Vlerat e nismës “Një Brez, një Rrugë”
2023-10-20 10:14:40

Nisma “Një Brez, një Rrugë” nisi rrugëtimin e saj nga viti 2013, dhjetë vite më parë, me paraqitjen që i bëri në publik Presidenti kinez Xi Jinping  përbën projektin më të madh të realizuar ndonjëherë, në kuadrin e tregtisë globale dhe marrëdhënieve ekonomike mes shteteve.

Shtimi i ndjeshëm i marrëdhënieve tregtare dhe reduktimi i kostove të transportit në tranzitimin e mallrave, që nga Lindja e Largët dhe deri në kontinentin tonë, janë dëshmi e dukshme e kontributit që ka dhënë  kjo nismë, në zgjerimin e infrastrukturës së transportit botëror, në shfrytëzimin racional të burimeve natyrore dhe në progresin e dukshëm ekonomik në dhjetra e dhjetra vende të globit.

Ish ministri i jashtëm Arian Starova  në intervistë për CMG

Ish ministri i jashtëm Arian Starova  në intervistë për CMG

Arian Starova, ish-Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, ekspert i ­çështjeve ndërkombëtare, në një intervistë ekskluzive për Grupin Mediatik të Kinës vlerëson nismën “Një brez, një rrugë” në 10 vjetorin e saj.

Vlerat e nismës “Një Brez, një Rrugë”

Nisma “Një Brez, një Rrugë” sot është shndërruar në platformën më të madhe të bashkëpunimit ndërkombëtar, me investime që i afrohen vlerës së 1 triliardë dollarëve.

Gjatë dekadës së fundit, kjo nismë ka kontribuar në multilateralizmin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike, si dhe ka krijuar kushte më të mira zhvillimi për vendet në zhvillim. Deri tani, “Një Brez, një Rrugë”  ka tërhequr pjesëmarrjen e më shumë se tre të katërtave të vendeve të botës dhe të 32 organizatave ndërkombëtare. Nisma ka zbatuar dhe po zbaton më shumë se 3,000 projekte bashkëpunimi, duke krijuar 420,000 vende pune dhe duke ndihmuar në daljen e 40 milionë njerëzve nga varfëria. Ajo ka ofruar modelin dhe përvojën e zhvillimit të Kinës, për vendet dhe rajonet e përfshira në të. Ish ministri i jashtëm i Shqipërisë, ekspert i çeshtjeve ndërkombëtare komenton për Grupin  Mediatik të Kinës nismën “Një brez, një rrugë”

Ish ministri i jashtëm Arian Starova (Foto Sot)

Ish ministri i jashtëm Arian Starova (Foto Sot)

CMG: Zoti Starova, ju faleminderit për këtë intervistë. Këtë vit u mbushën dhjetë vjet nga krijimi i projektit "Një brez, një Rrugë". Si e vlerësoni këtë projekt?

Arian Starova: Unë e kam vlerësuar gjithmonë pozitivisht. Jo thjesht si projekt  “Një Brez, një Rrugë”, por, së pari, për çdo komunikim dhe bashkëpunim mes popujve, kombeve dhe shteteve, që nisma ofron. Ky bashkëpunim, përveç shkëmbimit të vlerave materiale, shkëmben edhe vlera kulturore, vlera miqësie dhe mirëkuptimi, që janë e kundërta e luftës. Për këtë gjithmonë jam pro.       

“Një Brez, një Rrugë”  ka shumë vlerë. E para, nisma mbështetet në një themel shumë të vjetër, qindravjeçar, shekullor. Është Rruga e famshme e Mëndafshit.

E dyta, Kina sot është vendi i dytë më i madh i botës ekonomikisht. Mendohet që në vitin 2030 mund të bëhet i pari, për nga vlerat ekonomike. Ndoshta po, ndoshta jo. E ç’rëndësi ka?

Ky vend ka nevojë që vlerat e tij materiale t’i shpërndajë dhe t’i shkëmbejë. Pra, të ketë treg në botë dhe kjo është normale. Dhe ka gjetur këtë mënyrë shkëmbimi. Dhe ka të drejtë.

Kështu si mendoj unë, e mendojnë edhe shumë shtete të Evropës. Prandaj dhe nisma ka gjetur përgjigje pozitive dhe në shumë vende të Evropës, përfshirë edhe vendet e rajonit, ku bën pjesë Shqipëria.

Nisma ka ecur deri tani. Natyrisht, mund të ecte më shpejt, ashtu siç ishte menduar. Paragjykime jo nga Kina, e kanë penguar. Gjithsesi, ideja vazhdon të jetë e gjallë dhe idetë e mëdha lëvizin dalëngadalë. Shoqërohen me dyshime, me kritika për shumë gjera. Por përgjithësisht, është një ide e mirë dhe unë besoj se do të ecë në vijimësi.     

CMG: Nisma “Një Brez, një Rrugë” ka ndihmuar rreth 40 milionë qytetare në të gjithë botën, që të dalin nga varfëria. Ç’do të thotë kjo për ju?

Arian Starova: Kina e ka nisur luftën kundër varfërisë, së pari në vendin e saj. Kina ka pasur shumë njerëz që jetonin nën minimumin e varfërisë, sepse është shtet i madh, me mbi 1 miliardë e gjysëm banorë sot.

Shkëmbimet tregtare Një brez, një rrugë (Foto CMG)

Shkëmbimet tregtare Një brez, një rrugë (Foto CMG)

Mbaj mend që shumë vite më parë, mbi 15 vjet, në një nga bisedat që bëja me homologun kinez, kur isha i angazhuar në detyrën e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, ai me thoshte se Kina ka arritur një sukses, sepse tani ka vetëm 80 milionë të varfër. Imagjino sa ka patur më përpara. Tani duhet të ketë shumë më pak se 80 milionë.

