Futbollist shqiptar Endi Rahmani prej dy vitesh jeton në SHBA, ku përveç angazhimit sportiv vazhdon studimet në një prej kolegjeve amerikane në degën e administrim-biznesit. Para se të largohej për në SHBA, Endi ka luajtur futboll me ekipet shqiptare, ku së fundi dhe me ekipin e parë të Partizanit.
Endi Rahmani (Foto personale)
Endi Rahmani gjate nje ndeshje (Foto personale)
Endi Rahmani, futbollisti shqiptar me arritje në SHBA
Endi Rahmani është një futbollist shqiptar, i cili ka luajtur me disa ekipe në Shqipëri, dhe prej dy vitesh jeton dhe studion në SHBA. Pasioni për futbollin që në moshë të vogël ka bërë që Endi mos të shkëputet nga të luajturit në fushë dhe njëkohësisht të ndjekë studimet për administrim-biznes në një prej kolegjeve amerikane. Në një intervistë për Radio Ejani Endi Rahmani tregon për eksperiencën e tij futbollistike si dhe jetën larg vendlindjes.
CMG: Kur ka nisur pasioni për futbollin?
Endi Rahmani: Unë e kam filluar futbollin që në moshën 7 vjeçare, kur kam luajtur me klubin e Dinamos, me trajnerët Sulejman Demollari ose Arben Milori, që kanë qenë legjendat e ekipit të Dinamos. Që atëhere kam luajtur futboll pothuajse çdo ditë.
CMG: Cilat kanë qenë skuadrat shqiptare ku jeni aktivizuar si futbollist?
Endi Rahmani: Unë u bëra pjesë e Akademisë së Partizanit në moshën 17-18 vjeçare. Gjithashtu pata mundësinë të jem pjesë e ekipit të parë të Partizanit, në fazën përgatitore që ata shkuan në Antalia. Gjithashtu kam qenë pjesë e kombëtareve të moshave me trajner Nevil Deden.
CMG: Cili ka qenë momenti më i bukur gjatë periudhës kur keni luajtur në Shqipëri?
Endi Rahmani: Një nga momentet më të bukur që kam pasur ishte kur debutova me ekipin e parë të Partizanit në fazën përgatitore, ku luajtëm një ndeshje kundër Trabzonspor, një skuadër që kishte lojtarë të famshëm.
CMG: Tani që jetoni larg atdheut tuaj e ndiqni rregullisht kampionatin shqiptar të futbollit?
Endi Rahmani me studente te kolegjit ku studion ne SHBA (Foto personale)
Endi Rahmani: Unë vazhdoj të jem një fans i madh i ekipit të Patizanit dhe përpiqem t’i ndjek ato në çdo ndeshje. Gjithë familja ime jemi fansa të ekipit të Partizanit dhe më vjen shumë mirë që këto dy vitet e fundit që unë e kam ndjekur Partizanin ka shkuar shumë mirë në kampionatin shqiptar dhe në kupat e Europës.
CMG: Sa kohë keni që jetoni në SHBA dhe arsyeja e largimit tuaj nga Shqipëria?
Endi Rahmani: Unë jam në vitin e dytë në SHBA dhe tani jetoj në Willson, në Karolinën e Veriut, që është një nga shtetet në jug të SHBA-së. Ideja ime e parë që vendosa të vij në SHBA ishte sepse kur isha pjesë e ekipit të Partizanit pësova një dëmtim në gju dhe pas asaj mendova që futbolli është një karrierë që zgjat 10 deri në 15 vjet, ku pastaj të duhet të nisësh diçka të re. Kështu që doja të kisha një edukim në një universitet të mirë. Kjo ishte aryeja e parë që erdha në SHBA, sepse ky vend të jep mundësinë që të ndjekësh pasionin tënd për të luajtur futboll, por në të njëjtën kohë të marrësh një diplomë në një nga kolegjet më të mira amerikane.
CMG: Aktualisht për çfarë dege studioni në SHBA?
Endi Rahmani: Unë bëj një program që quhet tre plus dy, është një program për degën e administrimit të biznesit ku ti merr bachelorin në administrim biznes, por merr dhe një master në administrim biznes për pesë vjet.
CMG: Ka qenë e vështirë për tu ambjentuar në fillim me jetën në SHBA?
Endi Rahmani ne nje ndeshje futbolli (Foto personale)
Endi Rahmani: Nuk ishte fare e vështirë dhe pse unë erdha me shumë frikë këtu, sepse nuk kisha komunikuar ndonjëherë në anglisht para se të vija në SHBA dhe mendova se ambjentimi do ishte shumë i vështirë, por që nga dita e parë njerëzit këtu janë shumë krahëhapur për të na mirëpritur dhe ekipi që unë u bashkova kishte shumë studentë të huaj si unë. Ekipi që jam unë ka lojtarë nga çdo vend i botës si Australia, Norvegjia, Danimarka, Zelanda e Re dhe nuk ishte e vështirë sepse kishte studentë si unë që po kalonin të njëjtën kohë.
CMG: Cila është skuadra që luani aktualisht?
