Kantautorja e re Haidi prezanton këngën e re në shqip
2023-10-22 15:42:20


Haidi në instervistë për   Radio Ejani

19 vjeçarja Haidi është një kantautore e re nga Tirana. Ajo publikoi këngën e saj të parë "If only" në mars 2020 në kanalin e Bootleg Boy në youtube, duke  u shfaqur me artistin e huaj Yaeow. Pikërisht atëherë ajo vendosi të futej më shumë në botën e muzikës, duke publikuar këngët e saj origjinale. Çdo këngë ka diçka për të treguar. Sipas këndvështrimit të saj, muzikën ajo e bën për kënaqësinë e saj. Haidi e ka nisur  muzikën që në moshë 5 vjeçare, kohë kur ka filluar të luajë në piano, më pas ka mësuar kitarën si autodidakte, për të vijuar paralelisht me këngën dhe krijimtarinë muzikore. Këngën me producentin e huaj “If only” Haidi e ka sjellë në bashkëpunim me këngëtarin Yaeow, si dhe me producentin nga Singapori Inflake  kanë sjellë së bashku duetin “If you were mine”. Për Radio Ejani ajo tregon për projektin e saj më të ri, bashkëpunimet që ka arritur me artistët e huaj dhe ata shqiptarë, si dhe planet për të ardhmen.

CMG: Haidi, ti ke realizuar disa këngë në gjuhën angleze, por kënga jote e parë në gjuhën shqipe ka pak që është publikuar. Na trego për të.

Haidi: Kënga ime më e re dhe e para në gjuhën shqipe mban titullin “Amore”. Këtë këngë e kam krijuar para disa muajsh dhe nuk e mendoja se do ta publikoja sepse deri tani nuk kisha realizuar këngë në  shqip. Duke qenë se kjo është kënga ime e parë në shqip, mendoj se ka ardhur momenti që t’i jepja më shumë rëndësi. Mendoj se doli më mirë se e prisja, mënyra si kam ndërtuar tekstin, vijën melodike, mënyra si është punuar e gjithë kënga nga producenti, etj. Dua që ta falenderoj Eugen Herrin producentin e jashtëzakonshëm, i cili ka bërë që kënga të arrijë në një nivel perfekt, për shijet e mia personale. Më ka ndihmuar që ta realizoj si projekt, meqënëse është kënga e parë në gjuhën shqipe.

CMG: Kënga është e para në gjuhën shqipe, por përse e ka titullin në gjuhën italiane “Amore”?

Haidi: Në këngën “Amore” më shumë e përsëritur është fjala “Kaloi nata”, por mendova se do ishte shumë monotone ta titulloja ashtu dhe të gjithë ata që e kanë dëgjuar, menduan se do ishte më mirë për t’u fiksuar nga njerëzit me titullin “Amore”. Plus kjo është një këngë për dashurinë dhe  “Amore” qëndron shumë mirë.

CMG: Cilët janë komponentët e kësaj kënge?

Haidi: Tekstin e kam bërë vetë dhe ndërsa isha duke krijuar akordet, mendova të bëja një këngë në shqip, me një tematikë siç është dashuria, të cilën e prekin dhe i këndojnë të gjithë artistët në kohët e sotme. Nuk kam asgjë personale, thjesht kam ndërtuar një histori, e cila nuk është personale, por mund t’i përshtatet një personi që e ka kaluar.

CMG: Është një këngë dashurie, por na trego më konkretisht për të?

Haidi: Kënga flet për një person, të cilit në një moment që  i ndodhin disa goditje emocionale, ky person nuk ështe më i aftë që ta përballojë. Personazhi kryesor ndjehej i lënë pas, i kujtohen netët që kanë kaluar. Në tekst thuhet; “E ku shkuan ndjenjat, mendimet, puthjet, përqafimet që ndanim bashkë”, kjo tregon se sa të afërt ishin dy persona me njëri-tjetrin dhe sa janë larguar tani.

CMG: Si ishte ky rrugëtim për ty, që nga krijimi i tekstit, realizimi i melodisë e deri në finalizim?

