Tirana është një qytet i bukur, më të bukur e bëjnë njerëzit që jetojnë në të, por gjatë viteve të fundit një tendencë e re, po e bën edhe më të bukur e të dashur kryeqytetin shqiptar. Është fjala për instalacionet si mjete artistike, estetike, edukuese dhe formuese që zënë disa nga sheshet e Tiranës.
“Reja”
Instalacioni ‘Reja’ e artistit japonez Sou Fujimoto është një vepër arti monumentale dhe një hapësirë moderne për jetën kulturore në Tiranë. Që prej vitit 2017 “Reja” ka shërbyer si një hapësirë për eventet kulturore dhe artistike në kryeqytet.
Pavioni është një strukturë delikate tri-dimensionale. Secila njësi përbëhet nga shufra të holla çeliku, në drejtkëndësha me përmasa 800 mm dhe 400 mm. Struktura formon një thurje të çrregullt e gjysmë të tejdukshme, e cila, në të njëjtën kohë, i mbron vizitorët nga elementët, por edhe i lejon ata të mbeten pjesë e peisazhit. Gjurma e ndërtesës është 350 metra katrore dhe ka dy hyrje. Një seri tarracash të shkallëzuara të krijojnë mundësinë për t’u ulur brenda “Resë”, çka e lejon pavionin që të përdoret si hapësirë shoqërore fleksibël e shumë-funksionale.
“Reja” është shndërruar në një nga atraksionet më tërheqëse, duke funksionuar edhe si një hapësirë e pavarur artistike, me një kalendar të pasur aktivitetesh kulturore e sociale. Sidomos gjatë mbrëmjeve të verës, ajo bëhet skena më e preferuar për teatrin, kinemanë dhe muzikën.
"Reja" ndodhet përballë Galerisë së Arteve, në bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë.
“Zâni”
"Zâni", është ndër veprat më interesante e artit publik që është vendosur në qendër të Tiranës dhe që ka si autor skulptorin e njohur Sadik Spahija. Eshtë një instalacion elegant dhe modern njëkohësisht, në një nga hapësirat urbane të kryeqytetit, duke u kthyer edhe në një atraksion të bukur turistik.
Vepra në vetvete ka një qasje që i takon komunikimit shpirtëror, një qasje që krijon një metaforë të natyrës apo të muzikës. Në embrionin e vet ajo ishte konceptuar si një organo muzikore, pasi historia jonë kulturore ka rëndësi që të jetë në sheshe.
Rrugës ajo u transformua në një strukturë që nënkupton edhe një grup pemësh, që njerëzit të mos e konsiderojnë si një pengesë.
Kjo vepër synon afrimin e publikut me artin bashkëkohor, përmes instalimit të veprave të artit në hapësira publike, pa nevojën e hyrjes në galeri apo muze.
Vepra "Zâni" e Sadik Spahisë është e përmasave shumë të mëdha, ajo arrin 16 m lartësi e gjerësi. Të konsideruara në versionin figurativ si degë pemësh, këto tuba ndërthuren për t’i bërë hije kalimtarit, e njëkohësisht duke e lënë atë të shijojë edhe depërtimin e dritës së diellit. Ky instalacion, kaq elegant, na afrohet si një përjetim urban i formave të së ardhmes, të njeriut që pavarësisht ku shkon me krijimet e tij, mbetet pashmangshmërisht i lidhur me zërin e vëllimet që ai gjen të gatshme tek poetika e natyrës: gjithmonë perfekte.
Njerëzit janë të ftuar të bashkëveprojnë dhe të dialogojnë me këtë vepër. Njerëzit mund të ulen tek ai shesh, ta konsumojnë atë hapësirë, pse jo, të zhvillojnë edhe debate kulturore dhe artistike.
Mund ta përdorin si vendtakim, apo si pikë atraktive për fotografi si kujtim të vizitës në kryeqytetin shqiptar. Kjo është një vepër që kërkon të përcjellë paqe dhe harmoni mes natyrës e urbanes, apo si ndërlidhëse e tyre.
Zani ndodhet në Bulevaridin Zogu i Parë.
