Shkaqet përse shqiptarët kanë pagat më të ulëta dhe punojnë me orët më të zgjatura
2023-10-19 11:53:28

Të dhënat e Eurostat-it, që masin orët e punës për shtetet e Europës dhe disa vende të rajonit, bëjnë të ditur se punonjësit shqiptarë kanë orët e punës më të gjata në Europë, së bashku me vende të tjera të rajonit. Jo vetëm me orët më të zgjatura, ku rekord mbajnë gratë, por edhe me pagat më të ulëta. Ekspertët na sjellin një analizë të situatës se përse ndodh kjo në Shqipëri.

Adrian Civici (Foto umsh.edu.al) jpg

Adrian Civici (Foto umsh.edu.al) jpg

Shkaqet përse shqiptarët kanë pagat më të ulëta dhe punojnë me orët më të zgjatura

Një i punësuar me pagë në Shqipëri mesatarisht punoi 43.7 orë në javë në vitin 2022, nga 43.3 orë vitin e mëparshëm, sipas të dhënave të bëra publike nga INSTAT-i. Të dhënat e Eurostat-it, që masin orët e punës për shtetet e Europës dhe disa vende të rajonit, tregojnë se punonjësit shqiptarë kanë orët e punës më të gjata në Europë, së bashku me vende të tjera të rajonit. Sipas Eurostat-it, një europian punoi mesatarisht 37.5 orë në javë në vitin 2022, ose 6.2 orë më pak (pothuajse një ditë pune), sesa një shqiptar. Pas shqiptarëve, më gjatë punojnë serbët me 43.3 orë. Për Maqedoninë e Veriut, të dhënat e fundit të disponueshme janë për vitin 2020, ku mesatarja ishte 40.9 orë. Sipas Eurostat-it, në vitin 2022, java e zakonshme e punës për personat e moshës 20-64 vjeç në BE ishte mesatarisht 37.5 orë. Ky fenomen analizohet nga eksperti i ekonomisë Adrian Civici në dy elementë.

“Në radhë të parë ne kemi një nivel të ulët pagash që është dominues në të gjithë sistemin e punësimit në Shqipëri dhe së dyti për orët e gjata, mosrespektimi i asaj që tashmë është rregulli bazë i orëve të punës 8 orë dhe fundjava pushim, siç është vendosur prej dhjetëra e dhjetëra vitesh në të gjitha vendet e zhvilluara dhe jo vetëm.

Do ta filloja nga e para, që sistemi i pagave nuk është element subjektiv në vetvete, pra që është produkt i politikave sociale, apo i vullnetit politik, apo dashamirësisë së një punëdhënësi, qoftë ky punëdhënës publik apo privat, por është një element që reflekton nivelin e zhvillimit ose atë që quhet shkalla e produktivitetit të punës, e lidhur ngushtë edhe me cilësinë e kapitalit apo nivelin e zhvillimit që ka një sektor i caktuar apo shumë sektorë të tillë”,- deklaroi Civici.

Ore pune (Foto Opinion.al) jpg

Ore pune (Foto Opinion.al) jpg

Shkak është edhe produktiviteti i ulët në punë

“Nga të gjitha studimet që janë realizuar, shumica e vendeve të punës në Shqipëri janë me produktivitet të ulët, produktivitet të ulët kapitali dhe produkt të ulët të vetë punës, që lidhet ngushtë me cilësinë e kapitalit njerëzor ose me ato standarde profesionale që kërkohet në shumë vende pune. Pra, shpërblimi i punës në Shqipëri bën diferencën me vendet e tjera, sepse diferenca fillon dhe vazhdon me nivelin e cilësisë që ka ekonomia shqiptare sot në shumë sektorë shërbimesh apo prodhimi”,- theksoi Civici.

