“E kuqe e errët” një kërkim artistik në zhanrin dans-teatër
2023-10-20 11:24:42

Në teatrin eksperimental “Kujtim Spahivogli” u shfaq dance-theater “E kuqe e errët”. Shfaqja është një kërkim artistik në zhanrin e dans – teatrit, frymëzuar nga novela e famshme e Migjenit “Historia e njenës nga ato”.  Me regjinë e Mariel Brahimllarit dhe produksion i Fondit të Teatrit për të Rinj 2023, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, vepra është frymëzuar nga personazhi Luke i Migjenit.

Luke-izimi i femrës moderne shqiptare ka sjellë fenomenin e përdorjes së trupit për të arritur çdo qëllim të dëshiruar: një vend pune, jetën luksoze, famën e shpejtë apo pasurimin. Ky kërkim synon të sjellë në vëmendjen e publikut jo vetëm prostitucionin në kuptimin klasik të fjalës, në atë të shkëmbimit të trupit për para, por në çdo formë tjetër të tij, kur favori seksual shkurton rrugën drejt karrierës apo pasurisë. “Me siguri do njihni ndonjenën nga motrat legjitime të Lukes, asht njësoj si me njoftë Luken vetë. Jeta e tyne asht një. Të gjitha janë njësoj dhe të gjitha ju japin atë që kërkoni, me pare në dorë. (Migjeni)”, thuhet në materialin rreth shfaqjes premierë, në ArTurbina.

Regjia e shfaqjes “E kuqe e errët” i është besuar Mariel Brahimllarit, koreografe dhe performuese janë: Semela Skënderasi, Zoi Tollumi, as. koreografe Danja Kovaçi, skenografi /kostumografi Redina Qose, video art Fabio Seferi, muzika Venesa Zdrava dhe grafika Redina Qose. Në intervistë për Radio Ejani, rrëfen më tepër  rreth kësaj shfaqje, koreografja dhe performuesja Semela Skënderasi.

CMG: Si e priti publiku shfaqjen?

Semela Skënderasi: Kjo shfaqje që quhet “E kuqe e errët”, i përket Fondit të të rinjve, e cila mbështetet nga Ministria e Kulturës, teatri Eksperimental "Kujtim Spahivogli", si dhe teatri i Korçës Andon Zako Çajupi. Është një shfaqje ku i gjithë grupi artistik e  krijues është në moshë  të re. Në fakt ky është edhe qëllimi i shfaqjes, ku i gjithë grupi artistik është krijuar nga të rinjtë. Është shumë kënaqësi për mua që si perfomuese dhe koreografe njëkohësisht në skenë, të shihja në publik grupmosha të ndryshe. Shfaqja u prit shumë mirë prej tyre.

Koreografe Semela Skënderasi (Foto nga instagrami)

CMG: Si është për ty të jesh koreografe dhe interpretuese njëkohësisht?

Semela Skënderasi: Shfaqja e "E kuqe e errët" është një shfaqje që i përket zhanrit të dans -teatrit dhe ashtu si në këtë zhanër, apo në dansin bashkëkohor apo kontemporan, metodat që përdoren prej shumë vitesh tashmë në ditët e sotme  janë se lëvizjet rrjedhin nga trupi i kërcimtarit, pra është ai që është burimi i krijimtarisë. Në këtë mënyrë të qënit performuese dhe koreografe shkojnë paralelisht me njëra- tjetrën. Për mua është një emocion shumë i veçantë dhe kënaqësi për një gjë që e krijoj vetë, rrjedh nga ndjesitë emocionale në këtë rast e bazuar në një tematikë si ajo e Migjenit.

CMG:  Cili është mesazhi që doni të përcillni nëpërmjet kësaj shfaqjeje në ditët e sotme?

Semela Skënderasi: Kjo shfaqje është e frymëzuar nga novela e Migjenit "Historia e njënës nga ato" dhe kjo novelë ka si tematikë të saj prostitucionin dhe në qendër ka Luken, që është një prostitutë në vitet '30 në Shqipërinë e asaj kohe, kur të ishe prostitutë ishte një rast i izoluar, ishe një person që  të tregonin me gisht dhe të gjithë e dinin se kush ishe. Por ajo që ne duam të sjellim, në ditët e sotme në Shqipërinë e vitit 2023, Lukja nuk është më një rast i izoluar, ka Lukejzuar shoqërinë sepse tashmë prostitucioni nuk është më ai në kuptimin klasik të fjalës, që është shitja e trupit për para, por sot po përdoret për të arritur çdo gjë që duam, duke filluar nga një vend pune, nga një arritje në karrierë, nga një palë pushime luksoze, nga një çantë e bukur, apo cilido qëllimi që mund të jetë i atij personi që e bën. E duke bërë këtë, patjetër që shkel në të drejtën e tjetrit, të drejtën e atij që e meriton vendin e punës me meritë, apo shumë e shumë raste të tjera. Pikërisht ky është edhe mesazhi që ne duam të sjellim: që shoqëria shqiptare ta ketë parasysh këtë fenomen, të cilin e ka para syve, e dinë që po ndodh, por po  bën sikur nuk e kupton deri diku.

CMG: Kush e përzgjodhi ta pasqyroni veprën e të madhit Migjeni dhe si është për ju si artistë të rinj të sillni një figurë kaq të njohur?

Semela Skënderasi: Ideja e përzgjedhjes së veprës së Migjenit, ka ardhur nga një diskutim i përbashkët ndërmjet regjisorit dhe nga bashkë koreografja Znj.Tollumi.  Duke diskutuar e duke dhënë mendime për këtë temë e cila është e rëndësishme dhe goditëse e ditëve të sotme, arritëm  në përfundimin për ta sjellë Luken në vitin 2023. Për ne si artistë të rinj është një sfidë shumë e madhe që të merrnim këtë vepër të Migjenit dhe gjithashtu është një sfidë e një zhanri tjetër pasi ne nuk morrëm veprën e tij që ta vendosnim në skenë si një shfaqje aktrimi pa e tjetërsuar aspak, por ne menduam që nëpërmjet gjuhës së dansit të sillnim një variant ndryshe nga ai që kemi lexuar në rreshtat e Migjenit, pra ishte një sfidë e dyfishtë për ne.

Vepra si produksion i Fondit për teatrin

Premiera është produksion i “Fondit të Teatrit për të Rinj 2023", mbështetur nga Ministria e Kulturës, Teatri Kombëtar Eksperimental dhe teatri “Andon Zako Çajupi”, Korçë. “Fondi i Teatrit për të Rinj” këtë vit është në edicionin e dytë. Përmes këtij fondi për vitin 2023, me një shumë prej 10 milionë lekësh të reja synohet nxitja dhe aktivizimi i krijuesve dhe interpretuesve të rinj, risjellja në një formë të re e festivalit të të rinjve, gjallërimi dhe lëvizja teatrore në rang vendi si dhe krijimi i lëvizjes teatrore në bazë të rajoneve. Mes aplikimeve bordi artistik i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” zgjodhi më parë dhjetë projekte fituese, ku artistët e rinj kanë propozuar 5 pjesë të dramaturgjisë shqiptare dhe 5 të dramaturgjisë së huaj. Projektet teatrore përfituese nga ky fond janë realizuar nën kujdesin e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në bashkëpunim me teatrot e rretheve, duke sjellë në vëmendje dramaturgjinë bashkëkohore edhe shqiptare në rang vendi. Shfaqja “E kuqe e errët”  shënoi premierën në Teatrin Eksperimental më 11 tetor, gjithashtu është dhe pjesë e “Albania Dance Meeting-Festival”.

Intervistoi: Sava Lena