Foto nga VCG
Ditët e fundit, në Detin e Kinës Jugore ndodhi prapë një “aksident”. Dy anije civile dhe dy anije të Rojës Bregdetare Filipinase u futën pa u autorizuar nga qeveria kineze në ujërat pranë gumës Ren Aijiao të ishujve Nansha të Kinës Jugore, duke u përplasur enkas me anijet e Rojës Bregdetare dhe anijet e peshkimit të Kinës. Por për këtë përplasje, Filipinet akuzuan që “Kina ka bërë qëllimisht provokim”. Departamenti amerikan i Shtetit publikoi shpejt një deklaratë, duke dënuar veprimet e Kinës dhe duke cituar Traktatin e Mbrojtjes së Përbashkët ShBA-Filipine.
Është e dukshme që ky “aksident” është planifikuar më parë dhe ShBA-ja e Filipinet janë bërë bashkë për të dhënë një shfaqje politike, thuhet në një koment të CMG-së. Se kush e ka fajin për këtë “aksident” mund të shohim videon e publikuar nga Roja Bregdetare Kineze, që tregon se anijet filipinase shpërfillin paralajmërimin nga pala kineze dhe në mënyrë të rrezikshme afrohen me anijet kineze, duke shkaktuar përplasje. Më pas, Roja Bregdetare Kineze mori masa për zbatimin e ligjit në mënyrë profesionale dhe gjakftohtë. Faktet tregohen qartë me video dhe foto.
Lidhur me sovranitetin e gumës Ren Aijiao, komuniteti ndërkombëtar prej kohësh ka arritur konsensus që ajo është pjesë e ishujve Nansha të Kinës dhe është territor i Kinës, në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e OKB-së. 24 vjet më parë, anija ushtarake filipinase është ngecur në këtë gumë, duke cenuar rëndë sovranitetin e Kinës. Për zgjidhjen e problemit, Kina, me durim dhe gjakftohtësi të jashtëzakonshme, me komunikim të ngushtë në nivele dhe kanale të ndryshme, u kërkoi Filipineve të mos dërgonin materiale ndërtimi për në këtë anije ushtarake dhe ta tërhiqnin sa më parë atë. Për një periudhë të gjatë kohe, Kina dhe Filipinet me koordinim të mirë e kontrolluan gjendjen në këtë zonë, duke arritur mirëkuptim.
Por sivjet, Filipinet kanë krijuar probleme të pandërprera në Detin e Kinës Jugore, duke hyrë në mënyrë të paligjshme në ishullin Huang Yan dhe ujërat rreth gumës Ren Aijiao. Krahas kësaj, Filipinet kanë përhapur qëllimisht lajme të rreme, duke u orvatur të keqdrejtojnë opinionin publik sikur Kina po ngacmon një vend të vogël në rajon.
Foto nga VCG
Për këto veprime të pazakonshme nga Filipinet, një studiues mbi Azinë Juglindore u shpreh për CMG-në që faktori kryesor që qëndron pas kësaj është ShBA-ja. Tani ShBA-ja po përshpejton “strategjinë e Indo-Paqësorit” për kufizimin e Kinës dhe vendet e Azisë Juglindore janë një pjesë e rëndësishme në këtë strategji. Kohët e fundit, zyrtarët e lartë amerikanë kanë bërë vizita të shpeshta në vendet e Azisë Juglindore, me synim që t'i detyrojnë ato të zgjedhin anë mes Kinës dhe ShBA-së. Ndërkohë, ShBA-ja e ka shfrytëzuar problemin e Detit të Kinës Jugore, për të provokuar marrëdhëniet e këtyre vendeve me Kinën dhe për të prishur paqen e qëndrueshmërinë në rajon.
Ndër vendet e ASEAN-it, marrëdhëniet mes Filipineve dhe ShBA-së janë shumë "të veçanta". Filipinet kanë qenë një koloni e ShBA-së, e cila ka ende një ndikim të rëndësishëm në politikat e jashtme dhe të sigurisë të Filipineve. Pasi qeveria e re filipinase mori detyrën në qershor 2022, ShBA-ja shtoi më shumë presionin dhe qëndrimi i Filipineve ndaj Uashingtonit është shumë i qartë.
Në Filipine, disa forca politike besojnë që, nëse kanë mosmarrëveshje me Kinën, ShBA-ja me siguri do t'i mbështesë ata. Kjo është gjithashtu arsyeja kryesore për problemet e shpeshta të shkaktuara nga Filipinet në Detin e Kinës Jugore. Megjithatë, siç vënë në dukje disa analistë, kjo është një ëndërr jo reale për Filipinet. Nga "momenti i Sajgonit" deri në tërheqjen e madhe në Afganistan, ShBA-ja ka dërguar një sinjal të qartë për të gjithë aleatët e saj: që ajo është krejtësisht e pabesueshme.
Foto nga VCG
Problemi i Ren Aijiao-s është një problem dypalësh mes Kinës dhe Filipineve. ShBA-ja nuk është palë në këtë problem dhe nuk ka të drejtë të bëjë komente e gjykime lidhur me të. Filipinet duhet të heqin dorë nga iluzioni i tyre i varësisë nga ShBA-ja, të ndalojnë provokimet në det, të tërheqin sa më parë anijen ushtarake të vendosur në mënyrë të paligjshme dhe të ruajnë së bashku me Kinën paqen dhe qëndrueshmërinë në Detin e Kinës Jugore, si edhe interesat e përbashkët të vendeve të rajonit. Kina nuk shkakton probleme, por nuk ka frikë prej tyre. Kina do të ruajë në mënyrë të vendosur sovranitetin dhe të drejtat e veta detare. Roli si dorë e të tjerëve është si hedhja e vetes në zjarr dhe, për këtë, Filipinet duhet të mos bëjnë gjykim të gabuar, mbyllet komenti i CMG-së. (Jiang Lei)