Në Shqipëri ka një numër të lartë të punësuarish në sektorë që karakterizohen jo shumë të paguar

“Ne kemi gati 90 dhe ndoshta 100 mijë të punësuar në sektorin e industrisë fason, në “call center”, apo shërbime të tjera bazike. Duke pasur parasysh karakteristikat e këtij sektori natyrisht që edhe niveli i pagave reflekton nivelin e kapitalit, cilësinë e kapitalit, apo produktivitetin e punës që kërkohet. Në ato vende ku pagat janë më të larta se në Shqipëri, apo të larta në përgjithësi, edhe vetë ekonomia është cilësore. Pra, nuk mundet që vetëm me politika sociale, vullnet politik apo vullnetarizëm social të mund të përballemi me problemin e pagave të ulëta që kemi. Natyrisht që vendosja e një page minimale, siç u veprua, e ngre nivelin. Mos të harrojmë që para disa vitesh ishte 25 mijë lekë, pastaj shkoi 30 apo 35 mijë lekë dhe tani 40 mijë lekë. Ndoshta mund të rritet dhe pak më shumë. Por, gjithsesi është një element që mund t’i japë efektet e veta në produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e shumë bizneseve në Shqipëri që tani po fillojnë të ndjejnë elementin e kostos së fuqisë punëtore. Një pjesë e madhe e bizneseve që ne kemi, koston e fuqisë punëtore e kanë gati 60-70% të kostos për gjysmën e aktivitetit të tyre. Për çdo vendim apo rritje pagash natyrisht që nga pikëpamja sociale është e domosdoshme e kërkuar, është diçka shumë njerëzore në anën sociale kjo që ndodhi, por nga pikëpamja e biznesit, e mbijetesës së tij, apo e përballimit të konkurrencës natyrisht që duhet parë me kujdes, se nuk mund të shkojmë në rritjen e çmimeve. Mund të bëhet më shumë dëm sesa të ketë efekte pozitive”,- thotë eksperti.

Diferenca më e lartë mes orëve të punës mes të punësuarve në Shqipëri dhe atyre në Bashkimin Europian është te femrat. Gratë në Europë duket se janë më të privilegjuara se ato në Shqipëri, teksa punojnë më pak orë dhe si rrjedhojë kanë më shumë kohë të lirë që të merren me familjen dhe fëmijët. Në Shqipëri, sipas INSTAT-it, meshkujt punojnë mesatarisht 44.8 orë pune në javë dhe femrat 42.5 orë.

Punonjes(Foto Oranews) jpg

Punonjes(Foto Oranews) jpg

“Në fakt mendoj se është problem jo vetëm në Shqipëri por edhe ndërkombëtar, si në vendet në zhvillim apo të zhvilluara dhe në ato që janë me ekonomi emergjente. Kjo është një çështje që ia vlen vazhdimisht të diskutohet. Dy janë elementet që mund të rregullohen: Së pari, procesi ligjor dhe institucional. Duhen vendosur disa rregulla dhe ligje të forta e më të qarta për mos të lejuar këtë lloj diferencimi. Dhe së dyti, ka të bëjë me mënyrën se si ndërtohet një karrierë profesionale apo dhe karrierë drejtuese në raport mes meshkujve dhe femrave. Në përgjithësi, shoqëria dhe ekonomia shqiptare janë më maskiliste. Femrat e kanë më të vështirë se meshkujt për të bërë karrierë. Megjithëse nga pikëpamja e cilësisë profesionale, apo arsimimi i tyre, nuk është se ka një dallim më të madh apo se janë mbrapa në këtë drejtim. Mendoj se është pjesë e një psikologjie të punësimit, psikologjie të shpërblimit apo pune, duke vazhduar me një diferencim për sa i përket mundësive të barabarta për të avancuar në karrierë, të cilat lidhen ngushtë dhe me sistemin e pagave që ka çdo etapë e kësaj karriere”,- deklaroi Civici.

Të dhënat e Eurostat-it bëjnë të ditur se femrat në Bashkimin Europian punojnë mesatarisht 34.7 orë në javë. Sipas INSTAT-it, në Shqipëri, gratë punojnë 42.5 orë në javë, ose 7.8 orë më shumë sesa në vendet e BE-së. Në Gjermani, gratë punojnë vetëm 31.2 orë në javë, ndërsa në Holandë, që ka nivelin më të ulët në Europë, java e punës zgjat vetëm 28.5 orë. Sipas Eurostat-it, meshkujt punojnë mesatarisht 39.9 orë për mesataren e Bashkimit Europian, ku më e ulëta është në Holandë (37.4) dhe më e larta në Islandë (42.2).

Diferenca në orët e punës mes meshkujve në Shqipëri dhe mesataren e BE-së është 4.9 orë, shumë më e ulët se ajo e femrave.