Rëndësia e skemave të sigurimit ndaj kërcënimit të ndryshimeve klimatike në bujqësi
2023-10-23 11:13:38

Bujqesia shqiptare(Foto reporter.al)

Bujqesia shqiptare(Foto reporter.al)

“Ndyshimet klimatike janë kërcënimi kryesor për bujqësinë, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë globin, ndaj skemat e sigurimit për pasojat që sjell ky fenomen janë një zgjidhje e domosdoshme.”  Këtë e ka deklaruar Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj gjatë konferencës së  organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Bankën Botërore  me temë "Zhvillimi i Sektorit të Sigurimeve - Mundësitë dhe Sfidat në Evropën Juglindore”. Ministrja foli për mundësitë se si mund ta bëjmë sigurimin më mirë sesa është sot duke e gërshetuar me mbështetjen që jep edhe qeveria me skemat përkatëse për të minimizuar riskun. Po ashtu qeveria me ligjet e hartuara do të bëjë të mundur të ndërhyjë edhe në rastet kur sigurimi nuk merret përsipër nga kompanitë për shkak të rriskut të lartë.


“Nga kërcënimi i parë që është ndryshimi klimatik dhe  disa nga këto kërcënime janë thatësira, reshjet, breshëri  ky është një kërcënim që po ndodh në të gjithë globin dhe Shqipëria nuk bën përjashtim dhe pavarësisht sesa i zhvilluar apo pak i zhvilluar, apo i pazhvilluar të jetë një sektor në një vend. Ky kërcënim është një kërcënim real, që sigurisht skemat e sigurimit, janë ndihmë absolute për t’u zhvilluar në mënyrë më të mirë dhe me një risk më të ulët, por nga ana tjetër dimë që kur risku është i lartë edhe produktet e sigurimit janë më të vështira për t’i sugjestionuar. Mendoj se në këtë aspekt gërshetimi jo vetëm i skemave të sigurimit, por edhe i disa masave që merren paraprakisht nga qeveria, me ligjet përkatëse, por edhe me skemat e mbështetjes ekonomike financiare, i paraprijmë disa nga investimet që janë të domosdoshme, që ky risk të limitohet dhe kompanitë e sigurimit të kenë interes për t’u futur në këtë treg, sepse është një treg i hapur, ku interesi duhet të ekzistojë nga kompanitë, por dhe risku të jetë i moderuar.”- tha Denaj.


Ministrja Anila Denaj (Foto Bujqesia.gov.al)

Ministrja Anila Denaj (Foto Bujqesia.gov.al)

Projektet e IPARD kanë qenë një zgjidhje e mirë sipas Denajt për të minimizuar risqet në bujqësi për shkak të mbështetjes që jepet për fermerët dhe skemës së funksionimit.


“Në këtë adresim mendoj që ne kemi akoma shumë punë për të bërë për këtë pjesë parandaluese me investimet dhe këtu dua të ndaloj pak sidomos për një falënderim të veçantë për gjithë skemat mbështetëse të IPARD 2 sepse janë skema të cilat e kanë shoqëruar përgjatë viteve të shkuara, zhvillimin e ekonomisë bujqësore në atë që është jo vetëm shkallë, por dhe në investime të duhura duke filluar nga serat por jo vetëm. Mendoj se projeksionet për të ardhmen, për IPARD III për të gjithë vendet e rajonit, janë një burim shumë i mirë investimi, për të mitiguar këto risqe që thashë pak më parë dhe për ta bërë sektorin e sigurimit atraktiv dhe në sektorin e bujqësisë. Së dyti janë skemat e mbështetjet kombëtare, të cilat për Shqipërinë për të disatin vit radhazi shkojnë për fermerin e vogël.”


Ministrja ndalet tek problemet e sektorit të bujqësisë në Shqipëri, të cilat janë të njohura tashmë.


“ Këtu dua të sjell promblematikat që ka Shqipëria dhe ne vuajmë segmentimin shumë të lartë të fermës dhe për të dhënë një shembull të këtij segmentimi, ne në mesatare kemi një hektar për një fermer dhe kush e njeh këtë fushë, por besoj se nuk ka shumë nevojë për shumë dije është një njësi shumë e vogël ekonomike që nuk lejon jo vetëm automatizimin e procesit rutinor bujqësor por më tej vendosjen e një teknologjie të përparuar dhe aq më pak akoma të një investimi që do ta bënte parandalimin e riskut qoftë nga kërcënimet e ndryshimeve klimatike apo të tjera, të ishte më i amortizuar. Në këtë drejtim besojmë që bashkimi në një zinxhir vlerash, bashkimi i interesave të fermerëve për të sjellë mundësinë e rritjes në shkallë është një sfidë e cila adresohet si nga skemat kombëtare, por edhe njëkohësisht me ligje përkatëse dhe besoj që kërkon pak kohë por ne kemi shembuj konkret ku bashkimi i interesave të fermerëve ka treguar që më tepër sipërfaqe e punuar me më tepër aktorë ka sjellë cilësi, investime, dhe ka siguruar tregje ndërkombëtare të cilat i kërkojnë në mënyrë të padiskutueshme që produktet të jenë të një vlere dhe cilësie të domosdoshme.”