Haidi:Në momentin që unë dëgjoj një melodi që më godet, mendoj se kjo është melodia që dua të krijoj. Kam një metodë të çuditshme krijimi që më vjen melodia në mendje, e përsëris e më pas e regjistroj, duke krijuar rimat me fjalët, e deri në përfundim. Më pas erdhi puna në studio. Pjesa e studios ishte shumë e rastësishme  sa nuk e prisja. Unë zakonisht regjistroj këngët e mia me celular dhe bashkëpunoj me artistë e producentë të huaj online.

Në studion që më kontaktoi  punojnë artistët që unë i kam idhuj, për mënyrën se si krijojnë, punojnë, këndojnë e çfarë duan të shprehin me anë të këngëve të tyre, si Killua dhe Sardi Strugaj. Janë dy nga artistët shqiptarë që i shoh në një potencial shumë të madh, për muzikën shqiptare, pasi muzika e mirë shqiptare nuk ka vdekur ende. Më erdhi ftesa nga Killua në Instagram për të shkuar në studion e tij e për të provuar të regjistroj. Tekstin e kisha gjysmë gati dhe pjesën tjetër e kam përfunduar në studio. Shkova në studio dhe aty ishin të gjithë shumë mikpritës, u ndjeva sikur kisha kohë që i njihja.  

CMG: Videoklipi shihet i thjesht dhe i bukur njëkohësisht.

Haidi: Nuk është një videoklip i mirëfilltë, por quhet visualizer, pra në ndryshim nga videoklipi janë katër video që përsëriten njëra pas tjetrës. Donim të shfaqnim emocionin që të jep kënga ndërsa e dëgjon në imazh. Menjëherë menduam elementin e cigares, dritën e  kuqe të dashurisë, meqë kënga flet  për dashurinë. Dua të falenderoj për videoklipin personin që më ka ndihmuar shumë dhe ai është Hans Jella. Doja të përçoja me anë të këtij videoklipi idenë e këngës  e jo të këndoja fjalët e tekstit gjatë videos.

CMG: Mendon se edhe në vazhdim videoklipet do jenë të këtij zhanri?

Haidi: Mendoj se do varet nga lloji i muzikës që do bëj.

CMG: Ti e ke nisur muzikën që në moshë të vogël, por si nisi rrugëtimi yt drejt muzikës?

Haidi: Piano ka qenë instrumenti që ka frymëzuar shpirtin artistik tek unë  si fëmijë. Në fillim kam qenë në kurs baleti dhe pianoja gjendej aty pranë. Sapo mbaroja baletin unë ulesha në piano, pa kuptuar as tastet në lidhje me teknikën e pianos dhe luaja këngë të ndryshme për fëmijë. Mami e vuri  re këtë gjë dhe më regjistroi në kursin e pianos, të cilin e ndoqa që nga mosha 6 vjeç deri në moshën 14 vjeç . Vitet e fundit jam munduar që të mos e humbas aftësinë që kam për të gjetur notën, në momentin që e dëgjoj melodinë e një kënge. 

CMG: Po kitarën si e mësove?

Haidi: Edhe mësimi i kitarës erdhi në mënyrë të rastësishme. Personalisht e kam dashur që fëmijë, por prindërit menduan se do ishte një dëshirë momentale dhe mendonin se nuk i përkushtohesha e do e lija pas dore. Arrita ta mësoja duke parë shumë video në youtube, duke marrë këshilla nga profesionistë që kanë mbaruar Akademinë e Arteve, arrita në një pikë që e mësova vetë. Për një muaj arrita të mësoja akordet bazike të kitares. Edhe pse në piano jam më mirë, kitarën e kam instrumentin tim të preferuar.

CMG: Duke qenë se e ke dashur muzikën që e vogël, përse nuk ke studiur për muzikë?

Haidi: E kam dashur dhe do e dua gjithmonë, por arti nuk vlerësohet më si më përpara dhe që të kesh një jetë më të mirë në ditët e sotme, duhet të kesh një profesion tjetër, prandaj unë paralelisht me muzikë vazhdoj shkollën për Interior Dizajn, e cila është degë e Arkitekturës. E shoh si plus muzikës, është një pasion që pres ta zhvilloj, por me hapa të vegjël do mundohem që ta çoj diku. E adhuroj dizajnin dhe pjesën se si ndërlidhet ajo me muzikën. Këngës time të fundit në anglisht ja kam krijuar  vetë dizajnin, pra dua ta lidh edhe këtë profesion me muzikën, duke e punuar me më shumë dëshirë e pasion.

