Zhvillimi me karbon të ulët, ngritja e nivelit të industrisë së prodhimit, transformimi industrial... Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore janë të lidhura nga miqësia tradicionale, por edhe nga vizioni e filozofia e zhvillimit.
Foto nga Global Times
Duke shfrytëzuar mundësinë e zhvillimit të automjeteve elektrike, Kina dhe Hungaria zhvillohen krah për krah
"Unë shpërndaj ushqim me biçikletë elektronike që pothuajse nuk prishet kurrë." Një dërgues hungarez ushqimesh i tregoi i lumtur gazetarit biçikletën elektronike të markës kineze që drejtonte. Ky është vetëm një mikrokozmos i forcave të reja energjetike të Kinës që përparojnë në Hungari.
Në mars të këtij viti, BE-ja shpalli ndalimin e shitjes së makinave të reja të udhëtarëve me karburant dhe të automjeteve të vogla komerciale që nga viti 2035. Kjo do të thotë se tregu evropian i automjeteve elektrike do të zgjerohet me shpejtësi në vitet e ardhshme. "Hungaria po bëhet një bastion i automjeteve elektrike globale," raportoi gazeta gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung", sipas së cilës gjithnjë e më shumë kompani kineze të automjeteve me energji të re po investojnë dhe po ndërtojnë uzina në Hungari.
Biotorbagy, rreth 20 minuta me makinë nga qendra e Budapestit, ka tërhequr vëmendjen e industrisë së automobilave për shkak të mbërritjes së kompanisë kineze të automjeteve elektrike inteligjente NIO, që ka ngritur këtu uzinën e vet të parë jashtë Kinës. Kjo uzinë do të bëhet qendër evropiane e teknologjisë së prodhimit e NIO-s për të prodhuar stacione të ndërrimit të baterive që ofrojnë shërbime të zëvendësimit të baterive për automjetet elektrike për tregun evropian.
Soregi Tibor, kreu i kësaj qendër, tha se uzina aktualisht ka 30 punonjës, nga të cilët 9 janë kinezë. Niveli i lartë i menaxhimit "të lokalizuar" pasqyron vendosmërinë e ndërmarrjeve kineze për t'u bazuar në "zonën vendore" dhe për t'i shërbyer "zonës vendore". Stafi në qendër u tha gjithashtu gazetarëve se disa përbërës kryesorë transportohen aktualisht drejtpërdrejt nga Kina, por për shkak të kostove të larta të transportit, uzina po kërkon në mënyrë aktive lokalizimin e zinxhirit të furnizimit dhe po përpiqet të gjejë furnizues vendorë. Kjo do të sjellë pa dyshim më shumë përfitime për bizneset e banorët vendës dhe do të promovojë zhvillimin e industrive përkatëse në Hungari.
Ardhja e kompanisë kineze të energjisë së re ka nxitur gjithashtu zhvillimin e tregut vendor të automjeteve me energji të re. Tibor tha se në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore, tregu i automjeteve elektrike i Hungarisë zë vend udhëheqës. Të dhënat tregojnë se në tremujorin e parë të këtij viti, pjesa e automjeteve elektrike në tregun e automjeteve të reja të Hungarisë u rrit nga 4.4 % në gati 6%, duke tejkaluar 2.4 % të Çekisë, 3.3 % të Polonisë dhe 1.8 % të Sllovakisë. Shumë marka kineze të automjeteve me energji të re janë të njohura në Hungari dhe kanë konkurrueshmëri të fortë në treg.
Një nga centralet më të mëdha të energjisë diellore në Evropën Qendrore dhe Lindore, centrali fotovoltaik i Kaposvarit me kapacitet 100 MW, që është ndërtuar nga Korporata e Importit dhe Eksportit të Makinerive e Kinës, ka filluar të prodhojë energji elektrike. Ai mund të prodhojë 130 milionë kilovatorë energji elektrike në vit, duke e ndihmuar Hungarinë të kursejë 45 000 tonë qymyr standard dhe të ulë me 120 000 tonë lëshimet e dioksidit të karbonit.