Endi Rahmani: Skuadra që unë luaj quhet Barton College. Këtu në SHBA është një sistem tjetër ndryshe nga vendet e Europës. Në SHBA ideja është që lojtarët e futbollit, basketbollit ose çdo sporti shkojnë nëpër kolegje dhe u japin bursa sportive për atë që luajnë futboll ose basketboll për ekipin e shkollës. Unë për momentin po luaj për Barton College, ku në të njëjtën kohë po luaj futboll për ekipin e shkollës dhe jam me bursë studimi në degën e administrim biznesit.
CMG: Si kanë qenë rezultatet e deritanishme me ekipin ku ju luani?
Endi Rahmani: Për momentin ne jemi në vendin e katërt, ku kemi luajtur gjashtë ndeshje pa humbje, katër fitore dhe dy barazime, që është një rezultat shumë i mirë për ne. Në konferencën tonë që quhet “Conference Caroline”, që është një nga konferencat më të forta në SHBA ekipi ynë vitin e fundit ka bërë një investim shumë të madh për të sjellë lojtarë të niveleve të larta. Ne kemi rekrutuar shtatë lojtarë nga Anglia, që vijnë nga akademitë e mëdhaja të Anglisë.
CMG: Mendoni se keni bërë zgjedhjen e duhur për të studiuar dhe luajtur futboll në SHBA?
Endi Rahmani: Para se të vija këtu nuk e mendoja kurrë që të bëja një transferim në SHBA, sepse doja të luaja në Europë dhe të vazhdoja karrierën time si futbollist. Unë kam një mikun tim Sokol Ymeraj, që gjithashtu luan në SHBA me universitetin e Nebraskës dhe në Shqipëri ka qenë pjesë e ekipit të Flamurtarit në Superligë. Ai më sugjeroi që SHBA-ja është vendi më i mirë për të luajtur futboll dhe për të marrë një edukim. Kur erdha këtu dhe tani që jam në vitin e dytë mendoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë në jetë. Është një mundësi shumë e madhe për t’u rritur si person në pjesën akademike dhe sportive në të njëjtën kohë.
CMG: Keni qenë në Shqipëri këtë periudhë dhe për çfarë të merr malli më shumë për vendlindjen?
Futbollisti Endi Rahmani (Foto personale)
Endi Rahmani: Shqipërinë e vizitova për dy javë gjatë kësaj vere. Nuk është se kam shumë kohë për të ardhë në Shqipëri sepse jam në shkollë dhe sport në të njëjtën kohë. Unë gjatë kësaj vere isha në një intership në Miçigan, por që erdha në Shqipëri për dy javë në verë. Gjëja që më mungon më shumë mendoj se janë gatimet e mamasë. Ushqimi këtu është shumë i mirë, por mendoj se nuk krahasohet me atë të Shqipërisë.
CMG: Përveç futbollit a keni pasione të tjera në jetë?
Endi Rahmani: Një pasion që unë kam filluar të ndjek tani janë shkencat kompjuterike, që kanë një përkrahje shumë të madhe nga profesorët në shkollën time. Po përpiqem që të futem më shumë në pjesën e kodimit dhe të mësoj programe të reja, sespe në SHBA shkencat kompjuterike është dega më në rritje që mund të gjesh sa më shumë vende punësimi dhe rroga sa më të larta.
CMG: Si e shikoni kombëtaren shqiptare të futbollit me rezultatet pozitive të arrituara deri tani për kualifikimin në Europianin e vitit 2024?
Endi Rahmani: Mendoj se që nga ardhja e trajnerit Silvinjo kombëtarja shqiptare ka ndryshuar në mënyrë të mirë, ku po shikoj që Silvinjo ka sjellë në ekipin kombëtar lojtarë të rinj si Jasir Asani që unë kam pasur fatin të stërvitem së bashku me të te ekipi i Partizanit, dhe është një lojtar që e ka treguar veten në ndeshjet me ekipin kombëtar dhe golat që ka shënuar, ose lojtarë si Ernest Muçi që kam qenë pjesë e të njëjtave grupmosha. Ndjehem shumë krenar që Shqipëria ndodhet në vendin e parë në grupin e saj kualifikues, me lojtarë të formuar në Shqipëri që po tregojnë veten në kompeticionet europiane.
CMG: Sa ju ka mbështetur familja në rrugëtimin tuaj me sportin?
Endi Rahmani: Familja ka qenë një mbështetje shumë e madhe e imja, babai im e ka pasur pasion futbollin dhe ka qenë një fans i madh i Partizanit. Kështu që kur unë isha pjesë e ekipit të Partizanit ai ishte jashtë mase krenar që unë isha atje. Të them të drejtën mendimi për të ardhur në SHBA ishte komplet vendim i imi, ku familja ime nuk kishte asnjëlloj ideje që unë doja të ikja në SHBA. Kur ju thashë se kam marrë vizën amerikane ato ishin të surprizuar, sepse as ata por dhe unë nuk e kisha shumë idenë se si funksiononte këtu. Mbas dy vitesh që unë jam këtu ata janë shumë të lumtur me arritjet e mia në SHBA.
Endi Rahmani ne fushe (Foto personale)
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Endi Rahmani: Një përshëndetej të përzemërt për të gjithë shqiptarët që po na ndjekin në Radio Ejani dhe jam shumë i lumtur që isha pjesë e emisionit tuaj. Shumë faleminderit dhe ju uroj më të mirat të gjithëve.
Intervistoi: Gazmend Agaj