Bashkimi i fermerëve është shumë i rëndësishëm jo vetëm në aspektin e bashkimit të prodhimit për të qenë sa më konkurrues, por edhe në aspektin e interesave.


“Mendoj që kemi dhe një sfidë tjetër përtej bashkimit dhe unë mendoj që për shumë vende të rajonit sfida e bashkimit lidhet dhe me historikun tonë, të kohëve kur bashkimi nuk ishte natyror, ishte i forcuar, bashkim prone, etj. Nuk po flasim për të njëjtin bashkim, por për bashkim interesash dhe për të arritur këtë ndryshim cilësor mendësie kemi nevojë dhe për atë asistencë për fermerin, në atë që është si aspekti i asistencës teknike dhe edukimit financiar me instrumentet të aksesit në financë të zhvillimit ekonomik të njësisë drejt një formalizimi më të rritur por dhe në raport me skemat e sigurimeve. Mendoj që ne kemi shumë punë që këtë edukim financiar ta bëjmë si ministri, pro mund ta bëjmë dhe me shumë aktorë të tjerë biznesi dhe këtu dua të veçoj sektorin bankar.”


Rol të rëndësishëm në bujqësi sipas Denajt ka edhe sektori bankar sa i takon aksesit në financë.


Pamje nga veprimtaria (Foto Bujqesia.gov.al)

Pamje nga veprimtaria (Foto Bujqesia.gov.al)

“Pasi sektori bankar ka vite që është pararojë dhe këtu shoh disa persona nga koha e mëparshme si bankier që i kam patur bashkudhëtarë, dhe mendoj që e kuptojnë shumë mirë nevojën përgjatë analizave të tyre të riskut për të mitiguar risk pasi po flasim për të dy krahët si kompanitë e sigurimit dhe të bankës që të marrim vendime të duhura, të vlerësojnë dhe sesi ta ngrenë këtë ekonomi ferme për më lart dhe të jenë partnerë edhe të politikave qeveritare për ta çuar ekonominë bujqësore drejt bashkimit me edukimin financiar të duhur. Njëkohësisht dhe me aksesin e duhur në financë ne kemi si qeveri prej vitesh mbështetje buxhetore me skemat e mbështetjes sovrane të cilat nuk lindën në Shqipëri në momentin që u ballafaquam me tërmetin dhe pandeminë, si skema që ishin të domosdoshme për t’u implementuar dhe ndihmuan për tejkalimin e një situate të vështirë dhe ishin skema të cilat besoj që biznesi i ndjeu në të gjithë totalitetin e tij. Prej 2016 kemi një skeme të garancisë sovrane që e zhvillojmë së bashku me BERZH dhe besoj se këtu bankat mund të bëjnë diçka më të madhe për të ndihmuar në edukimin financiar.”


Ministrja u ndal edhe tek aktorë të tjerë ndërkombëtarë që kanë një rol të rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë dhe rrugëtimin e fermerit shqiptar.


“ Partnerët tanë mendoj se jo vetëm na ndihmojnë me financime por këtu duhet të veçoj Bankën Botërore që ka qenë një partner në të gjitha dimensionet e zhvillimit ekonomik shqiptar dhe jo besoj që marr dakordësinë e të gjithëve. Banka botërore na ka ndihmuar në shumë procese të zhvillimit që gëzojmë sot që është aspekti makro ekonomiko financiar, por në vecanti edhe në këtë drejtim mendoj që gjitha skemat që po mendohen së bashku me Bankën Botërore për të zhvilluar pikërisht këtë njësinë e vogël ekonomike për ta formalizuar më mirë për ta ngritur në një nivel tjetër cilësor dhe për ta bashkuar pastaj në një ekonomi shkalle më të madhe ku edhe pushteti vendor dhe dua ta ritheksoj, pushteti vendor të bëhet një me lejoni ta them në anglisht një stakeholder apo sharehoolder i rëndësishëm në atë që është ekonomia e shkallës zinxhiri i vlerës për të rritur shkallë, mitiguar risk dhe për ta bërë këtë përfaqësues ekonomie lokale, kombëtare apo ndërkombëtare të fushës së sigurimeve të ulë e primin dhe të futet në një treg sepse ka interes.”- u shpreh Denaj.


Mnistrja ftoi kompanitë e sigurimit të ndërmarrin më shumë risk mbi supe dhe të shikojnë sesi mund ta ndajnë këtë me fermerët.