Kompanitë kineze të tregtisë elektronike dhe logjistikës po shtojnë përpjekjet për të zgjeruar rrjetet e shpërndarjes dhe për të ndërtuar infrastrukturën logjistike në Europë, me synimin për të rritur efikasitetin e ofrimit dhe për të mbrojtur stabilitetin e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit. Disa prej këtyre kompanive, nga ato të shitjeve në internet, tek ato që ofrojnë shërbimet e ngarkesave ajrore, po zgjerojnë flotën e tyre në Europë.
Tregtia elektronike kineze - fuqitë logjistike po përmirësojnë performancën e tyre në të gjithë Evropën
Kompanitë kineze të tregtisë elektronike dhe logjistikës po shtojnë përpjekjet për të zgjeruar rrjetet e shpërndarjes dhe për të ndërtuar infrastrukturën logjistike në Europë.
“Ochama”, marka e shitjes me pakicë e gjigantit kinez të tregtisë elektronike “JD”, kohët e fundit njoftoi zgjerimin e shërbimeve të saj të shpërndarjes në shtëpi në 19 vende të tjera, pasi kompania synon të zgjerojë praninë e saj në kontinent.
Një konsumues po mbledh mallrat e tij në shtëpinë e “Ochama”në Hollandë /China Daily
Lançuar për herë të parë në Holandë në janar 2022, “Ochama” ofron një model me pakicë që bashkon përvojat e blerjeve fizikisht dhe në internet. Blerësit mund të shijojnë komoditetin e porositjes së produkteve në internet përmes aplikacionit të “Ochama”, ku ofrohet një gamë e gjerë mallrash, si ushqimi, pajisjet elektronike të konsumit, produktet e bukurisë dhe ato të nënave dhe foshnjave.
Me këtë zgjerim, shërbimi i dërgesave në shtëpi i “Ochama” ofrohet në 24 vende, duke u integruar me shërbimet ekzistuese në Holandë, Luksemburg, Belgjikë, Francë dhe Gjermani.
Aktualisht, “Ochama” ka krijuar më shumë se 500 pika në Europë dhe operon një magazinë prej 20.000 metrash katrorë në Holandë, të mundësuar nga robotët AGV (automjet me drejtim automatik) që rrisin ndjeshëm efikasitetin e klasifikimit. Të gjitha porositë paketohen në depon e automatizuar të “Ochama” në Holandë përpara se të dërgohen në destinacionet e tyre përfundimtare.
“Depot jashtë shtetit dhe rrjetet e dërgesave ekspres shërbejnë si infrastrukturë jetike, që nxisin rritjen e sektorit të tregtisë elektronike ndërkufitare të Kinës”,- tha Zhang Zhouping, një analist i lartë i aktiviteteve ndërkufitare në Institutin e Ekonomisë në Internet.
“Cainiao Network”, krahu logjistik i gjigantit “Alibaba Group Holding Ltd”, po përshpejton gjithashtu hapat për të ndërtuar rrjete logjistike dhe për të rritur shërbimin e saj në Evropë.
Ajo ka zgjeruar rrjetin e dërgesave në Spanjë, duke ofruar dërgesa të shpejta njëditore në nëntë qytete të mëdha, duke përfshirë Madridin dhe Barcelonën, si dhe shërbimin e dërgesave dyditore në mbi njëzet qytete të tjera spanjolle. Rrjeti i dërgesave fuqizohet nga investimet e “Cainiao” në infrastrukturën inteligjente të logjistikës, si qendrat e automatizuara të klasifikimit dhe dollapët e pakove.
Kompania ka zhvilluar një rrjet prej rreth 500 dollapësh në Madrid dhe Barcelonë për të ofruar përvoja më të shpejta, më efikase dhe reduktuese të karbonit.
“SF Airlines”, dega e aviacionit e gjigantit logjistik “SF Express”, ka investuar shumë në ofrimin e shërbimeve të ngarkesave ajrore dhe zgjerimin e flotës së saj të mallrave në Europë. Ajo nisi një rrugë të re ngarkesash ajrore që lidh Ezhou, në provincën Hubei, me Frankfurtin në Gjermani në muajin korrik.
Lu Zhenwang, CEO i “Wanqing Consultancy” me qendër në Shangai, tha se përpjekjet për të investuar në magazina jashtë shtetit dhe në ndërtimin e zinxhirit të furnizimit do të rrisin konkurrencën e ndërmarrjeve kineze të tregtisë së jashtme dhe do të forcojnë shitjet e produkteve kineze në tregjet jashtë shtetit.
Për më tepër, zhvillimi i biznesit ndërkombëtar të transportit ajror do t'i ndihmojë ndërmarrjet të rrisin kapacitetin e transportit të mallrave në distanca të gjata dhe të përmirësojnë më tej efikasitetin e dërgesave ndërkufitare, tha Yang Daqing, zëvendësdrejtor i kërkimit në Federatën Kineze të Logjistikës dhe Blerjeve.