Pekini kundërshton përkrahjen e ShBA-së ndaj Filipineve mbi incidentin në Detin e Kinës Jugore
2023-10-24 11:55:26

Foto nga MPJ

Ministria e Jashtme kineze kundërshtoi të hënën përpjekjet e ShBA-së për të miratuar veprimet e Filipineve gjatë një incidenti të fundit në Detin e Kinës Jugore. 

Dy anije civile dhe dy anije të Rojës Bregdetare Filipinase hynë në ujërat e Ren'ai Jiao në Nansha Qundao të Kinës të dielën pa lejen e Kinës.

Departamenti i Shtetit i ShBA-së publikoi një deklaratë të dielën, sipas së cilës Roja Bregdetare Kineze dhe milicia detare kryen "veprime të rrezikshme e të paligjshme, duke penguar një mision furnizimi të Filipineve në Gumën e Dytë 'Thomas'," që ndodhet "shumë brenda zonës së posaçme ekonomike të Filipineve dhe në shelfin kontinental të Filipineve." Në deklaratën e ShBA-së vihet në dukje gjithashtu që një vendim arbitrazhi i vitit 2016 mbi Detin e Kinës Jugore e bën të qartë se "nuk ekziston asnjë bazë ligjore për ndonjë të drejtë të Kinës mbi hapësirat detare në zonën e Gumës së Dytë 'Thomas'." 

Në përgjigje, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning vuri në dukje të hënën se deklarata e Departamentit amerikan të Shtetit shkon kundër frymës së të drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin Detar.

"Duke shpërfillur faktet, ajo bën sulme pa bazë kundër veprimeve të ligjshme të zbatimit të ligjit nga ana e Kinës për të mbrojtur të drejtat tona në Ren'ai Jiao në Nansha Qundao të Kinës," vuri në dukje Mao, duke shtuar që kjo është një përpjekje dashakeqe për të mbështetur aktet e shkeljes dhe provokimit të Filipineve.

Foto nga VCG

Mao e bëri të qartë se i ashtuquajturi "vendim arbitrazhi" për Detin e Kinës Jugore është i paligjshëm dhe i pavlefshëm. "Nuk ka kuptim që ShBA-ja të vazhdojë të përpiqet të krijojë një çështje nga ky vendim i paligjshëm," tha zëdhënësja. 

Ajo vuri gjithashtu në dukje se shkelja dhe provokimi i Filipineve në Ren'ai Jiao marrin zemër nga mashtrimet dhe mbështetja e Uashingtonit.

Që nga fillimi i vitit, Shtetet e Bashkuara i kanë përkrahur qartë veprimet e Filipineve për shkeljen e sovranitetit të Kinës dhe kanë nxitur e mbështetur përpjekjet e Manilës për riparimin dhe përforcimin e anijes së saj luftarake të "vendosur" me qëllim në Ren'ai Jiao, tha zëdhënësja kineze, duke shtuar se ShBA-ja madje dërgoi mbi aeroplanë ushtarakë dhe anije për të ndihmuar dhe mbështetur Filipinet,  duke u përpjekur në mënyrë të përsëritur të kërcënojë Kinën duke përmendur Traktatin e Mbrojtjes së Ndërsjellë ShBA-Filipine. 

Mao përsëriti se Ren'ai Jiao është një çështje dypalëshe midis Kinës e Filipineve dhe në të nuk ka vend për ShBA-në.