karakteri kinez "çaji", duke simbolizuar çaji, është shikuar e shkarravitur në shtresën e sipërme të çajit në një filxhan në Zhengzhou, të provincës Henan të Kinës Qendrore, 22 qershor të vitit 2022/Xinhua
Biroli, një udhërrëfyes turistik i gjuhës kineze në Stamboll të Turqisë, e konsideron çajin e zi si një pjesë të pandarë të rutinës së tij të përditshme. Dhe ai nuk është i vetëm. Në një familje tipike turke, përgatitja e një filxhani çaji të zi me një çajnik të veçantë të njohur si "çaydanlık", është një aspekt i spikatur i jetës së përditshme.
Çaji i zi është i pranishëm vazhdimisht nga mëngjesi në mbrëmje dhe një pije e zakonshme për të mirëpritur mysafirët dhe për të organizuar festa, thotë Biroli.
Në Turqi, çaji ka një histori të pasur prej mbi 2 shekujsh dhe është bërë një element kyç të kulturës vendore, i ngulitur thellësisht në jetën e përditshme të popullit turk. Sot, ky vend është një ndër konsumatorët kryesorë të çajit në botë.
Sot rëndësia e çajit është forcuar më tej prej pjesëmarrjes së Turqisë në nismën "Një brez, një rrugë". Historikisht e njohur për traditat e forta të pirjes së çajit, Turqia ka dëshmuar hapjen e dyerve prej nismës "Një brez, një rrugë" për të shtuar shkëmbimet tregtare dhe kulturore.
Përveç Turqisë, qysh nga koha kur Kina propozoi "Një brez, një rrugë" në vitin 2013, kjo nismë ka luajtur një rol kyç në mobilizimin e burimeve, forcimin e lidhjeve mes vendeve dhe çlirimin e potencialeve të rritjes.
Në dekadat e kaluara, ka pasur rritje të vazhdueshme të tregtisë dhe investimeve. Nga viti 2013 deri në vitin 2022, vlera e përgjithshme e importeve dhe eksporteve mes Kinës dhe vendeve të nismës "Një brez, një rrugë" arriti në 19.1 miliardë dollarë, duke ruajtur një përqindje të rritjes vjetore mesatare prej 6.4 %, sipas një libri të bardhë të publikuar nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës më 10 tetor.
Deri në fund të gushtit të vitit 2023, mbi 80 vende dhe organizata ndërkombëtare kanë marrë pjesë në Nismën për Promovimin e Bashkëpunimit të Papenguar Tregtar përgjatë "Një brez, një rrugë" të paraqitur prej Kinës. Gjithashtu, Kina ka nënshkruar edhe 21 marrëveshje të tregtisë së lirë me 28 vende dhe rajone, duke promovuar më tej bashkëpunimin ekonomik dhe lidhjet tregtare brenda kornizës së "Një brez, një rrugë".
Lulëzimi i tregut global të çajit
Eksportet e çajit të Kinës dëshmuan rritje të qëndrueshme në vitin 2022, me një vëllim të përgjithshëm 375 300 tonë, 1.59 % më shumë në krahasim me vitin 2021, sipas të dhënave statistikore nga Administrata e Përgjithshme e Doganave.
Ndër to, vëllimi i çajit jeshil të eksportuar arriti në 313 900 tonë, duke zënë 83.6 % të sasisë së përgjithshme të çajit kinez të eksportuar. Në të njëjtën kohë, eksportet e çajit të zi dhe çajit oolong zunë përkatësisht 8.9% dhe 5.2%.
Vjelësit mbledhin gjethe të freskëta çaji në një plantacion çaji afër Nairobit, qendrë të Kenias, 4 maj të vitit 2023/Xinhua
Edhe vendet që marrin pjesë në nismën "Një brez, një rrugë" kanë parë një rritje në eksportet e tyre të çajit. Kenia, për shembull, eksportoi 1.4 milionë kilogramë çaj në Kinë në vitin 2022, sipas të dhënave nga Komiteti i Industrisë i Çajit i Shoqatës për Promovimin e Bashkëpunimit Bujqësor Ndërkombëtar të Kinës.
Si një prodhuese e madhe çaji, Kenia prodhon mbi 450 milion kilogramë çaj çdo vit. Industria e çajit zë afro 23% të të ardhurave valutore të Kenias, sipas Drejtorisë së Çajit të këtij vendi. Ky sektor punëson 5 milionë veta në Kenia, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, në një vend me një popullsi prej 53 milionësh.
