“Rruga e lumturisë” që favorizon mbarë globin
2023-10-19 14:28:47

foto nga CCTV

 Impiant i trajtimit të ujërave të zeza në fshatin Dasherkandi në periferinë jugore të Dakës / foto nga CCTV

Në fshatin Dasherkandi në periferinë jugore të Dakës, kryeqytetit të Bangladeshit, u përurua kohët e fundit një impiant modern i trajtimit të ujërave të zeza, i ndërtuar nga një kompani kineze. Ky impiant mund të trajtojë ujërat e zeza për 5 milionë banorë të Dakës dhe do të përmirësojë shumë mjedisin ujor në këtë qytet.

Rakbul Hasam Shanto, mbikëqyrësi i sigurisë dhe i pastërtisë i Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Zena në Dasherkandi, i tha gazetarit të CMG-së:

“Në të kaluarën ujërat këtu nuk ishin të mira, por tani janë bërë të pastra dhe ka shumë peshq. Kjo na ofron edhe shumë mundësi punësimi. Një numër familjesh këtu mbështeten te kapja dhe shitja e peshqve.”

Ky impiant i trajtimit të ujërave të zeza, më i madhi në Azinë Jugore, është ndër projektet e bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe Bangladeshit në kornizën e ndërtimit të përbashkët të “Një brez, një rrugë”. Kjo nismë ka nxitur jo vetëm ndërlidhshmërinë dhe zhvillimin ekonomik të vendeve pjesëmarrëse, por edhe u ka sjellë më shumë të mira vendësve, falë ngritjes së aftësisë së vendeve pjesëmarrëse në zbutjen e varfërisë.

Georg Zanger, kryetari i Shoqatës së Tregtisë Austri-Kinë, vuri në dukje: “Sipas një raporti të Bankës Botërore, deri në vitin 2030 nisma ‘Një brez, një rrugë’ pritet të ndihmojë 7.6 milionë banorë të shkëputen nga varfëria ekstreme dhe 32 milionë nga varfëria relative.”

Dennis Francis, presidenti i sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, shprehet: “Mendoj që nisma ‘Një brez, një rrugë' ka potencial të konsiderueshëm në bashkërendimin dhe mbështetjen e zbatimit të Agjendës 2030 të OKB-së.”

Ndërtimi i përbashkët i “Një brez, një rrugë” ka krijuar edhe shumë raste cilësore punësimi, ka shtuar të ardhurat e banorëve të vendeve pjesëmarrëse dhe ka përmirësuar perspektivën e zhvillimit të tyre profesional.

foto nga CFP

Porti i Pirekut/ foto nga CFP

Investimet e ndërmarrjes kineze në portin e Pireut të Greqisë jo vetëm e kanë rigjallëruar këtë port, por edhe kanë krijuar mbi 3 mijë vende pune në mënyrë të drejtpërdrejtë, si edhe mbi 10 mijë vende pune në mënyrë të tërthortë. Sot porti i Pireut është bërë porti nr. 1 në Mesdhe dhe porti i katërt më i madh në Evropë.

Savvas Sanozidis, sekretari i Bordit të Drejtorëve të Autoritetit të Portit të Pireut, tha: “45 për qind e punonjësve janë nga lagje jo shumë të zhvilluara dhe kjo është në dobi të këtyre lagjeve.”

Në qytetin Tanque Novo në Verilindje të Brazilit, projekti i energjisë me erë jo vetëm plotëson kërkesën e përdorimit të energjisë elektrike për 430 mijë familje në vit, por ka krijuar po ashtu mbi 1 mijë vende pune.

Paul Ricardo, kryebashkiaku i qytetit Tanque Novos, tha: “Veçanërisht zona jonë është një zonë e varfër në Verilindje të Brazilit,  ku shumë banorë janë larguar. Por me ardhjen e kompanive kineze, janë krijuar vende pune dhe banorët dëshirojnë të qëndrojnë këtu.”

foto nga

Projekti i energjisë me erë në qytetin Tanque Novo në Verilindje të Brazilit / foto nga CGN

Falë parimit të konsultimit, ndërtimit dhe ndarjes së përbashkët, favorizimi i banorëve vendorë është bërë një veçori e nismës “Një brez, një rrugë”. Sipas një sondazhi të bërë kohët e fundit nga CGTN dhe Universiteti Renmin i Kinës, 85 për qind e të pyeturve në vendet pjesëmarrëse janë të mendimit se nisma “Një brez, një rrugë” ka përmirësuar konkretisht jetesën në vendet e tyre. 83.5 për qind, 74.8 për qind dhe 73.8 për qind e të pyeturve pohuan rolin e kësaj nisme përkatësisht në nxitjen e punësimit, ngritjen e të ardhurave dhe pakësimin e varfërisë.

Vicentiu Gheorghe, presidenti i nderit i Shoqatës ChinaRo, tha: “Gjatë 10 vjetëve pas paraqitjes së nismës ‘Një brez, një rrugë’, u krijuan gjithsej 420 mijë vende pune për vendet pjesëmarrëse.”

Abdulaziz Alshaabani, eksperti i Arabisë Saudite mbi çështjen e Kinës, shpreh mendimin: “Ndërtimi i përbashkët i ‘Një brez, një rrugë’ synon leverdinë e ndërsjellë dhe përfitimet e përbashkëta të vendeve të ndryshme, duke e udhëhequr botën drejt bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit. Kjo nismë e Kinës e ka mrekulluar botën dhe do të ketë një zhvillim në nivel më të lartë.” (Wang Lei/ Artan)