CMG: Pas pianos dhe kitarës, si lindi kënga tek ty?

Haidi: Të them të drejtën  ka qenë gjithmonë një zë brenda meje, që më bërtiste të bëja diçka më shumë, jo vetëm të luaja në piano. Në moshën 10-11 vjeç kam detyruar veten që të bëja një këngë me një tekst të thjeshtë, pasi nuk dija të krijoja tekste me kuptime, pasi kam qenë fëmijë. Bëra disa akorde në piano dhe u vendosja fjalë, aty i thashë vetes se duhet të bëj diçka për këtë e nuk duhet ta le pas dore. Në moshën 16 vjeç dëgjoja shumë një artist të huaj, të cilin e kontaktova dhe i kërkova bashkëpunim. E bëra bashkëpunimin dhe ajo këngë mori 100 mijë klikime.

CMG: Sa këngë ke krijuar gjithsej?

Haidi: Unë kam krijuar rreth 10 këngë.

Artisti nga Singapori Inflake, i cili ka bashkëpunuar me këngëtaren shqiptare Haidi (Foto nga instagrami)

CMG: Ke punuar me producentë të huaj, ndër to edhe me një producent nga Singapori.

Haidi: Është e vërtetë dhe emri i tij i artit është  Inflake,  të cilin e përshëndes. Ky bashkëpunim solli një audiencë në Singapor dhe bëri të mundur që unë të dilja në gazetën e ditës së Singaporit, duke pasur një artikull të veçantë që më dedikohej mua. Kënga u dëgjua dhe u pëlqye si nga gazetarët dhe personat që e dëgjuan atë në kanalin e youtube.

CMG: Çfarë është shkruar konkretisht për ty në atë artikull?

Haidi: Në atë artikull është shkruar për moshën time, eksperienën time në muzikë, lidhja profesionale me producentin, si e ndërtuam këtë këngën, etj.  

CMG: Haidi, si e sheh veten pas një dekade?

Haidi: Kam shumë projekte që dua t’i realizoj, por nuk e di si ta shoh veten pas një dekade të tërë. Unë i kam qëllimet mjaft të qarta në lidhje me muzikën dhe e di shumë mirë se çfarë dua të bëj, kështu që deri në atë pikë, mendoj se do kem arritur shumë më shumë se tani dhe mund të jem në të ardhmen ndoshta në kulmin e  famës. Mendoj se muzika e mirë gjithmonë do dëgjohet nga njerëzit që dinë që ta vlerësojnë atë.

Haidi 

CMG: Mendon që ta  përhapësh famën tënde muzikore edhe përtej kufijve?

Haidi: (Qesh) Ndoshta është iluzion nga ana ime, por po e shoh veten të njohur edhe jashtë vendit.

CMG: Cili është artisti yt i preferuar?

Haidi: Nga artistët e huaj do të veçoja Billie Eilish, ka qenë një nga frymëzimet e mia muzikore, krijimtaria që ka në këngë, më pëlqen çdo gjë që ajo bën në muzikë. Mënyra se si ajo ndërlidh tekstin me muzikën, çdo gjë rreth krijimtarisë së kësaj artisteje, mua më bën që të eci më shumë përpara dhe të krijoj më shumë muzikë.

CMG: Cili është plani yt më i  afërt?

Haidi: Plani më i afërt është një tjetër bashkëpunim që kam për të bërë tani në muajin nëntor,  sërish me një producent të huaj. Kam marrë shumë kërkesa nga producentë të ndryshëm të huaj, pasi publikova këngën time të fundit në anglisht, e cila arriti mbi 140 mijë shikime në Spotify, një platformë që nuk është e lehtë për të marrë klikime. Shpresoj që edhe kënga e re që do publikohet në nëntor, të marrë shumë klikime, sepse është një projekt që e kam shumë përzemër. Tani e në vazhdim do sjell më shumë projekte në gjuhën shqipe.

Intervistoi: Sava Lena