Por Kina, këtë gjë që ka bërë brenda vendit të saj, pra reduktimin e ndjeshëm të varfërisë, e ka bërë edhe në Afrikë. Në Afrikë, Kina po investon shumë, pasi Afrika është kontinenti më i varfër i botës. Ajo po investon dhe në Amerikën Latine dhe kudo, por këto janë vendet më të varfëra. Me sa di unë, investon edhe në Afganistan. Nuk e di në ç’masë.

Por, në këtë kuptim, Kina, atë potencial të madh vlerash materiale dhe pasurie të re që ka krijuar, përpiqet ta ndajë me botën. Dhe këtu gjithnjë bëhet fjalë për një parim “win-win(përfitim reciprok)”.

Pra, Kina fiton se shet produktet e saj. Duke i shitur lirë, përfitojnë ata që janë të varfër kudo. Kjo është natyrisht një kontribut shumë i madh për botën, kundër varfërisë.

Është një kontribut i vlerësuar shumë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ka agjenci të posaçme për ndjekjen dhe bërjen e sondazheve, për të matur varfërinë në botë. Sipas të gjitha raporteve të OKB-së, Kina është një vend që ka ndihmuar shumë në uljen e varfërisë në botë.         

CMG: Profesor Starova, a mund të thuhet që sot nisma është kthyer në një të mirë publike të pëlqyer ndërkombëtarisht? Ju përmendët vlerësimin e lartë të Kombeve të Bashkuara.

Arian Starova: Vlerësimi i Kombeve të Bashkuara ishte për varfërinë. Vleresim vjen edhe nga Evropa. Fakti që pothuajse të gjitha vendet e Evropës janë në nismë, vetëm tek-tuk ndonjë vend shpreh rezerva, e tregon këtë. Të tërë e pranojnë këtë nismë, si diçka që është poziive dhe iu vlen të gjithëve.

Ndoshta në të ardhmen nisma do të shndërrohet në një të mirë publike ndërkombëtare, sepse duke qenë se është diçka shumë pozitive dhe që iu vlen të gjithë vendeve pjesëmarrëse, sigurisht që kjo do të sjellë edhe vlerësime më të mëdha të saj.

10 vjet Një brez një rrugë (Foto CMG)

10 vjet Një brez një rrugë (Foto CMG)

CMG: Tre të katërtat e vendeve të botës kanë projekte në këtë nismë...

Arian Starova: Tre të katërtat janë shumë. I bie mbi 100 vende.

CMG: Po, mbi 110 vende.

Arian Starova: Nuk e dija këtë shifër dhe më vjen mirë që është kështu. Ky është tregues suksesi. Unë e di që është nismë e sukseshme, por tre të katërtat e vendeve është goxha.

CMG: Tre mijë projekte. Rreth 1 triliardë dollarë të investuar.

Arian Starova: Di që një nga gjërat më të rëndësishme është fakti që Kina po investon shumë për komumikimin hekurrudhor. Me investimet në rrugë është pak më e vështirë, pse ka edhe zona të pasigurta, por komunikimi hekurrudhor është fantastik.

Mendohet që të shtohet shpejtësia e lëvizjes së trenave. Pra të shkurtohet edhe koha e ardhjes së mallrave. Në Kinë është një “hub”, një qendër e madhe. Është një port i madh, ndër më të mëdhenjtë e botës, quhet Guangzhou, në mos gaboj, diku në verilindje të Pekinit. Në Evropë, porti pritës i mallrave të tij është Hanoveri në Gjermani.

Ndërsa me tren të shpejte, mbaj mend që ekspertët kinezë thoshin se udhëtimi për të çuar mallrat në Hanovër, bëhej pak më shumë se 24 orë. Dhe ata synojnë që ta bëjnë sot nën 24 orë. Pra, të ecin trena mallrash, ndoshta dhe pasagjerësh, me shpejtësi mbi 500 km në orë.

Ai vend është i jashtëzakonshëm, sepse gjërat që i thotë, i bën.

Bashkëpunimi Një brez,një rrugë (Foto CMG)

Bashkëpunimi Një brez,një rrugë (Foto CMG)

CMG: Nga INSTAT, nga të dhënat e tij të tetëmujorit janar-gusht 2023, kemi një lëvizje interesante. Kina ka kaluar në vend të dytë, si partnere e importeve të Shqipërisë. Në gjykimin tuaj, si e shikoni të ardhmen e marrëdhënieve tregtare Shqipëri-Kinë, si dhe të investimeve kineze në vendin tonë.    

Arian Starova: Marrëdhëniet tregtare kanë qenë të mira. Në fakt, investimet nuk kanë qenë të shumta, sa mund të ishin, por fakti që Kina ka dalë në vend të dytë si partner tregtar në importe, është një tregues.

Llogjika ekonomike ecën, pavarësisht preferencave. Ajo ecën, pavarësisht se çfarë idesh dhe vlerësimesh politike apo diplomatike, etj., mund të qarkullojnë.

Ne duhet të shikojmë interesat tona. Në rast se ka leverdi bashkëpunimi dhe investimet, përse jo? Këto janë investime, të cilat nuk krijojnë varësi, si p.sh. gazi rus, që ai, po të dojë, ta mbyll. Jo, bëhet investimi dhe nuk ndodh asgjë. Ngelet këtu.   

Intervistoi Fatos Çoçoli