Kryeqyteti festoi në një fundjavë të mbushur me aktivitete dedikuar muzikës, kulturës dhe aventurës. Një natë dedikuar vetëm muzikës elektronike dhe një tjetër dedikuar muzikës rok përcollën super energji për të gjithë. Aktivitete të tjera me karakter kulturor dhe argëtues plotësuan panoramën e një feste të madhe dhe të veçantë që krijoi momente të paharrueshme. Check-in Fest është kthyer në një destinacion unik për këdo që dëshiron të kalojë net të paharrueshme dhe mbi të gjitha ndryshe. Për Radio Ejani, Indrit Ymeri, përfaqësues i grupit kreativ të punës së Check-in Fest, rrëfen objektivat dhe çfarë solli ky festival i përvitshëm tashmë.
Indrit Ymeri
CMG: Indrit sa kohë keni që merreni me këtë festival?
Indrit Ymeri: Unë kam dy vite që merrem me këtë punë dhe përtej emocioneve mendoj se ky është një profesion që më ka dhënë një mundësi të madhe për të njohur veten, por edhe një grup fantastik pune. Pozicioni i përfaqësuesit të grupit kreativ më vendos në një rol përthithës të kreativitetit. Në Check-in çdo gjë është kreative dhe e bukur.
CMG: Çfarë ndërthur ky festival?
Indrit Ymeri: Ndërthur disa elementë së bashku; Argëtimin, kulturën, sportin, muzikën, nxitjen e aktivitetit dhe kuriozitetit. Ka disa pole të cilat plotësojnë njëra-tjetrën.
Nuk është vetëm muzika qendra e këtij festivali, pasi në këtë formë do të ishte i profilizuar, por ka disa elementë shtesë që kanë rezultuar shumë të dashura për publikun. Të gjitha aktivitetet promovojnë diçka të caktuar. Vitin e kaluar tema kryesore ishte qëndrueshmëria, ndërsa këtë vit ishte qyteti inovativ. Nuk mund të mungonte as muzika rok, e cila u ofrua nga muzikantë të mirë dhe elektrizoi skenat.
CMG: Cilat ishin aktivitetet e përfshira në Check-in Fest?
Indrit Ymeri: Përveç muzikës dhe paneleve të diskutimit, kishte dhe gjueti thesari (Check-in treasure hunting), një aktivitet special për të gjithë ata që janë lojtarë dhe kureshtarë. Një mundësi shumë e mirë për të zbuluar rrugicat e qytetit, historinë dhe vendet më pikante të tij.
Po ashtu, nuk mungoi as “Check-in Off Road”, adrenalinë dhe eksplorim, një tjetër lloj eksperience fantastike me automjetet 4x4 që përshkuan rrugë të paprekura dhe vende mbresëlënëse.
Checkin-Gjirokaster gjate zbulimit te destinacioneve
CMG: Pse është cilësuar një festival për qytetet tona?
Indrit Ymeri: Sepse për tri ditë me radhë, njerëz nga i gjithë vendi bëhen bashkë për të festuar dhe për t’u harruar mes turmës dhe muzikës së mirë. Ja pse festivalet na kanë munguar kaq shumë. Sepse janë vendi ideal ku, edhe pse vetëm për një fundjavë, e vetmja gjë që ka rëndësi është t’ia kalosh mirë. Nga dëshira për t’ia kaluar mirë lindi dhe Check-in Fest Albania. Një festë e madhe që viziton 5 qytete, në 5 fundjava. Festivali është një ftesë për t’u gjetur mes njëri tjetrit në rrugët e qyteteve tona dhe për të dëgjuar poezinë e tyre. Qëllimi është të rikthejmë vizitorët shqiptarë në qytetet shqiptare duke promovuar kulturën, historinë dhe artin e tyre. Ne duam t’i japim kujtdo mundësinë për të hapur mendjen, teksa shijon muzikë të mirë, njeh njerëz të rinj dhe krijon kujtime të paharrueshme. I menduar si një festival lëvizës, Check-in Fest nis në Shkodër për të udhëtuar më pas drejt Gjirokastrës, Korçës, Vlorës, e për të mbërritur në destinacionin final në Tiranë. Me një program të ngjeshur aktivitetesh, ky festival ofron diçka argëtuese për këdo. Ekspozita në qiell të hapur, festa me balona për fëmijë, gjueti thesaresh, konferenca shkencore dhe jo vetëm. Muzika e zgjedhur elektronike pushton rrugët në Check-in Party, ndërsa mbrëmja ndizet nga një koncert i madh “live” me artistë të njohur. Tri ditë të paharrueshme të mbushura me art, muzikë dhe trashëgimi. Një përvojë shumëdimensionale ku çdo aktivitet është një arsye e fortë për festuar së bashku dhe për të bërë check-in.
CMG: Si është për ju të punoni me këtë grup pune?
Indrit Ymeri: Është adrenalinë e vërtetë, pasi të gjitha ditët janë të mbushura me aktivitetet, duke marrë kënaqësi pafund. Kupton që nga zero mund të ngresh çdo gjë dhe ajo të ketë sukses të padiskutuar. Unë marr energji të punoj në këtë grup.
CMG: Psë është i rëndësishëm që ky event të bëhet çdo vit?
Indrit Ymeri: Ky event duhet të ndodhë çdo vit, sepse kemi nevojë për argëtim. Por, qëllimi i këtij festivali është më shumë se kaq. Ne çdo vit kemi nevojë të flasim, të trajtojmë tema të ndryshme dhe të zbulojmë Shqipërinë e bukur, e cila është e madhe dhe me vende që ia vlen të promovohen.
Përgatiti: Megi Latifi