Fjalët kyçe të Festës së Nëntës së Dyfishtë të Kinës
2023-10-23 22:10:55

foto CFP

Në Kinë, Festa e Nëntës së Dyfishtë, ose Festa “Chongyang” në gjuhën kineze, bie çdo vit në një ditë ndërmjet 1 dhe 30 tetorit sipas kalendarit ndërkombëtar dhe në ditën e nëntë të muajit të nëntë sipas kalendarit bujqësor kinez. Sivjet ajo kremtohet më 23 tetor. Kjo festë tradicionale kineze fokusohet te shëndeti e jetëgjatësia dhe gjatë saj organizohen aktiviteteve të ndryshme.

 “Chongyang” është një ndër katër festat tradicionale për të nderuar paraardhësit, ndërsa tre të tjerat janë Dita e Shndritjes së Dëlirë (Festa “Qingming”), Festa e Fantazmës (Festa “Zhongyuan”) dhe Vigjilja e Vitit të Ri Kinez. 

“Chongyang” njihet sot si Festa e të Moshuarve e Kinës, por historikisht ajo është quajtur edhe si Festa e Përkujtimit të Paraardhësve, Festa e Sheshit të Tharjes së Drithërave, Festa e Ngjitjes në Mal, Festa e Thanës, Festa e Lulevjeshtës etj. Çdo emër përfaqëson doket e zakonet e pasura të kësaj feste kuptimplotë, që kremtohet nga njerëz të moshave të ndryshme.

Nënta

Nënta është një numër shumë i rëndësishëm në kulturën kineze, sepse është më i madhi i numrave tekë njëshifrorë, ose i numrave yang sipas kulturës tradicionale kineze. Dita e nëntë e muajit të nëntë sipas kalendarit bujqësor kinez do të thotë “nëntë e dyfishtë”, që në gjuhën kineze quhet “Chongyang”.

Nga ana tjetër, “nënta” në gjuhën kineze ka të njëjtin shqiptim me “i gjatë”, prandaj “nënta e dyfishtë” nënkupton jetëgjatësinë.

foto nga CFP

Thana, që është e njohur në mjekësinë tradicionale kineze, gjendet gjerësisht në Veriun dhe Jugun e Kinë/ foto nga CFP

Bimët

Në kuadrin e Festës së Nëntës së Dyfishtë, dy bimë janë të pashmangshme: thana dhe lulevjeshta.

Thana, që është e njohur në mjekësinë tradicionale kineze, gjendet gjerësisht në Veriun dhe Jugun e Kinës. Kinezët në kohën e lashtë besonin se marrja me vete e thanës në kuadrin e Festës së Nëntës të Dyfishtë mund të parandalonte sëmundjet dhe të shmangte fatkeqësitë.

Besohet se lulevjeshta mund të ulë temperaturën e brendshme dhe të largojë fatkeqësitë. Rakia e bërë prej saj ka si funksion heqjen e të këqijave dhe forcimin e imunitetit kundër motit të ftohtë.

foto CGTN

Të moshuarit

Megjithëse Festa e Nëntës të Dyfishtë u përcaktua si një ritual për t'u bërë blatim perëndive dhe paraardhësve për të bekuar korrjet gjatë Periudhës së Shteteve Ndërluftuese (206 para erës sonë – 220 i erës sonë), sot kësaj feste i jepen më shumë kuptime.

Në vitin 1989, qeveria kineze e vendosi atë si një ditë për të treguar respekt ndaj të moshuarve, duke kërkuar që njerëzit të kujdesen, të duan dhe të ndihmojnë të moshuarit.

Ajo është gjithashtu një rast për të shprehur respekt ndaj paraardhësve. Këtë ditë kinezët zakonisht pastrojnë varret e paraardhësve dhe vizitojnë anëtarët e moshuar në familje.

Zhao Huaxia, një gazetar që ka treguar vëmendje për çështjen e të moshuarve në Kinë, është i mendimit se fuqia e kulturës tradicionale nuk duhet shpërfillur, sepse ajo na ndihmon të kuptojmë vlerën shoqërore të të moshuarve dhe të përballemi me sfidat e një shoqërie të plakur. Atmosfera dhe ndikimet kulturore të Festës së Nëntës të Dyfishtë mund të nxitin respektin e devotshmërinë e njerëzve për të moshuarit dhe të ndihmojnë që të krijohet një shoqëri miqësore ndaj të moshuarve.

foto nga CFP

Vizitorët u ngjitën në malin Shizi në Nankin të Kinës Lindore, më 23 tetor 2023/ foto nga CFP

Ngjitja në mal

Zakoni i ngjitjes në Festën e Nëntës të Dyfishtë ka një histori të gjatë. Kinezët e lashtë frikësoheshin nga mali, por edhe e adhuronin. Zakoni i ngjitjes në mal për lutje mund të datojë që gjatë Periudhës së Pranverës dhe Vjeshtës (771- 476 para erës sonë).

Në të njëjtën kohë, shoqëritë e lashta besonin gjithashtu se ngjitja në mal mund të shmangte sëmundjet dhe ngjitja e gjithë familjes në mal sa më lart të ishte e mundur mund të ruante shëndetin dhe sigurinë.

Sot kjo ditë është një rast i mirë për shijimin e panoramave të bukura bashkë me miqtë dhe të afërmit.

Vjersha

Poetët e dijetarët e lashtë kinezë kanë lënë shumë vjersha për këtë festë si dhe gjithçka lidhur me të, përfshirë lulevjeshtën, ngjitjen, ribashkimin me anëtarët e familjes, e sigurisht edhe mallin e madh për anëtarët e familjes që janë larg.

Kujtoj vëllezërit e mi në Shangdong në Ditën e Nëntës së Dyfishtë

Nga Wang Wei i dinastisë Tang (618-907)

I vetëm në një vend të huaj,

Më zë dyfish malli për shtëpinë në këtë ditë.

Kur vëllezërit ngjiten në mal,

Çdonjëri prej tyre mban një degë thane - por imja mungon.


Vizitë te një mik i vjetër

Nga Meng Haoran i dinastisë Tang (618-907)

Miku im gatoi pulë me oriz,

Më ftoi ta vizitoj fshatin e tij.

Pemët jeshile rrethojnë fshatin e bukur,

Malet e gjelbra gjenden jashtë mureve të qytetit.

Dritaret shikojnë nga fusha,

Duke pirë verë, bisedojmë për drithërat.

Në Ditën e ardhshme të Nëntës së Dyfishtë,

Do të vij përsëri për lulevjeshtat.