Muzeu i Forcave te Armatosura- Foto TimeOutTirana
Tirana është një nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë, e njohur për pasurinë e saj kulturore dhe historike. Në këtë hapësirë të kryeqytetit shqiptar gjenden disa muzeume të rëndësishëm që përmbajnë pasuri të çmuara të historisë dhe kulturës së vendit, ku historia dhe kultura shpalosen para mijëra turistëve që e vizitojnë atë. Këta mbeten gjithmonë një alternativë shumë interesante për t’u vizituar nga afër.
Muzeu Historik Kombëtar është një nga institucionet më të njohura të kulturës në Tirana. Ky muze është një ndërtesë e veçantë me arkitekturë tërheqëse dhe shërben si një vend ku mund të eksploroni historinë dhe trashëgiminë e Shqipërisë. Brenda këtij muzeu, vizitorët mund të zbulojnë ekspozita të ndryshme që trajtojnë periudhat e ndryshme historike të vendit dhe figurat e shquara të historisë shqiptare. Muzeu Historik është më i madhi në vend për nga trashëgimia historike. Ai përmban rreth 5 mijë objekte të ndara në pesë pavijone. Një vizitë në këtë muze, mbetet nga ato shëtitjet e rralla që të falin plot emocion.
Galeria Kombetare e Arteve - foto GA
Galeria e Arteve në Tiranë është një destinacion tjetër i rëndësishëm kulturor në Tirana. Ndonëse e ka ndërprerë përkohësisht funksionin për shkak të rinovimit tërësor, ky muze i artit përfshin një koleksion të pasur të veprave të artit shqiptar dhe botëror, duke prezantuar pikturat, skulpturat dhe artefaktet e tjera të vlerësuara, në pritje të vizitorëve artdashës. Në këtë muze, vizitorët mund të zbulojnë talentin e artistëve shqiptarë dhe të huaj dhe të njihen me krijimtarinë e tyre.
Muzeu Arkeologjik i Tiranes-Foto Instituti i Edukimit, Trashegimise dhe Turizmit
Muzeu Arkeologjik
Muzeu Arkeologjik Kombëtar në Tiranë është qendra ku pasqyrohet pjesa më e madhe e pasurisë arkeologjike në vend. Muzeu numëron rreth 18 mijë objekte të cilat i takojnë periudhave të ndryshme historike, ndërkohë që në tri pavijonet e tij janë ekspozuar mbi 2000 objekte ku përfshihen skulptura dhe deri tek objekte të imta, të cilat i takojnë epokës së gurit deri në pushtimin turk.
Muzeu u Armëve ose Muzeu i Forcave të Armatosura ndodhet vetëm 7 km larg Tiranës. Armatime historike, e pajisje të rralla, që datojnë që nga koha e Skënderbeut e deri në ditët e sotme, do t’ju kthejnë pas në kohë për të përjetuar nostalgji dhe ndjenjë krenarie, ndërsa vizitoni këtë muze. Ky është një muze tipologjik që pasqyron ngjarjet më të rëndësishme ushtarake, si edhe shpreh identitetin dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Muzeu është konceptuar në tre pavione ku janë të ekspozuar 3600 objekte me vlera muzeale. Nëse doni të vizitoni muzeun ju nevojitet thjesht një kartë identiteti, ndërsa për turistët e huaj, duhet të çojnë një email në adresën zyrtare të paktën 7-10 ditë para.
Muzeu i Shkencave të Natyrës pozicionohet vetëm pak kilometra nga qendra e Tiranës, i vetmi në llojin e tij në Shqipëri, i cili ofron një rrugëtim të mahnitshëm në zbulimin e natyrës dhe të gjallesave. I themeluar në vitin 1948, si pjesë e Institutit të Shkencave, muzeu është një pasuri e trashëgimisë natyrore dhe një vend interesant për ata që janë të pasionuar për shkencën dhe natyrën. Ky muze ofron një koleksion të pasur të specieve të ndryshme të faunës dhe florës së Shqipërisë. I ndarë në shtatë pavione, ju mund të njiheni nga afër me larmishmërinë e botës bimore dhe shtazore. Në saj të studimeve, ekspeditave, dhe koleksioneve të mbledhura, ky muze sot ka një fond prej 100 mijë lloje vendase, nga ku 3 mijë janë të ekspozuara. Pak kohë më parë ky muze ka marrë dhe emrin e Sabiha Kasimatit, e cila ishte dhe ideuesja e tij.
Bunkart - foto Forumi per Mbrojtjen e Trashegimise Kulturore
Bunk’art 1 dhe Bunk’art2 janë dy prej këtyre ish-bunkerëve që janë konvertuar në muze të historisë dhe artit. Bunk’art është më i madhi nga të dy dhe ndodhet në periferi të qytetit, ndërsa Bunk’art2 është më i vogël por ndodhet në qendër dhe lehtësisht i arritshëm për ata që kanë më pak kohë për të udhëtuar.
Ky muze ju dërgon në një udhëtim nëpër tunelet sekrete të nëndheshme të bunkerit dhe ju tregon historinë e dhimbshme të vendit nëpërmjet tregimeve, objekteve dhe fotove. Qëllimi i tij nuk është vetëm për të tërhequr turistë, por gjithashtu për të ndihmuar shqiptarët të pajtohen me të kaluarën e tyre dhe të lëvizin drejt të ardhmes.
Ky bunker, i ndërtuar në zemër të Tiranës, u hap për publikun në vitin 2016. E ndërtuar në vitet '80, është një strukturë me më shumë se 20 dhoma, një apartament për ministrin dhe një ambient për shërbime të tjera. Ai ishte bunker anti-bërthamor i Ministrisë së Brendshme. Sot shërben si objekt për të ruajtur kujtesën kolektive.
Muzeu i Bankes se Shqiperise- foto Visit Tirana
Muzeu i Bankës së Shqipërisë është një tjetër muze interesant në kryeqytet. I vendosur brenda ndërtesës simbol të sheshit kryesor të kryeqytetit, selisë së bankës qendrore, Muzeu i Bankës së Shqipërisë u inaugurua më 2015.
Muzeu shtrihet në dy kate, ku secili prej tyre është konceptuar si një hapësirë e pavarur nga tjetri. Në një trajektore ekspozitash në muze prezantohet koleksioni i pasur numizmatik i Bankës së Shqipërisë nga lashtësia deri në ditët e sotme si dhe historia e institucionit të bankës qendrore në Shqipëri. Muzeu i Bankës së Shqipërisë përfaqëson edhe një destinacion të ri turistik në zemër të Tiranës si dhe një qendër të përhershme informacioni ku publiku i gjerë mund të mësojë më shumë mbi të gjitha aspektet e parasë dhe të ekonomisë, si dhe të kuptojë më mirë funksionin e Bankës Qendrore.
Për të hyrë në Muzeun e Bankës së Shqipërisë, duhet të prenotoni vizitën tuaj dhe të jeni të pajisur me një dokument identifikimi.
Neritana Kraja