Një punonjës i centralit fotovoltaik të Kaposvarit tha se ky është një projekt i rëndësishëm në fushën e energjisë së pastër ndërmjet Kinës e Hungarisë. Vënia në funksionim e kësaj vepre ka dhënë kontribut të ri për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar ndërmjet të dy vendeve dhe miqësinë ndërmjet popujve të të dy vendeve. Pas fillimit të punës, është ngritur kapaciteti i përdorimit të energjisë së pastër të Hungarisë dhe madje edhe të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Foto nga Global Times
"Porta e re" e Mesdheut tregon të ardhmen e ndritur të bashkëpunimit Kinë-Greqi
Porti i Pireut ka qenë një port i rëndësishëm në Greqi që nga kohërat e lashta. Megjithatë, ky port dikur u përball me falimentimin për shkak të menaxhimit të dobët. Në vitin 2010, investitorët nga Kina filluan të marrin përsipër funksionimin e portit të Pireut dhe punuan shumë për të zgjeruar tregun me qëndrim pozitiv dhe të matur, duke i dhënë një jetë të re këtij porti mijëravjeçar dhe duke arritur një zhvillim të shpejtë.
Ndërsa Greqia i bashkohet nismës "Një brez, një rrugë", Kina dhe Greqia vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin në fushën e ndërlidhjes. Si pikënisje e linjës ekspres detare-tokësore Kinë-Evropë, portit të Pireut i është dhënë një mision i veçantë për të lidhur Evropën me Azinë.
"Si porti kryesor në Greqi, porti i Pireut është bërë tani një vend i rregullt ankorimi për anijet turistike, një bazë e rëndësishme për anijet e transportit të makinave dhe një qendër mirëmbajtjeje. Kapaciteti i tij i përpunimit të mallrave është rritur në mënyrë të qëndrueshme çdo vit," tha Evangelos Kyriazopoulos, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë greke të Transportit Detar dhe Politikave Ishullore.
Mbarë porti i Pireut ka një vijë bregdetare më shumë se 24 kilometra dhe sipërfaqe mbi 5 milionë metra katrorë. Pasi Grupi "COSCO Shipping" filloi ta vërë në funksionim, porti demonstroi shpejt potencialin e tij dhe u bë një qendër për turizmin, komunikacionin, transportin, tregtinë dhe logjistikën, që lidh pjesën kontinentale me ishujt grekë, e njëkohësisht luan gjithashtu rolin e qendrës tregtare tranzit për në vendet e Ballkanit dhe të Detit të Zi.
Të dhënat tregojnë se që nga viti 2021, porti i Pireut ka qenë ndër portet më të mëdha të kontejnerëve në rajonin e Mesdheut dhe një nga portet më të mëdha të shërbimit gjithëpërfshirës në Evropë.
Në vitin 2021, kontributi ekonomik i këtij porti për Greqinë përbënte afërsisht 0.76% të prodhimit të brendshëm bruto të vendit. Deri në vitin 2021, "COSCO Shipping" kishte krijuar më shumë se 3 000 vende pune lokale drejtpërdrejt dhe më shumë se 10 000 vende pune tërthorazi. Gati 43% e njerëzve në qytetet përreth portit punojnë në Pire.
"Investimi i 'COSCO Shipping' në port është një rast i suksesshëm i përfitimeve të përbashkëta të arritura nga Kina dhe Greqia," tha Evangelos Kyriazopoulos. Sipas tij, Kina dhe Greqia kanë marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi dhe transporti detar është një fushë kyçe e leverdisë reciproke të të dy palëve. Aktualisht, Greqia po punon me Kinën për të përmirësuar portin e Pireut. Për zhvillimin e ardhshëm ekonomik të Greqisë, bashkëpunimi me Kinën në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë" është shumë i rëndësishëm.
"Suksesi i portit të Pireut zbulon rëndësinë e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë, gjë që hedh themelet për të mësuar nga njëri-tjetri. Këto suksese mund të zgjerohen edhe në fusha të tjera të sektorit detar, dhe shpresojmë që më shumë ndërmarrje kineze të detarisë të investojnë në Greqi," tha Kyriazopoulos. (Çang Çuo)