Zjarri trashëgimtar në kryeqytetin mijëvjeçar të porcelanit
2023-10-25 21:02:37

"Kur isha i vogël, më tërhiqnin shumë dy objekte porcelani të nënës: një filxhan kinez dhe një statujëz e një bukurosheje. Këto dy sende mamaja i mori me vete kur u largua nga vendlindja gjatë luftës," kujton Piotr Gadzinowski, komentator i gazetës polake "Tribune" gjatë intervistës së tij në qytetin Jingdezhen të Kinës Jugore, që është pagëzuar edhe si "kryeqyteti i porcelanit".

Gadzinowski ndihet shumë i lumtur që mundi të vizitojë këtë qytet të famshëm kinez, për të njohur zhvillimin e fundit të kultuës së porcelanit, që ka vijuar për mbi një mijë vjet.

"Në Poloni dhe në vende të tjera evropiane ka mjeshtri të ngjashme, por mjeshtëria tradicionale kineze e prodhimit të porcelanit ka nevojë për një proces shumë të gjatë e sistematik, me gjithsej 72 hallka, si përgatitja e formës, ngjyrosja, pjekja në furrë etj. Për secilën hallkë duhet mjeshtëri e lartë."

Xu Kewen është trashëgimtar i mjeshtrisë së prodhimit të porcelanit me dorë në Jingdezhen. Ai bëri të ditur se për porcelanin bardheblu, përdoret në radhë të parë oksidi i kobaltit si lëndë ngjyruese, që është krejt i zi në fillim, por pas pjekjes në temperaturën 1300 gradë, shndërrohet në ngjyrë blu. 

Sipas Xu-së, në të kaluarën, lënda ngjyruese përmbante përqindje të lartë hekuri, prandaj bluja pas pjekjes dukej e errët. "Ndërsa sot, e kemi përmirësuar pandërprerë formulën e pigmenteve, prandaj kemi ngjyra më të bukura tani," shtoi ai.

Pas provës nga afër për prodhimin e porcelanit, Gadzinowski foli me shumë ndjenja se këta zejtarë në Jingdezhen kanë trashëguar traditën e zejtarisë kineze dhe, falë tyre, kjo traditë është pasuruar, përtërirë dhe rigjallëruar. (Wang Lei/ Artan)