Kina: Bashkëndërtim me cilësi të lartë i “Një brez, një rrugë”, me synim “modernizimin e përbashkët”
2023-10-19 17:56:22

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Më 18 tetor, u zhvillua në Pekin ceremonia e hapjes e Forumit të 3-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar “Një brez, një rrugë”. Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping mori pjesë në këtë ceremoni dhe mbajti një fjalim me temën “Ndërtimi i një bote me hapje, përfshirje, ndërlidhje dhe zhvillim të përbashkët”.

 

Në fjalimin e tij, Xi vuri në dukje që sivjet është 10-vjetori i paraqitjes së nismës “Një brez, një rrugë”. Synimi origjinal i kësaj nisme është që, duke u frymëzuar nga Rruga e lashtë e Mëndafshit, me ndërlidhjen si linjë kryesore, të shtojë ndërlidhjen në politika, infrastrukturë, tregti, financa dhe zemrat e popujve, të japë energji të re për rritjen ekonomike të botës, të krijojë hapësirë të re për zhvillimin global dhe të formojë një platformë të re për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar.

 

"Gjatë 10 vjetëve të fundit, ne jemi fokusuar te synimi ynë origjinal dhe kemi punuar së bashku për të nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar në kuadër të 'Një brez, një rrugë' nga zeroja, dhe tani kemi arritur rezultate të pasura. Bashkëpunimi lidhur me 'Një brez, një rrugë' është zgjeruar nga kontinenti euroaziatik deri në Afrikë dhe Amerikën Latine. Më shumë se 150 vende e mbi 30 organizata ndërkombëtare kanë nënshkruar dokumente bashkëpunimi dhe kanë krijuar më shumë se 20 platforma profesionale të bashkëpunimit shumëpalësh. Një numër i madh projektesh simbol dhe projektesh 'të vogla, por të bukura' janë futur në fazën e zbatimit praktik. Konsultimi i përbashkët, ndërtimi i përbashkët dhe ndarja e përbashkët, një nismë e hapur, e gjelbër dhe e pastër, me standard të lartë, me përfitime për jetën e njerëzve dhe e vazhdueshme janë bërë parimet e rëndësishme të bashkëndërtimit me cilësi të lartë të 'Një brez, një rrugë'," tha ai.

 

Në këtë fjalim, Xi Jinping-u shpalli gjithashtu që Kina do të mbështetë ndërtimin me cilësi të lartë të “Një brez, një rrugë” dhe për këtë qëllim janë përcaktuar tetë veprimet kryesore.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ndërtimi i rrjetit të ndërlidhjes të “Një brez, një rrugë”

Kina do të përshpejtojë zhvillimin me cilësi të lartë të trenave të mallrave Kinë-Europë, do të marrë pjesë në ndërtimin e Korridorit Trans-Kaspik të Transportit Ndërkombëtar, do të zhvillojë forumin e bashkëpunimit ndërkombëtar lidhur me trenat Kinë-Europë dhe do të formojë me të gjitha palët kanalin e ri logjistik të Euroazisë me transport të drejtpërdrejtë hekurudhor dhe rrugor. Krahas kësaj, do të nxitet aktivisht zhvillimi kompleks i transportit detar dhe do të përshpejtohet ndërtimi i kanaleve të reja tokësore-detare dhe i Rrugës Ajrore të Mëndafshit.

 

Mbështetja për një ekonomi të hapur botërore

Kina do të krijojë zonën pilot të bashkëpunimit të “Tregtisë elektronike në Rrugën e Mëndafshit”, do të nënshkruajë marrëveshje të tregtisë së lirë e të mbrojtjes së investimeve me më shumë vende dhe do të heqë në mënyrë të gjithanshme masat kufizuese ndaj investimeve të huaja në sektorin e prodhimit. Kina do të nxitë hapjen me nivel të lartë të tregtisë së shërbimeve e të investimeve, do të lehtësojë hyrjen e produkteve digjitale dhe do të thellojë reformat në ndërmarrjet shtetërore, ekonominë digjitale, pronësinë intelektuale dhe prokurimet qeveritare. Krahas kësaj, Kina do të zhvillojë çdo vit Ekspozitën Globale të Tregtisë Digjitale.

 

Në pesë vjetët e ardhshëm (2024-2028), niveli i import-eksportit të tregtisë së mallrave dhe të shërbimeve pritet të arrijë përkatësisht mbi 32 trilionë dollarë dhe 5 trilionë dollarë.

 

Bashkëpunimi praktik

Kina do të nxitë projektet simbol dhe “projektet e vogla, por të bukura” për jetesën e njerëzve. Banka e Zhvillimit e Kinës dhe Banka e Import-Eksportit e Kinës do të krijojnë secila kanale financimi prej 350 miliardë juanësh dhe Fondi i Rrugës së Mëndafshit do të shtohet me 80 miliardë juanë, me synim që të mbështetet bashkëndërtimi i projekteve të “Një brez, një rrugë”. Në konferencën e sipërmarrësve të zhvilluar gjatë forumit, u nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me vlerë prej 97.2 miliardë dollarësh. Kina do të zbatojë 1 mijë projekte të vogla ndihme për jetesën e njerëzve. Me “punishtet Lu Ban” do të nxitet bashkëpunimi në arsimin profesional dhe do të forcohet garantimi i sigurisë për projektet dhe punonjësit e “Një brez, një rrugë”.

