Endri Haxhiraj: Bashkë mund ta mbrojmë natyrën
2023-10-24 11:39:26

Instituti i Politikave të Mjedisit ka selinë e tij në Tiranë dhe një grup njerëzish punojnë për këtë institute, të cilët me përkushtim tejçojnë tek të tjerët mesazhe sensibilizuese. Endri Haxhiraj është drejtor i këtij instituti dhe për Radio Ejani ka treguar punën e përditshme me të rinjtë vullnetarë ose jo, të cilët kanë si qëllimin e tyre mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e klimës.

Endri Haxhiraj ( foto personale)

Endri Haxhiraj (foto personale)

CMG: Endri, prej sa vitesh merreni më këtë profesion dhe cilat janë pikat më të forta tuajat?

Endri Haxhiraj: Unë kam shumë vite që merrem me politikat e mjedisit, por jo vetëm. Pasioni dhe përgjegjësia që kam ndaj mjedisit ka nisur që në moshë të vogël kur nuk arrija t’i kuptoja politikat e mjedisit, por tek të tjerët binte në sy fakti që unë e doja mjedisin dhe e mbroja atë. Sa herë shihja diçka që nuk shkonte në ambientin ku banoja, përpiqesha ta rregulloja. Kisha një marëdhënie të ngushtë me mjedisin, e cila u përcoll deri në ditët e sotme dhe  mua më kanë veshur me më shumë përgjegjësi.

CMG: Cili është fokusi i institutit që drejtoni ?

Endri Haxhiraj: Në fokusin tone, por edhe të shumë organizatave të tjera është përmirësimi i  klimës në tërësi, pasi fenomene të  ndryshme janë duke ardhur si kërcënim dhe ne duhet të marrim masa të menjëhershme. Vihet re se të gjithë janë ndërgjegjësuar për të bërë diçka për mjedisin, klimën dhe përmirësimin e saj. Klima ka kaluar tashmë si kryefjalë e organizatave dhe politikave në tërësi. Trendi është pozitiv, shohim që edhe vendi ynë, si një vend i vogël, i është bashkuar vendeve të mëdha dhe punës së tyre globale për mjedisin.

CMG: Cili është projekti më i bukur që keni bërë?

Endri Haxhiraj ne institutin e politikave mjedisore( foto personale)

Endri Haxhiraj në institutin e politikave mjedisore( foto personale)

Endri Haxhiraj: Ka qenë fakti që tulipani shqiptar që mori statusin “Monument natyre”. Tulipani shqiptar rritet në një lëndinë të caktuar prej 35 ha në fshatin Surroj në bashkinë e Kukësit. Me shpalljen “Monument natyre”, kjo zonë merr këtë tipologji mbrojtjeje. Kjo specie e veçantë është në listën e kuqe ndërkombëtare, që janë speciet më të rrezikuara”.

“Tulipa albanica” është një lloj tulipani endemik që rritet vetëm në Republikën e Shqipërisë, në qarkun e Kukësit. Tulipani shqiptar ngjan me tulipanin e Sardenjës “Tulipa scardica” dhe me “Tulipa schrenkii”, por dallon nga to pasi ka gjethe me valëzim si dhe është i ndryshëm nga ana gjenetike. Zbuluesit e kësaj specie janë prof. as. dr. Lulëzim Shuka, pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, në bashkëpunim me prof. Kit Tan, pedagoge në Institutin e Biologjisë në Universitetin e Kopenhagenit,  në Danimarkë. Në botë deri tani njiheshin rreth 113 lloje tulipanësh, ndërsa tulipani i Kukësit renditet i 114.

CMG: A ka të rinj vullnetarë, të cilët kanë dëshirë të punojnë  në projektet tuaja?

Endri Haxhiraj: Po ka shumë të rinj vullnetarë, të cilët kanë dëshirën dhe qëllimin e mirë për të punuar dhe për të ofruar suportin e tyre. Megjithëse do të doja edhe më tepër të rinj që  janë të përfshirë në këto kauza, sepse është një qëllim që na mbledh të gjithëve bashkë. Lufta për një mjedis të shëndetshëm na afron të gjithëve.

CMG: Si e sheh mjedisin në perspektivë, çfarë do të ndodhë pas 5 apo 10 vitesh?

Foto:VCG

Foto:VCG

Endri Haxhiraj: Për mua është shumë e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për problemet që mjedisi ka dhe më pas të fillojmë duke i përmirësuar ato. Në këtë këndvështrim unë shoh që është duke u punuar shumë më shumë se vitet e kaluara dhe se në perspektivë Tirana dhe çdo qytet i Shqipërisë do të jenë një mjedis, klimë dhe natyrë më e mirë.

CMG: Çfarë mbetet shqetësuese për ju si ekspert në lidhje mjedisin global ?

Endri Haxhiraj: Unë jam shumë i lidhur me kafshët si natyrë, por edhe ne si organizatë në tërësi ndaj dhe kam arritur të kuptoj mirëfilli se çfarë duhet të bëhet me mbrojtjen e tyre. Është e rëndësishme që të hartohen me shumë plane strategjike në këtë aspect, pasi kafshët janë në rrezik edhe për faktorë të tjerë. Jo vetëm faktori njeri ndikon në keqësimin e klimës dhe biodiversitetit, por janë një sërë elementësh. Do doja një ndërgjegjësim më të madh. Le t’i mbrojmë kafshët pasi ne e kemi këtë gjë në dorë !

Intervistoi  Megi Latifi