Teatri i Operas dhe Baletit shfaqi së fundi operan “Flauti Magjik” për të familje dhe fëmijë. Opera gjermane me dy akte e kompozitorit Volfang Amadeus Mozart, bazohet mbi libretin e Emanuel Schikaneder. Të gjitha ngjarjet skenike dhe muzikore ndjekin një dinamikë shumë të fortë teatrale, por e shkëputur nga një logjikë dramatike.
“Flauti magjik” këtë herë për fëmijë dhe familje erdhi në skenën e TKOB-it, në Tiranë, në formën e një përralle të rikonceptuar. Një nga operat më të veçanta për fëmijë, ajo është një mënyrat më të mira për të afruar të vegjlit me muzikën klasike. Të pranishëm ishin fëmijë të moshave të ndryshme, por edhe të vegjël duke nisur që nga mosha 2 vjeç.
Në një tokë magjike, ku është e vështirë të dallosh të mirën nga e keqja, princi Tamino humbet rrugën dhe rastësisht takon një personazh qesharak të mbuluar me pupla, i quajtur Papageno. Dy të rinjtë, të mbrojtur nga fuqitë magjike të një flauti dhe një kutie muzikore, të ndihmuar dhe nga dy vajza të guximshme, Pamina dhe Papagena, sfidojnë personazhet e errëta dhe mësojnë të kapërcejnë frikën e tyre më të madhe, duke gjetur kështu edhe dashurinë e vërtetë.
Kjo përrallë erdhi me shumë ngjyrime muzikore, nën idenë regjisoriale të Ada Gurrës, me interepretimin e artistëve të rinj, por edhe me Orkestrën Simfonike të TKOB-së, nën dirigjimin e Dritan Lumshit, dhe me bashkëpunimin e Konservatorit “Umberto Giordano”, të Foggia-s, e cila u ndoq nga fëmijë të shkollave nga qytete të ndryshme.
“Flauti magjik” u shfaq në datat 14 dhe 15 tetor në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në vijim të veprimtarive që po zhvillon ky institucion për fëmijët.
Regjisorja Ada Gurra, e cila ka rrëfyer historinë e shfaqjes për fëmijët në skenë, është shprehur për mediat: “Është një vepër e cila është vendosur shumë edhe në botë për familje e fëmijë. Të njëjtën gjë bëjmë edhe ne, bashkëpunojmë me artistë të rinj, të cilët ngjiten në skenën e TKOB-it për herë të parë. Kjo është një shfaqje e përshtatur, e cila vjen disi më e shkurtër, në mënyrë që fëmijët ta kenë më të thjeshtë për ta ndjekur, të kenë vëmendjen dhe dëshirën për të qenë pjesë e kësaj shfaqjeje. Për ta bërë edhe më të lehtë për fëmijët, dialogët në gjermanisht janë përkthyer në shqip”.
Ada Gurra
Një nga fëmijët e pranishëm tregon për Radio Ejani:
CMG: Përshëndetje! Si quhesh dhe sa vjeç je?
Joeli: Unë quhem Joeli dhe jam 8 vjeç.
CMG: Është hera e parë që vjen në opera?
Joeli: Jo, për mua është herë e dytë. Kam qenë edhe një herë tjetër me mamin, babin dhe vëllanë.
CMG: Çfarë të pëlqeu më shumë nga kjo opera?
Joeli: Më pëlqeu muzika dhe ai djali i veshur me pupla, Papageno, ishte për të qeshur.
CMG: Do të vish sërish në opera?
Joeli: Po.
Misteri, magjia e përrallës mozartiane, fabula, apo një opera komike, të gjitha këto gjenden te “Flauti Magjik”. Kjo vepër e kompozuar nga Volfgang Amadeus Mozart dhe me libret të Emanuel Schikaneder është vënë për herë të parë në skenë në Vjenë, më 30 shtator 1791.
Zyrtarisht, libreti “Flauti Magjik” është shkruar nga Schikaneder, por duhet pranuar dhe influenca në çdo varg e letrarit Mozart. Ai donte që kjo vepër të ishte testamenti i tij shpirtëror.
Shumë i gjetur është kuptimi simbolik i veprës për t’ia dedikuar këtë meritë vetëm Schikaneder, sigurisht njeri i teatrit dhe këngëtar i shkëlqyer, me të drejtë interpretues i personazhit të Papagenos dhe jo Taminos. Nga ana tjetër, Mozart në finalen e rrëmbimit nga Saraji transformon historinë romantike në një parabolë të Lessingu-t mbi bujarinë dhe bashkëjetesën njerëzore.
Mbi origjinën e “Flautit Magjik” ka shumë legjenda. “Flauti Magjik” është një opera e mbushur me mister, e mbështjellë me një pëlhurë përrallore dhe pranimi me këtë kusht, pa spekuluar shumë mbi këtë, është e vetmja rrugë për të hyrë brenda botës së veprës. Të gjitha ngjarjet skenike dhe muzikore që zhvillohen në të ndjekin një dinamikë shumë të fortë teatrale, por e shkëputur nga një logjikë dramatike.
Në operën “Flauti Magjik” gjen tonin popullor dhe komik, sensualiteti dhe solemniteti i shenjtë alternohen shpeshherë me vdekjen.
Përgatiti: Sava Lena