Foto nga VCG
Të dielën, një lule gjigante osmanti që fluturonte në ajër, u shndërrua në një kurorë, duke shënuar hapjen e Paralojërave të 4-ta Aziatike në Stadiumin e Qendrës së Sporteve Olimpike të qytetit Hangzhou të Kinës Lindore.
Osmanti, i njohur edhe si ulliri i ëmbël, është lulja simbol e Hangzhou-t dhe gjendej kudo në këtë ceremoni, në një kohë kur aroma e saj po përhapet në tërë qytetin në muajin tetor. Gonxhet e vogla u shndërruan në një bimë të madhe gjatë kësaj ceremonie, mbështetur në teknologjinë AR (realiteti i shtuar).
Në fund të ceremonisë së hapjes, u ndez zjarri i lojërave nga një sportist me aftësi të kufizuara, i pajisur me një dorë bionike me teknologji të zgjuar.
Gati 5 200 veta nga 44 vende dhe rajone marrin pjesë në Paralojërat Aziatike të Hangzhou-t. Mbi 3 mijë sportistë do të konkurrojnë në 564 ndeshje e gara të 22 sporteve gjatë Lojërave. Ndërkohë, mbi 1550 zyrtarë teknikë dhe rreth 3090 gazetarë do të ndjekin këtë veprimtari, duke i bërë ato Paralojërat Aziatike më të mëdha në histori.
Si vendi organizator, Kina do të ketë 439 sportistë që do të konkurrojnë në 397 ndeshje e gara të 22 sporteve. Në ceremoninë e hapjes, skermisti Sun Gang dhe basketbollisti Huang Xiaolian u zgjodhën si mbajtës të flamurit kombëtar për Kinën.
Paralojërat Aziatike do të zhvillohen në 19 objekte në 8 zona konkurrimi, nga të cilat 17 u përdorën gjatë Lojërave të 19-ta Aziatike që përfunduan më 8 tetor.
Foto nga VCG
E frymëzuar nga motoja e Paralojërave Aziatike të këtij viti, tema e ceremonisë së hapjes ishte “Zemrat takohen, ëndrrat ndriçojnë”.
Sha Xiaolan, kryeregjisori i ceremonive të hapjes si të Lojërave, ashtu edhe të Paralojërave Aziatike, donte që veprimtaria e së dielës të ishte një pasqyrim i kapërcimit të vështirësive nga të gjithë për të qenë pjesë e Paralojërave Aziatike. Njerëzit me aftësi të kufizuara morën pjesë në çdo pjesë të ceremonisë, që nga parada e sportistëve e deri te shfaqjet artistike e në ndezjen e flakës.
Kryetari i Komitetit Paralimpik të Azisë, Majid Rashed, ka dëshmuar përpjekjet e vendosura të Kinës për zhvillimin e sportit të njerëzve me aftësi të kufizuara. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG), ai u shpreh që Paralojërat Aziatike në Hangzhou do të jenë paralojërat më të mira në Azi. “Pajisje dhe instalime të klasit të parë, sistemi i përsosur i transportit, të gjitha ‘harduerët’ janë përmbushur këtu. Kur ofrohen instalime dhe pajisje të klasit të parë, parasportistët tregojnë aftësi dhe nivelin e vërtetë të tyre, duke luftuar për ëndrrat e veta,” tha Rashed.
Ai shtoi se Kina ka luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen e zhvillimit të sporteve për njerëzit me aftësi të kufizuara. Liderët e Kinës besojnë se është shumë e rëndësishme që të inkurajohen njerëzit me aftësi të kufizuara dhe këta njerëz duhet të dalin nga shtëpitë e tyre për të marrë pjesë në arsim, kalitje fizike dhe jetën shoqërore.
Foto nga VCG
“Që nga viti 2007, kam konkurruar në Lojërat Olimpike Speciale Verore Botërore në Shangai, në Lojërat Paralimpike në Pekin në vitin 2008, në Paralojërat Aziatike në Guangzhou në vitin 2010 dhe në Lojërat Paralimpike Dimërore 2022 që përfunduan vitin e kaluar. Tani po marrim pjesë në Paralojërat Aziatike më të mëdha në Hangzhou, dhe kjo është arritja më e madhe që kam dëshmuar mes viteve 2007 dhe 2023. Nuk mendoj se vendet e tjera mund të organizojnë kaq shumë veprimtari sportive brenda një periudhe kaq të shkurtër. Të gjithë jemi krenarë për atë që Kina ka bërë për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe populli këtu ka nxitur zhvillimin e sporteve për njerëzit me aftësi të kufizuara,” theksoi ai. (Jiang Lei)