Aldo Hoxha
Aldo Hoxha është këngëtar i muzikës popullore të trevës së jugut, me një karriere disa vjeccare në tregun muzikor. Këngët e tij janë mjaft të pëlqyera nga publiku, për tekstet e bukura, muzikën dhe interpretimin artistik. Muzikën popullore e ka trashëguar nga familja e tij, ku në ccdo tavolinë këndohen këngët e bukura polifonike, dhe Aldo vetë e ka marrë këtë pasuri folklorike për ta ccuar më tej. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) Aldo Hoxha tregon për fillimet e tij me këngën popullore, aktivitetet brenda dhe jashtë vendit si dhe projektet në vazhdim.
Aldo Hoxha
CMG: Përshëndetje Aldo, kënaqësi për pjesëmarrjen në Bio Folk.
Aldo Hoxha: Faleminderit, kënaqësi dhe për mua.
CMG: Si lindi pasioni për muzikën popullore?
Aldo Hoxha: Pasioni për muzikën popullore është i hershëm sepse unë e kam nisur që në moshë të vogël, duke filluar të këndoja këngët e zonës time, të cilat janë këngët labe tradicionale. Pastaj duke u rritur, duke parë dhe lexuar ky pasion për këngën popullore u rrit, ku fillova të krijoja këngët e mia dhe të njihja muzikën më nga afër. Sot jam këtu duke sjellë akoma projekte muzikore të reja, dhe besoj do vazhdoj të kem në të ardhmen projekte dhe më të bukura.
CMG: Përveç këngëve të muzikuara keni kënduar dhe ato polifonike të trevës suaj të Tepelenës?
Aldo Hoxha: Unë që në moshë të vogël kam kënduar këngë polifonike, sepse ne vijmë nga një zonë që kënga labe është këngë e çdo tavoline të zonës së Tepelenës, të labërisë dhe toskërisë, është një këngë dhe një traditë që vazhdon të këndohet dhe të mbahet gjallë. Kështu që unë në moshë të vogël kam kënduar këngë labe, dhe besoj se kjo do jetë tradita ime deri në një moshë që unë nuk do të kem më frymë për të kënduar.
Aldo Hoxha
CMG: Këngën popullore e keni të trashëguar nga familja juaj?
Aldo Hoxha: Unë kam pasur një idhull që në moshë të vogël, dhe ai ka qenë xhaxhai im Nasipi. Kur isha i vogël mbaj mend që ai kishte një kasetë dhe kishim një mangnetofon ku mblidheshim gjithmonë te gjyshja. Ka qenë një këngë e cila titullohej “Gjitone” që ai e këndonte. Xhaxhai ka qenë frymëzimi dhe idhulli im, dhe duke dëgjuar atë fillova të këndoja dhe vetë.
CMG: Krijimtaria juaj muzikore është e bazuar te krijimtaria e re muzikore apo keni sjellë dhe këngë të vjetra popullore?
Aldo Hoxha: Unë kam sjellë dhe këngë të reja, por dhe këngë popullore të bazuara te këngët e vjetra. Kanë qenë këngë polifonike, ku unë i kam sjellë në mënyrën time duke i përshtatur që të bëhen këngë të kërcyeshme.
CMG: Disa nga këngët mbajnë autorsinë tuaj në tekst dhe kompozim. Ju pëlqen të krijoni vetë?
Aldo Hoxha: Shpirti ma jep ndonjëherë që të krijoj tekste të bukura. Kjo është një dhunti kur shiprti të jep disa vargje që mund ti krijosh vetë, dhe pse jo mos ti hedhësh në një këngë dhe kënga të bëhet shumë e dëgjueshme.
CMG: Sa je përpjektur për të ruajtur vlerat e këngës popullore tradicionale të trevës së jugut?
Aldo Hoxha: Kënga popullore dhe sidomos ajo e zonës time kënga labe besoj se është një thesar që duhet ruajtur me mish e shpirt. Do mundohem me sa mundem që ky thesar të ruhet edhe nga unë.
CMG: Keni bërë bashkëpunime me këngëtarë të tjerë të këngës popullore?
