Ministrat e Jashtëm të Kinës dhe Malajzisë bisedojnë për raportet dypalëshe dhe konfliktin palestinezo-izraelit
2023-10-21 14:12:44

Foto nga VCG

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi zhvilloi të premten një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Malajzisë Zambry Abdul Kadir mbi marrëdhëniet Kinë-Malajzi dhe konfliktin palestinezo-izraelit.

Zambry përgëzoi Kinën për suksesin e Forumit të 3-të "Një brez, një rrugë" për Bashkëpunim Ndërkombëtar, duke vënë në dukje se kjo nismë është e favorshme për promovimin e ndërlidhjes rajonale, konsolidimin e bashkëpunimit tregtar ndërkombëtare dhe sjelljen e më shumë mundësive për zhvillimin rajonal dhe botëror.

Malajzia pret me padurim për të festuar 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kinën vitin e ardhshëm dhe t’i japë një shtysë të re zhvillimit të mëtejshëm të raporteve dypalëshe, tha Zambry.

Wang, gjithashtu një anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, shprehu vlerësimin për kontributin e Malajzisë për mbajtjen e suksesshme të forumit, duke shtuar se Kina është e gatshme të forcojë bashkëpunimin e cilësisë së lartë të "Një brez, një rrugë" me Malajzinë dhe të promovojë ndërtimin e komunitetit Kinë-Malajzi me një të ardhme të përbashkët.

Ndërsa për konfliktin palestinezo-izraelit, Wang tha se Kina ka qëndruar gjithmonë në anën e paqes, ligjit ndërkombëtar dhe aspiratave legjitime të vendeve arabe dhe islamike, duke shtuar se Kina kundërshton të gjitha veprimet që sulmojnë civilët e pafajshëm dhe shkelin ligjin ndërkombëtar.

Rrënja e konfliktit palestinezo-izraelit qëndron në pushtimin e vazhdueshëm të tokës palestineze dhe neglizhencën afatgjatë të kërkesave të popullit palestinez për shtetësi, tha Wang.

Kina është e gatshme të forcojë komunikimin me Malajzinë dhe të gjitha vendet paqedashëse dhe të vazhdojë të bëjë përpjekje për paqen në Lindjen e Mesme, tha Wang. (Çang Çuo)