Alimov Abdumalik e përvëlon me kujdes xhezvenë e tij në rërë të nxehtë, për t'u siguruar që kafeja turke të nxehet në mënyrë të barabartë përpara se të shijojë darkën e tij.
Abdumalik, 26-vjeçari nga Uzbekistani, e di mirë mënyrën tradicionale të përgatitjes së kafesë turke, pasi e mësoi nga babai i tij, i cili është nga Turqia, dhe ka bërë për shumë vite biznes të tregtisë së jashtme me disa vende, përfshirë Kinën, Rusinë dhe Uzbekistanin. Tani ai drejton një biznes zinxhir restorantesh në Kinë.
I riu mendjemprehtë është i mirë në kërkimin e mundësive të biznesit, për shkak të ndikimit të babait të tij. Madje, kur ishte në shkollë të mesme, ai fitoi para duke u shitur shokëve të klasës rroba të importuara nga babai i tij nga Kina. Mallrat e prodhuara në Kinë shpesh kanë cilësi të mirë dhe janë të arsyeshme për sa i përket çmimit, duke u pëlqyer goxha në Uzbekistan, tha Abdumalik.
foto nga VCG
Përveçse dëgjon nga babai i tij, i riu mëson edhe për Kinën nga nisma “Një brez, një rrugë”.
“Gjithnjë e më shumë kinezë kanë ardhur në Uzbekistan për shkak të thellimit të bashkëpunimit përmes kësaj nisme. ““Një brez, një rrugë” është jetike për zhvillimin e vendit tim”,- tha Abdumalik.
Uzbekistani, i cili ndodhet në Azinë Qendrore, ishte një nyje e rëndësishme për Rrugën e lashtë të Mëndafshit, duke tërhequr tregtarë ndërkombëtarë dhe vizitorë nga Azia dhe Evropa.
I inkurajuar nga babai i tij, i riu vendosi të studionte në Kinë në vitin 2017. Pas një viti studimi të gjuhës kineze në Universitetin Normal të Kinës Qendrore, ai u transferua në Universitetin Normal Hainan në provincën Hainan të Kinës jugore, me diplomë në ekonomi dhe tregti ndërkombëtare.
“Pak studentë ndërkombëtarë zgjedhin këtë drejtim, sepse është e vështirë për t'u mësuar. Shumica e tyre zgjedhin të mësojnë arsim ndërkombëtar, por mendoj se do të jetë e dobishme për biznesin tim”,- shpjegoi ai.
foto nga VCG
Në vitin 2020, Abdumalik dhe miku i tij turk u bashkuan me mikun e tyre kinez për të hapur një restorant të kuzhinës turke në Haikou, kryeqendra e provincës Hainan. Kafeja turke, ajo për të cilën ai shquhet, dhe bifteku janë specialitetet e restorantit të tyre dhe kanë fituar zemrat e konsumatorëve kinezë. Pas suksesit, ata këtë vit hapën një filial të ri të restorantit në qytet. Tani, tregtari i ri është mësuar me jetën e tij në një vend të huaj dhe zakonet e tij të të ngrënit ndikohen edhe nga ushqimi kinez.
“Para se të vija në Kinë, haja rrallë perime, kryesisht mish. Tani mendoj se edhe perimet janë të shijshme. Më pëlqen lakra e pjekur në skarë me qimnon. Është e mirë”,- tha Abdumalik.
Ai madje po inkurajon mikun e tij kinez që të hapë disa restorante me ushqim kinez në Uzbekistan.
Në qershor, Abdumalik u diplomua në Universitetin Normal Hainan, por ai shpreson të vazhdojë të punojë në Kinë pasi tani është thellësisht i dashuruar me Hainanin, ku mund të shkojë për peshkim ose sërf. Abdumalik madje mësoi edhe disa dialekte lokale.
foto nga VCG
“Klima në Hainan është mjaft e mirë dhe unë e dua detin. Nuk dua të largohem. Dua të jetoj këtu përgjithmonë”,- tha ai.
Në të ardhmen, ai planifikon të zgjerojë biznesin e tij të restoranteve në më shumë qytete kineze, ndërsa do të vazhdojë të japë kontribute në tregtinë e jashtme midis Kinës dhe Azisë Qendrore.
Kohët e fundit, i riu uzbek ka regjistruar një kompani të tregtisë së jashtme në Hainan, me shpresën që të prezantojë produkte më cilësore si nga Kina ashtu edhe nga vendet e Azisë Qendrore dhe të bëhet një urë ekonomike dhe tregtare për këto vende.