Aldo Hoxha: Unë karrierën time muzikore e kam nisur me një bashkëpunim me një kolegen time të nderuar Kozeta Shabani, e cila më hapi në njëfarë mënyre portën e një bashkëpunimi. Unë i jam shumë mirënjohës dhe falenderues asaj, sepse në kohën që unë nisa bashkëpunimin me Kozetën dhe ajo më hapi derën unë isha askushi, ku ajo më ofroi mundësinë për të bërë atë bashkëpunim aq të bukur. Mendoj se ishte bashkëpunimi që mua më hapi dyert e rrugës së këngës.
CMG: Kush ka punuar për realizimin e këngëve tuaja?
Aldo Hoxha: Kam një njeri që mua më rriti dhe më dha shumë dije përsa i përket muzikës, dhe ai është Genci Malaj, por dhe shumë të tjerë që më kanë ndihmuar në këtë rrugëtim. Kam dhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë, por Genci është nga kryesorët që më ka ndihmuar në këtë punë që unë po bëj tani.
Aldo Hoxha
CMG: Si ka qenë axhenda juaj këtë vit me koncertet dhe pjesëmarrjen në festat familjare?
Aldo Hoxha: Sezoni veror është i mbingarkur për ne këngëtarët, dhe për shkak se kemi dasma, gëzime familjare ku në njëfarë mënyre vera na jep kënaqësi. Duke qenë në evente dhe dasma besoj se është argëtim jo vetëm për ne këngëtarët, por për çdo njeri është kënaqësi kur shkojmë në dasma dhe gëzime.
CMG: Sa rëndësi i kushtoni veshjes dhe pamjes vizive kur jeni në evente muzikore?
Aldo Hoxha: Pamja fizike luan shumë rol në një videoklip, ku pamja fizike është gjëja kryesore sepse njerëzit e shikojnë dhe këtë gjë. Unë dua të them se thjeshtësia është ajo që e zbukuron njeriun, sepse sa më i thjeshtë të jesh aq më afër popullit dhe syrit të njeriut je.
CMG: Cili është emocioni që keni përjetuar kur keni veshur kostumin popullor?
Aldo Hoxha: Kostumin popullor e kam veshur dhe është një emocion i veçantë, sepse nëse ti frymëzohesh njëherë kur këndon atë këngën e shpirtit tënd, kur vesh atë kostum të jep një frymëzim më të madh dhe këngët të dalin me më shumë emocion nga shpirti.
CMG: Cilën nga këngët tuaja do veçoje si më të preferuarën nga publiku?
Aldo Hoxha: Kam shumë këngë që pëlqehen, ku njëra që pëlqehet nga unë dhe fansat është këngë që kam bërë me kolegen time Kozetën, një këngë tjetër për trevën time e cila i dedikohet zonës së Tepelenës, dhe një tjetër për nënën, gjënë më të shtrenjtë që besoj se çdo njeri e ka. Gjithashtu dhe kënga e fundit është një krijim që vërtetë të godet.
CMG: Kënga juaj e re që sapo është publikur ka arritur një shikueshsmëri të madhe për pak ditë. Si ndjeheni për këtë vlerësim nga publiku?
Aldo Hoxha: Ndjehem shumë i vlerësuar dhe i jam shumë mirënjohës çdo përsoni që më ka dërguar një mesazh apo ka bërë një koment, duke më përgëzuar në njëfarë mënyre. Te ky projekt do të doja të bëja një falenderim shumë të madh për dy vëllezërit që mundësuan orkestrimin e kësaj këngë, të cilët janë Kristi Çunaj dhe Geraldo Çunaj. I falendeoj shumë dhe shpresoj që të kemi projekte akoma më të bukura.
CMG: Ke marrë pjesë në evente muzikore jashtë Shqipërisë?
Aldo Hoxha: Kam qenë në shumë koncerte dhe jashtë Shqipërisë, në Itali dhe më së shumti kam qenë në Greqi sepse atje njerëzit janë shumë të dashur. Në Greqi kam qenë shumë herë sepse mikpritja e tyre më imponon që të jem afër tyre, dhe besoj se do jem prapë tani afër në një koncert pranë tyre.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?
Aldo Hoxha: Jemi duke punuar për një kolazh që besoj do dalë shumë shpejt. Është një kolazh popullor i jugut shumë i bukur, ku shpresoj të pëlqehet nga publiku.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.
Aldo Hoxha: Unë i përshëndes të gjithë, duke ju uruar të jenë mirë me shëndet, dhe i falenderoj që më kanë mbështetur
Intervistoi: Gazmend Agaj