Shangai/ foto nga CFP
Sipas të dhënave mbi ekonominë kombëtare kineze të publikuara të mërkurën, në tre tremujorët e parë të këtij viti, PBB-ja e Kinës pati një rritje prej 5.2 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, përqindje kjo më e lartë se rritja e PBB-së së ekonomive të tjera kryesore të botës.
Gjatë intervistave për Grupin Mediatik të Kinës (CMG), disa ekspertë thanë se Kina vijon të jetë lokomotiva e rimëkëmbjes së ekonomisë botërore dhe rimëkëmbja e konsumit është bërë sinjali më i fortë i përmirësimit të ekonomisë kineze. Në nëntë muajt e parë të këtij viti, vëllimi i shitjes me pakicë të mallrave të konsumit në Kinë u rrit me 6.8 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe shpenzimet e konsumit përfundimtar kontribuuan për 83.2 për qind të rritjes së ekonomisë kineze, duke nxitur rritjen e PBB-së me 4.4 pikë përqindjeje.
Për investimet e huaja, këto shifra nënkuptojnë mundësitë kolosale të tregut. Gjatë këtij viti, Kinën e vizituan drejtues të lartë të një numri të madh kompanish shumëkombëshe, si “Tesla”, “JP Morgan”, “Apple”, “Qualcomm” etj., duke u shprehur të një mendimi se tregu kinez është "alternativë e domosdoshme" dhe se do të vazhdojnë të shtojnë investimet në Kinë, për të eksploruar më thellësisht tregun kinez. Sipas një raporti sondazhi të publikuar të martën nga agjencia PWC, pjesa dërrmuese e shumëkombësheve në Kinë janë optimiste për tregun kinez, veçanërisht për tre elementet kyçe, siç janë përmasa e tregut, rritja ekonomike dhe pranimi nga konsumatorët.
Megafabrika e "Tesla"-s në Shangai/ foto nga CFP
Kohët e fundit, një pjesë e medive perëndimore kanë bërë zhurmë për të ashtuquajturën "tërheqje e investimeve të huaja nga Kina", duke u orvatur të përbaltin perspektivën e ekonomisë kineze. Por faktet tregojnë se numri i ndërmarrjeve të huaja po shtohet dhe shumica e tyre kanë realizuar fitime relativisht të mira. Po ashtu, edhe struktura e investimeve të tyre është përmirësuar.
Krahas tregut të konsumit, edhe tregtia e jashtme e Kinës ka nxitur fuqimisht funksionimin e lirshëm të zinxhirëve globalë të industrisë e të furnizimit, veçanërisht me vendet pjesëmarrëse të nismës "Një brez, një rrugë". Në tre tremujorët e parë të këtij viti, tregtia e jashtme e Kinës ka ruajtur qëndrueshmërinë në përmasën e përgjithshme, ndërkohë import-eksporti me vendet pjesëmarrëse në "Një brez, një rrugë" u shtua me 3.1 për qind, duke zënë 46.5 për qind të vëllimit të përgjithshëm të import-eksportit të Kinës.
Konferenca e Sipërmarrësve "Një brez, një rrugë" / foto nga CFP
Në Konferencën e Sipërmarrësve "Një brez, një rrugë" që u zhvillua pak ditë më parë, qindra ndërmarrje pritën në radhë për të nënshkruar kontrata, duke arritur në fund kontrata tregtare me vlerë prej 97.2 miliardë dollarësh amerikanë. Një nga pikat e spikatura të transaksioneve është "prodhimi inteligjent nga Kina". Një numër i madh ndërmarrjesh kineze kanë dalë për investime dhe ndërtime në vende të tjera, duke u mbështetur te potenciali i tyre në manifakturën inteligjente.
Prapa këtyre rezultateve qëndron vendosmëria e qeverisë kineze për nxitjen e mëtejshme të hapjes dhe për tërheqjen e investimeve të huaja. Po të mërkurën Kina shpalli se do të heqë plotësisht kufizimet për hyrjen e investimeve të huaja në sektorin e manifakturës, që është tjetër sinjal për hapjen gjithnjë e më të madhe të dyerve të saj. (Wang Lei/ Artan)