Këtë vit, Kenia parashikon një rritje të mëtejshme në vëllimin e eksportit të çajit të saj për shkak të rritjes së dërgesës së çajit ortodoks dhe çajit të zi kenian në Kinë, sipas Autoritetit të Bujqësisë dhe të Ushqimeve të Kenias.
Përveç çajit, tregtia mes të dy vendeve është rritur edhe në fusha të tjera, falë hekurudhës Mombasa-Najrobi që nisi funksionimin në vitin 2017, një fryt i hershëm i nismës "Një brez, një rrugë". Kjo hekurudhë ka lehtësuar lëvizjen e mallrave të importuara brenda vendit, duke përmirësuar logjistikën e zinxhirët e furnizimit dhe duke ofruar një mjet të shpejtë, efikas dhe me kosto efektive për transportin e mallrave në shumicë.
Në 8 muajt e parë të vitit 2023, tregtia e produkteve ushqimore e Kinës, duke përfshirë çajin, me vendet e nismës "Një brez, një rrugë", arriti në 553.82 miliardë juanë (76.10 miliardë dollarë), një rritje përkatësisht prej 10.4 % dhe 162 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar e me vitin 2013, sipas të dhënave statistikore zyrtare.
Në vitin 2022, tregtia e produkteve ushqimore e Kinës me vendet e nismës "Një brez, një rrugë" arriti në 786.31 miliardë juanë, duke u rritur me 135.3% në krahasim me vitin 2013, sipas Administratës së Përgjithshme të Doganave.
Deri në qershor të vitit 2022, Kina kishte nënshkruar mbi 200 marrëveshje bashkëpunimi për nismën "Një brez, një rrugë" me 152 vende dhe 32 organizata ndërkombëtare, duke zgjeruar larminë dhe shkallën e tregtisë ushqimore.
Një seksion i restauruar i rrugës së lashtë të Kuajve dhe të Çajit. Daxiangling në qarkun Yingjing, provinca Sichuan e Kinës jugperëndimore, 25 mai 2023/Xinhua
Rrugët historike të çajit promovojnë përhapjen e kulturës së çajit
Në histori, kultura kineze e çajit ka qenë e lidhur ngushtë me ekspeditat tregtare përgjatë rrugëve historike, si Rruga e Kuajve dhe e Çajit. Kjo rrugë fillon në provincat e Kinës Jugperëndimore të Sichuan-it dhe Yunnan-it, kalon përgjatë rrëzës lindore të maleve Hengduan, një qendër e prodhimit të çajit në Kinë, para se të arrijë në Indi, e cila ndodhet në jug të Himalajave.
Një tjetër rrugë historike, rruga e lashtë e çajit, e kishte origjinën në vargmalet Wuyi në provincën Fujian të Kinës Juglindore dhe shtrihej për afro 13 000 kilometra. Ajo përfshinte një rrjet rrugëve tregtie e karvanesh që përshkonte Kinën dhe arrinte në Evropë, duke luajtur një rol kyç në përhapjen e çajit kinez në toka të huaja.
Kjo rrugë e lashtë çaji ishte një rrugë tregtare kyçe që ndërthurte transportin ujor dhe tokësor për të lehtësuar tregtinë e çajit, duke plotësuar kërkesat e grupeve të ndryshme etnike në Kinën Veriperëndimore, Rusi dhe Evropë, sipas Huang Baiquan-it, profesor në Shkollën e Historisë dhe Kulturës të Universitetit të Hubei-t.
Kjo rrugë tregtare shtrihet në rajonet me klima e peizazhe të ndryshme, duke shërbyer si një platformë për bashkëjetesën harmonike të aktiviteteve të ndryshme ekonomike dhe plotësimin e nevojave të jetesës të banorëve përgjatë rrugës, theksoi Huang.
Rruga tregtare historike përputhet shumë me rrugën veriore të Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit të Kinës dhe është një pjesë e rëndësishme e nismës "Një brez, një rrugë". Ajo ka nxitur diversitetin ekonomik e shkëmbimet shumëdimensionale të ideve e njohurive mes Kinës Jugore dhe Veriore, Rusisë dhe Evropës.
Gjatë procesit të kultivimit dhe përpunimit, të transportit, të tregtisë dhe të konsumit të çajit, njerëzit nga kombësi të ndryshme dhe vendet përgjatë rrugës së lashtë të çajit kanë krijuar dhe çuar përpara një kulturë të gjallë dhe të larmishme të çajit, shtoi Huang. (Xu Guang)