 

Nxitja e zhvillimit të gjelbër

Kina do të vazhdojë të thellojë bashkëpunimin në infrastrukturën e gjelbër, energjinë e gjelbër dhe komunikacionin e gjelbër, do të shtojë mbështetjen për Aleancën Ndërkombëtare të Zhvillimit të Gjelbër të “Një brez, një rrugë”, do të vazhdojë të zhvillojë Konferencën e Inovacionit të Gjelbër “Një brez, një rrugë” dhe do të formojë mekanizmin e dialogut të sektorit fotovoltaik.

 

Krahas kësaj, Kina do të zbatojë praktikisht parimin e investimeve të gjelbra të “Një brez, një rrugë” dhe do të zhvillojë trajnim për 100 mijë veta në vendet partnere para vitit 2030.

 

Nxitja e inovacionit teknologjik

Kina do të vazhdojë të zbatojë programin e inovacionit teknologjik “Një brez, një rrugë”, do të zhvillojë konferencën e parë të shkëmbimeve teknologjike të “Një brez, një rrugë”, do të shtojë numrin e laboratorëve të përbashkët me të gjitha palët në 100 në pesë vjetët e ardhshëm dhe do të mbështetë shkencëtarët e rinj të palëve të ndryshme të punojnë për një periudhë afatshkurtër në Kinë. Në këtë forum Kina propozoi Nismën e Qeverisjes Globale të Inteligjencës Artificiale dhe shprehu gatishmërinë për shtimin e komunikimit e për të nxitur bashkë me palët zhvillimin e rregullt dhe të sigurt të sektorit të inteligjencës artificiale.

 

Mbështetja për shkëmbimet njerëzore

Kina do të zhvillojë Forumin "Liangzhu" për të thelluar dialogun e qytetërimeve me vendet bashkëndërtuese të “Një brez, një rrugë”. Në bazën e krijimit të teatrit ndërkombëtar, festivalit artistik, muzeut, galerisë dhe librarisë të Rrugës së Mëndafshit, do të formohet edhe Aleanca e Qyteteve Turistike e Rrugës së Mëndafshit dhe do të vazhdojë programi i bursave qeveritare kineze “Rruga e Mëndafshit”.

 

Ndërtimi i një rruge të pastër

Kina, bashkë me vendet e tjera partnere, do të publikojë “Arritjet dhe perspektivat e punës antikorrupsion të ‘Një brez, një rrugë’”, do të shpallë “Parimet e larta të ndërtimit të pastër të ‘Një brez, një rrugë’”, do të krijojë sistemin e vlerësimit të ndërmarrjeve e do të zhvillojë bashkë me organizatat ndërkombëtare studime dhe trajnim kundër korrupsionit.

 

Përmirësimi i sistemit të bashkëpunimit ndërkombëtar të “Një brez, një rrugë”

Me vendet bashkëndërtuese të “Një brez, një rrugë”, Kina do të shtojë ndërtimin e platformave të bashkëpunimit në energjetikë, tatim-taksa, financë, zhvillimin e gjelbër, pakësimin e fatkeqësive, antikorrupsion, grupet studimore, media dhe kulturë. Kina do të vazhdojë të zhvillojë Forumin  për Bashkëpunimin Ndërkombëtar “Një brez, një rrugë” dhe do të formojë sekretariatin e këtij forumi.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Gjatë 10 vjetëve të kaluar, nisma “Një brez, një rrugë” ka pasur arritje të pasura. Xi në fjalimin e tij u shpreh që këto arritje gjatë 10 vjetëve të kaluar janë mjaft të çmuara. “Kemi kuptuar thellësisht që njerëzimi është një komunitet me fate të përbashkëta. Kina është mirë vetëm kur bota është mirë dhe bota është mirë vetëm kur Kina është mirë. Me bashkëndërtimin e 'Një brez, një rrugë', Kina do ta hapë gjithnjë e më shumë derën e saj dhe tregu kinez do të ketë lidhje më të ngushtë me tregun botëror,” theksoi ai.

 

Në fund të fjalimit, Xi vuri në dukje që nisma “Një brez, një rrugë” e ka origjinën nga Kina, por arritjet dhe mundësitë e saj i takojnë tërë botës. “Ne do të mbajmë në mend dëshirat e popullit, do të mbajmë përgjegjësinë historike, do të përparojmë me vullnet të vendosur, do të thellojmë bashkëpunimin ndërkombëtar të 'Një brez, një rrugë' dhe do të ndërtojmë me cilësi e nivel më të lartë 'Një brez, një rrugë', do të nxisim modernizimin e vendeve të botës, do të ndërtojmë një botë me hapje, përfshirje, ndërlidhje e zhvillim të përbashkët dhe do të nxisim formimin e një komuniteti me fate të përbashkëta të njerëzimit,” theksoi Xi. (Jiang Lei)