“Radura”
Radura është një instalacion i përkohshëm dizenjuar dhe ndërtuar nga arkitekti Italian Stefano Boeri. Pas qëndrimit/ekspozimit në disa prej qyteteve kryesore të Italisë, vjen në Tiranë në lulishten para Kryeministrisë si hapësira më e re interaktive e qytetit. Radura është menduar e dizenjuar të shenjojë një strehë nga kaosi dhe zhurma e qytetit, një hapësirë ku mund të ulesh, të pushosh, të presësh; veprime të përditshmërisë të cilat janë bërë të vështira gati të pamundura në ritmet e jetës së sotme urbane që në qendër ka lëvizjen, shpejtësinë dhe kohën e pamjaftueshme. Radura nuk është vetëm një përvojë vizuale dhe e prekshme, ajo në vetvete është një instrument muzikor, ritmi i së cilës formësohet dhe ndryshon në varësi të lëvizjes së vizitorëve.
Në mbrëmje ajo shndërohet në një rreth të ndriçuar duke e kthyer në vëmendje vizuale të kalimtarëve.
Radura ndodhet në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
“Cosmic S”
Skulptura “Cosmic S” është një instalacion i krijuar nga piktori Helidon Xhixha dhe që është vendosur në sheshin tek rrethrrotullimi i Zogut të Zi. Instalacioni është projektuar si dy piramida të parregullta të balancuara me përpikmëri njëra mbi tjetrën, që pasqyrojnë dy përqasje të ndryshme, të dyja të domosdoshme për të bashkë-ekzistuar në një shoqëri që do të lulëzojë në një botë në të cilën vetë populli i saj dhe kulturat e ndryshme që përfaqësojnë janë të lidhura ngushtë.
Piramida e parë është bërthama instiktive dhe shpirtërore e njerëzimit. Është realizuar me majën e drejtuar kah poshtë, ku ëndrrat dhe vlerat pozitive janë vendosur në nivelin më të lartë dhe përhapen poshtë, drejt një kanali të vetëm komunikimi, të përpunuar me kujdes, ose më saktë drejt shpirtit, ende thelbësisht “i transmetueshëm” në natyrë.
Piramida e dytë është bota, sikundër perceptohet dhe jetohet nga vetë banorët e saj, nga personat që përdorin “shërbimet” e saj, dhe për nga natyra është e pozicionuar nga poshtë lart. Sigurisht, është edhe më e madhe dhe përbëhet nga një rrjet i ndërlikuar diskutimesh, marrëdhëniesh dhe ndërveprimesh. “Cosmic S” vjen si simbolikë e fuqishme e transformimit të Tiranës.
“Lokomotiva”
Si një simbol i rrugëtimit dhe zhvillimit të Tiranës nëpër vite, pranë Bulevardit të Ri, gjendet instalacion i një lokomotive me avull, për të risjellë në kujtesë të kaluarën.
Lokomotiva me avull e vendosur tek Bulevardi i Ri, e quajtur "Avullorja 02", u prodhua në 1951-shin në Poloni dhe ndaloi së funksionuari në Shqipëri rreth vitit 1986. Në fillim shërbeu për transportin e udhëtarëve e më pas për trenat e mallrave. Tani shërben për të rikthyer të kaluarën, duke vendosur kontakte me të tashmen, me Tiranën dhe Shqipërinë në zhvillim.
Restauratori Frederik Stamati ishte iniciator i vendosjes së këtij instalacioni në Tiranë, pikërisht aty kur dikur ka qenë Stacioni i Trenit. Vendosja e lokomotivës, është kthyer shpejt në një atraksion turistik për të gjithë nostalgjikët, por edhe brezin e ri, pasi po rriten në një Shqipëri pa trena.
“Shqipëria është Biodiversitet”
“Shqipëria është Biodiversitet” është një vepër arti tashmë e vendosur në sheshin Skënderbej në Tiranë. Ajo ka për synim ndërgjegjësimin mbi ekosistemet dhe speciet fantastike që banojnë në Shqipëri. Vepra është realizuar si një imazh i rikonceptuar i mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar të Tiranës. Duke konsideruar artin si një mjet të shprehjes dhe interpretimit, “Shqipëria është Biodiversitet” vjen si punë që synon të nxisë kureshtje, reflektim dhe diskutim të hapur mbi kërcënimin e vazhdueshëm ndaj botës së egër në Shqipëri. Ky është një instalim jo i përhershëm, por që mbart shumë peshë.
Instalacionet e përkohshme janë një tendencë e mjediseve urbane, me tematika dhe kohëzgjatje të ndryshme, që cilat hijeshojnë qytetet gjithnjë e më shumë.
Vetëm para pak kohësh në Tiranë u vendosën instalacione tematike si përshembull: “Këpucët e kuqe”, si sensibilim ndaj dhunës që ushtrohet kundër grave; “Fjalori i Gjuhës shqipe” dhe “Bukurshkrimi”, si sensibilizim për ruajtjen e pastër të gjuhës, etj.
Neritana Kraja