fillimi I studimeve?
Valmir Tertini: Unë kur kam shkuar për t’u regjistruar për studimet bachelor nuk e kam ditur se do bëhem regjisor. Unë në atë kohë shkruaja poezi dhe tregime dhe kur takoja të tjerë dhe ju thoja të lexonin atë që kisha shkruar, sikur perceptimi i tyre ndryshonte nga ajo që kisha shkruar unë. Detyrimisht kjo gjë më bëri të imponoj imazhin e tyre, pra ngado që shkruaja unë ta vizualizoja për publikun.
Unë kam studiuar për arte mediatike, ku aty kishte gazetari televizive, film, dokumentar, regji dhe skenar. Gjatë studimeve e kuptova që fusha ime në të ardhmen është imponimi i imazhit, është ajo që shkruhet dhe shikohet apo imponohet, sepse filmi është shumë imponues. Kur ulesh në kinema sheh atë që servir regjisori. Pas përfundimit të arteve mediatike për tre vite, unë vazhdimisht kam krijuar dokumentarë dhe kam bërë filma. Dëshiroja që të profilizohesha në regji filmi dhe nuk doja të vazhdoja diçka në Prishtinë. Ishte rastësi ardhja ime në Universitetin e Arteve në Tiranë, dhe një fat i madh se kam punuar me regjisorë si Gjergj Xhuvani, i cili kishte hapur klasën e tij dhe unë isha me të. Unë isha vetëm për studime në Tiranë, ku ne takoheshim shumë shpesh në kafe dhe restorante me Gjergjin, madje më shumë kam bërë leksione jashtë shkollës sesa brenda saj. Kjo ishte një gjë shumë pozitive dhe që e vlerësoj jashtëzakonisht.
CMG: Aktualisht jetën tuaj artistike e keni të përqëndruar më tepër në Shqipëri apo jeni midis Prishtinës dhe Tiranës?
Valmir Tertini: Unë kam ardhur në Tiranë në fund të vitit 2014 dhe gjithçka e kam përqëndruar këtu. Pas përfundimit të studimeve në master shkova në Prishtinë, por mendoj se duhet të rrish aty ku vlerësohesh. Unë pothuajse gjithçka e kam të përqëndruar këtu në Tiranë dhe ndjehem shumë i vlerësuar dhe i përkrahur këtu.
CMG: Cilat janë projektet tuaja artistike në vazhdim?
Valmir Tertini: Unë po punoj për një film të animuar, që e kemi nisur para një viti e gjysmë dhe do të përfundojë në dhejtor. Ky film do jetë i gatshëm në vitin 2024, dhe një film artistik të luajtur që e kam nisur gjatë pandemisë besoj është gati dhe po pres të hapet thirrja nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë për finacim.
Intervistoi: Gazmend Agaj