Sektori i prodhimit dhe përpunimit të qumështit vazhdon ankesat për rritjen e kostove
2023-10-25 15:16:01

Prodhimi i qumështit (Foto Monitor)

Prodhimi i qumështit (Foto Monitor)

Shoqata Industria e Përpunimit të Qumështit vazhdon të ngrejë shqetësimin për kostot e shtuara në këtë sektor çka bën që në finale konsumatori të mos blejë prodhimet “Made in Albania” por t’i drejtohet produkteve të bulmetit të importit. Në një intervistë për Tv Scan, Donjaldo Hoxha nga Shoqata Industria e Përpunimit të Qumështit flet për disa nga kostot e shtuara me të cilat po përballen konkretisht blegtorët, por edhe përpunuesit e qumështit në vend.

“Sektori i prodhimit dhe përpunimit të qumështit vazhdon të ketë sfida të cilat janë një pengesë për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre sektorëve, si për blegtorët ashtu dhe për fabrikat dhe njësitë e përpunimit të qumështit. Për fat të keq në Shqipëri janë disa elementë që e rëndojnë fermerin dhe bëjnë që kostot e operimit, pra kostoja për prodhimin e një litër qumësht janë shumë të larta, duke nisur nga kostot e shtuara që kanë për punimin e tokave, ku një pjesë e lëndës së parë që është ushqimi për kafshët vjen nga importi dhe çmimet janë shtuar jashtëzakonisht shumë. Kjo ka bërë që në mënyrë direkte dhe kostot e blegtorëve dhe fermerëve tanë të jenë shtuar. Për fat të keq edhe ata blegtorë dhe fermerë që kanë mundësi të përpunojnë apo punojnë tokat e tyre kanë problematika me ujitjen apo mekanizmin,  të cilat rëndojnë akoma më shumë kostot e prodhimit.”-tha Donjaldo Hoxha. 

Mungesa e specialistëve apo e punëtorëve të thjeshtë është problem i pashmangshëm. Kësaj i shtohet mungesa e subvencioneve në nivelin që pretendon Shoqata Industria e Përpunimit të Qumështit apo kostot nga energjia elektrike, nafta, gazi etj.

“Një fenomen që po ndihet është dhe problemi i fuqisë punëtore që e bën të vështirë që në kohën e duhur të përgatisin bazën e duhur ushqimore për kafshët e tyre. Kjo ka bërë që kostot e prodhimit të qumështit në vendin tonë të jenë shumë herë më të larta sesa ato në rajon. Normalisht një element tjetër, i cili pengon dhe disavantazhon dhe blegtorët dhe përpunuesit është dhe mungesa e subvencioneve në nivelin e duhur krahasuar me rajonin. Kjo bën që blegtorët të jenë në disavantazh me blegtorët e rajonit. Sektori i përpunimit ka sfidat e veta dhe nga elementët kryesorë që kanë ndikuar është çmimi i lëndës së parë të qumështit që blihet nga blegtorët. Kostot e shtuara nga energjia elektrike, nafta dhe gazi, por së fundmi kemi dhe problematika edhe me fuqinë punëtore dhe gjithashtu me kreditë dhe interesat e marrë që indeksohen në varësi të ndryshimeve që paraqesin Banka e Shqipërisë apo banka qendrore. Pra janë dy sektorët që kanë rëndesa në forma të ndryshme që të ketë disavantazh të produkteve shqiptare të produkteve dhe nënprodukteve të qumështit.”-tha Hoxha.

Donjaldo Hoxhak (linkedin)

Donjaldo Hoxhak (linkedin)

Zanafilla e kostove nis nga fermerët ku blihet qumështi nga pikat e grumbullimit dhe fabrikat përpunuese. Fermeri shqiptar është i detyruar  për shkak të kostove, ta shesë 1 litër qumësht më shtrenjt tek përpunuesit se sa fermerët e rajonit dhe  kjo bën që kompanitë  të dalin me çmim më të lartë tek konsumatorët.

“Kostot e shtuara në zinxhirin e prodhimit kalojnë automatikisht në të gjithë sektorin dhe kjo bën që vetë produkti final i kompanive shqiptare që vendosin në markete dhe supermarkete të jetë në disavantazh me produktet e rajonit apo të importit. Ne mund të marrim shembull konkret këtë vit, që ishin produktet e të imtave, djathi dhe nënproduktet e tjera që prodhohen nga delja apo dhia, ku ndryshimi i çmimit krahasuar me vitin e kaluar ishte gati dyfish. Kjo bëri që produktet finale, të cilat prodhoheshin nga qumështi i deles apo dhisë të kishte çmime më të larta sesa normalisht konsumatori i kishte hasur në rastet e marketeve dhe supermarketeve dhe rezultati ishte se në këtë sezon këto produkte patën rënie në sasinë totale të shitur në krahasim me një vit më parë. Pra ishte e detyrueshme që çmimet të ishin të azhurnuara me kosto të shtuara në veçanti të lëndës së parë të qumështit që blihej nga blegtorët dhe kjo bëri që produktet e tjera të kishin rënie si djathi apo nënproduktet e tjera të kishin rënie në raport me një vit apo dy vite më parë.”

Nënprodukte  të bulmetit(Bashkimi i Prodhuesve Shqiptare)

Nënprodukte  të bulmetit(Bashkimi i Prodhuesve Shqiptare)

Hoxha jep edhe shembuj konkretë. Nëse më parë çmimi ishte 110 lekë për litër qumështi, tani është 160 lekë pa tvsh për litër.

“Ta nisim nga kjo analizë që 50 lekë është 50 % më shumë sesa ka qenë kostoja e lëndës së parë një vit më parë. Është e rëndësishme të theksojmë se lënda e parë qumështi është elementi kryesor në koston e prodhimit të të gjitha produkteve të qumështit dhe nënprodukteve të tyre. Të rritet me 50% automatikisht kjo bën që çmimi final të paraqesë rritje të kostos. Nëse do të marrim një mesatare për një produkt të caktuar mund të duhen 6 apo 7 litra për ta prodhuar. Kjo shkon në 350 lekë vetëm për prodhim, pa folur për elementët e tjerë të cilët ndikojnë në produktin final. Kjo bën që të kesh një çmim jo vetëm më të lartë, por edhe më të lartë në krahasim me atë që konsumatori pret të ketë në market dhe në krahasim me atë që ai ka mundësi financiare për ta përballuar, për ta marrë dhe për ta konsumuar me familjen e tij. Ky ndryshimi i çmimit nuk solli vetëm rritjen e çmimit të lëndës së pare apo të  çmimit final, por vendosi në pozita të vështira gjithë ata prodhues në përballimin e situatës me produktet e importit dhe në përzgjedhjen që konsumatori final bën për produktet e tyre dhe për produktet e tjera zëvendësuese që vijnë nga importi.”

Shoqata Industria e Përpunimit të Qumështit kërkon vazhdimit ndërhyrjen e qeverisë për të parë me radhë kostot e shtuara dhe për të ndërhyrë në barrën e kostove në mënyrë që produktet e tyre mos të braktisen nga konsumatorët.