Sipërmarrjet prodhuese dhe mbrojtja e mjedisit
2023-10-24 16:32:34

Tryeza me Shoqatën e Prodhuesve Shqiptarë (Foto Scan TV)

Tryeza me Shoqatën e Prodhuesve Shqiptarë (Foto Scan TV)

Më 13 tetor Zëvendëskryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, zhvilluan një tryezë diskutimi me përfaqësues të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, lidhur me punën e përbashkët, për sqarimin e detyrimeve ligjore të ndërmarrjeve prodhuese shqiptare në mbrojtjen e mjedisit.

Ishte një tryezë e organizuar nga Zëvendëskryeministrja, në vijim të takimeve të ngjashme të mbajtura më herët, duke pasur në fokus kërkesat apo sugjerimet e shoqatave të biznesit për çështje të ndryshme.

Në përgjigje të kërkesave të përfaqësuesve të sipërmarrësve,Zëvendëskryeministrja Balluku e vuri theksin tek rëndësia e dialogut mes palëve, lehtësimi i mëtejshëm i procedurave, si dhe informimi i sipërmarrësve.

Zvkryeministrja Belinda Balluku (Foto MIA)

Zvkryeministrja Belinda Balluku (Foto MIA)

 “Këshillimi do të nevojitej, nësë subjekti nuk do të kishte informacion. Nëse ka mungesë informacioni, ne duhet ta shikojmë ndryshe dhe të fillojmë të sensibilizojmë biznesin. Nuk është diçka e çuditshme, sepse edhe ligjet që po aplikojmë dhe sensitiviteti mjedisor në Republikën e Shqipërisë, është i njëjtë me atë të Bashkimit Europian. Mbase jo të gjithë janë të informuar.

Këtë mund ta pranojmë dhe duhet të jetë një punë e përbashkët, që të fillojmë të investojmë në formimin e bizneseve, apo edhe të individëve që nisin një biznes, lidhur me detyrimet që kanë ata ndaj mjedisit apo ndaj ligjeve mjedisore. Ne jemi të ulur në tryezën e bisedimit. Po negociojmë Kapitullin e 27-të të Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit me BE-në, i cili prek të gjitha fushat. Nga infrastruktura, tek energjia, tek sipërmarrja, kudo.

Është një kapitull, në të cilin jemi të përfshirë të gjithë. Në rast se nuk ka informacion, duhet ta zgjidhim, duke e nisur nga ndërmarrjet që fillojnë punën tani dhe deri tek ndërmarrjet që kanë kohë që kontribuojnë në ekonominë shqiptare. Une mendoj se ne duhet të punojmë për informimin e sipërmarrjeve dhe individëve që kryejnë aktivitet në territorin e Republikës së Shqipërisë, se cilat janë detyrimet e tyre në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Derregullimi është një kërkesë  e Kryeministrit Rama, sikurse po bëjmë punë për shkurtimin e afateve të aplikimeve tuaja, të cilat, vërtet, për arësye burokratike, për arësye se mjedisi ka qenë një fushë e re, kanë qenë të tejzgjatura”, u shpreh Balluku

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro (Foto Euronews Albania)

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro (Foto Euronews Albania)

Ndërkohë, ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro evidentoi nevojën e thjeshtimit të legjislacionit mjedisor për bizneset. Ajo theksoi se tashmë në proces konsultimi publik është nisma ligjore që redukton nga 20 në 5 numrin e proceseve që biznesi duhet të kalojë, për të marrë lejet mjedisore për aktivitetin që ushtron, si dhe redukton në 22 ditë afatin e shqyrtimit të tyre. Kjo tryezë ishte pjesë e një serie diskutimesh të hapura, që qeveria ka ndërmarrë me prodhuesit shqiptarë.

Fatos Çoçoli