Kryeministri i Hungarisë Orban Viktor / foto nga CFP
"Realizimi i ndërlidhshmërisë do t'i ofrojë Evropës mundësi për rimëkëmbjen në aftësinë konkurruese," tha kryeministri i Hungarisë Orban Viktor, kur vlerësoi ndërtimin e hekurudhës Hungari-Serbi në Forumin e 3-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar "Një brez, një rrugë". Ai u bëri thirrje Evropës e mbarë globit të kërkojnë mundësi të reja për ndërlidhshmëri.
Ndërlidhshmëria, e përmendur nga kryeministri Orban, është kursi kryesor i ndërtimit të përbashkët të "Një brez, një rrugë" dhe gjithashtu fjala kyçe e këtij forumi, thekson Grupi Mediatik i Kinës (CMG) në një koment.
Në fjalimin e tij kryesor në ceremoninë e hapjes të këtij forumi, presidenti i Kinës Xi Jinping shpalli tetë veprimet e Kinës në mbështetje të ndërtimit të përbashkët cilësor të "Një brez, një rrugë", i pari ndër të cilët është formimi i rrjetit trepërmasor të ndërlidhshmërisë të "Një brez, një rrugë". Kjo tregon se ndërlidhshmëria do të jetë përsëri përparësia e ndërtimit të përbashkët të "Një brez, një rrugë", komenton CMG-ja.
Ura e Peljeshacit në Kroaci/ foto nga CFP
Ka një fjalë të urtë kineze të thotë se, nëse do që të pasurohesh, duhet të ndërtosh rrugë. Autostrada kombëtare nr. 1 në Republikën e Kongos, ura e Peljeshacit në Kroaci, porti i Pireut në Greqi ... gjatë dhjetë vjetëve të kaluar, këto rezultate simbol të ndërlidhshmërisë i kanë sjellë përfitime të përbashkëta Kinës dhe vendeve të tjera pjesëmarrëse, në të mirë të banorëve dhe në ndihmë të rritjes ekonomike.
Sipas Deklaratës së Kryetarit të bërë në këtë forum, pala kineze paraqiti kësaj here masa të qarta dhe pragmatike zhvillimi, duke përfshirë nxitjen e mëtejshme të zhvillimit cilësor të trenave të mallrave Kinë-Evropë dhe krijimin e përbashkët të kanalit të ri logjistik në kontinentin euroaziatik, të mbështetur te transporti hekurudhor dhe rrugor.
Meriton të përmendet se në këtë forum, në bazë të "pesë ndërlidhjeve" ekzistuese: politike, infrastrukturore, tregtare, të kapitaleve dhe të zemrave të popujve, pala kineze theksoi edhe zgjerimin e fushave të reja të bashkëpunimit, si shëndetësor, të gjelbër, digjital dhe novator. Këto masa të reja do të pasurojnë më tej përmbajtjet e ndërlidhshmërisë, përfundon komenti i CMG-së. (Wang Lei/ Artan)
Porti i Dujsburgut i Gjermanisë, nyja e rëndësishme e tranve të mallrave Kinë-Evropë/ foto nga CFP