Edicioni i 10-te i Dea Open Air
Në një atmosferë festive në një mbrëmje gala, që u mbajt në kryeqytetin shqiptar mbrëmjen e së enjtes, “Dea Open Air” e përfundoi këtë edicion jubilar, duke ofruar sërish një përvojë të re kulturore për Tiranën si dhe duke vijuar të zgjerojë hartën e njohjes së kinemasë botërore.
Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, artistët laureatë iu drejtuan festivalit me video përshëndetëse. Organizatorët, Edmond Topi (drejtor) dhe Mirela Oktrova (drejtoreshë artistike), duke shpallur mbylljen e edicionit të 10-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Dea Open Air”, njoftuan mbajtjen e tij edhe vitin e ardhshëm.
Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, Mirela Oktrova tregon për oganizimin e këtij edicioni në Tiranë dhe risitë e tij.
CMG: Cilat ishin risitë e edicionit të 10-të të “Dea Open Air” që u organizua në Tiranë?
Mirela Oktrova: “Dea Open Air International Film Festival” ka organizuar pesë edicione në Sarandë e Gjirokastër dhe ky ishte edicioni i pestë në Tiranë. Në të morën pjesë 38 filma nga 22 vende të botës, të cilët konkuruan në katër seksione. Për filmin me metrazh të gjatë konkurruan 7 filma, në seksionin e filmit me metrazh të shkurtër 18 filma, për filmin studentor 7 prodhime dhe në seksionin e filmit dokumentar konkurruan 7 filma.
Edicioni i sivjetëm ka pasur një specifikë, sepse autorët kanë qenë të fokusuar te problemet e individit, te bota e brendshme, e qasjeve disi filozofike, te raportet me vetveten, te luftërat e vogla dhe të mëdha të individit për të mbijetuar nga pikëpamja psikologjike në shoqëri, te luftërat midis individit dhe komunitetit, sfidat e botës së brendshme e kështu me radhë. Mbase dhe për një arsye të thjeshtë kinemaja në përgjithësi, por dhe shoqëritë, janë ende në kërkim të vetvetes pas viteve të gjata të pandemisë dhe sfidave të shumëfishta që prodhoi jo vetëm pandemia, por dhe konfliktet aktuale.
Këtë vit kemi pasur dhe një përfaqësues të kinematografisë ukrainase në seksionin e filmit dokumentar, “Adresë në mur”, regjisori i të cilit është ndarë nga jeta. Për këtë arsye, filmi ishte në një farë mënyre shfaqje homazh. Ndërsa një film tjetër i një regjisori gjerman i referohej pasojave të pandemisë. Kështu që të gjitha sfidat, që kanë prodhuar sfida të tjera, kanë qenë prezente në festival.
Drejtori i festivalit Edmond Topi
Regjisori i njohur Piro Milkani
CMG: Ky festival i filmit prej 10 vitesh mbetet unik në llojin e vet, sepse ka disa kategori filmash në konkurrim dhe ndarja e çmimeve është për të gjitha kategoritë.
Mirela Oktrova: Ky është një festival i përgjitshëm, sepse synimi ynë është ndërmjetësimi i kinemasë cilësore në publik. Në botë ka shumë festivale. Vetëm në Europë ka mbi 800, të cilat kanë natyra të ndryshme. Ka festivale me karakter tematik, festivale të cilat orientohen më shumë nga ftesa e personaliteteve të shquara, apo festivale të tjera të cilat mbeten në kuadrin e një gjinie.
Festivali ynë ka karakter të përgjithshëm, ku ofron filma në të katërta gjinitë dhe në të njëjtën kohë ndan dhe çmime. “Dea Festival” ndan 15 çmime. Po ashtu janë dy çmime të tjera që organizatorët e festivalit i kanë planifikuar për t’ua dhënë personaliteteve të shquara të kinemasë si çmim karriere, në nderim të jetës dhe veprës së tyre në shërbim të kinemasë, ose si çmim homazh pas ndarjes së tyre nga jeta.
E gjitha kjo bëhet për të ofruar kinema cilësore, në një moment që publiku shqiptar rezulton disi i ftohur me kinemanë. Jemi në një moment kur e kemi për detyrë që të bashkëpunojmë për edukimin filmik brenda edukimit mediatik. Edukimi filmik është diçka që ne mendojmë se është i rëndësishëm, për të qenë në gjendje për të kuptuar gjuhën e filmit, por dhe për të marrë më mirë mesazhet e tij, sepse arti, letërsia dhe edukimi me filmin na bëjnë më të mirë.
CMG: Si ka qenë interesi i spektatorit këto vite që ju organizoni këtë festival ndërkombëtar të filmit?
Mirela Oktrova: Kjo është një pyetje e vështirë, sepse është një situatë konstante përsa i përket prezencës së publikut. Nëse bëhet fjalë për filma të mëdhenj, publiku vjen. Nuk është publiku i gjerë, por publiku që i interesojnë prodhimet e mira të kinemasë. Në mbrëmjen e filmit të Jerzy Skolimowski, një film që kërkon një publik special për ta kuptuar, salla ishte plot. Po ashtu, ishte plot edhe në natën e parë të festivalit që ishte filmi gjerman dhe kur u shfaq filmi holandez “Çarter”.
Në të gjitha rastet kur produkti është tepër cilësor, ka audiencë të madhe. Ne e promovojmë shumë produktin dhe kemi prurje të caktuara. Do të donim të ishin shumë më tepër dhe të shtyheshin për të ardhur te ne, por nuk kemi arritur ende në këtë nivel, sepse duhet të funksionojnë të gjitha mekanizmat e shoqërisë. Ne nuk mund të pretendojmë që publiku të jetë i ndjeshëm për kinemanë cilësore, nëse shoqëria në përgjithësi nuk është e ndjeshme për median cilësore, për letërsinë cilësore, etj.. Ky është një proces i cili duhet të ndodhë gjithëkund. Sigurisht që kjo lidhet me politikat kulturore të cilat duhet të jenë më tepër të orientuara nga edukimi i audiencave dhe që lidhen me industrinë e filmit dhe problematikat që ajo ka. Për shembull, në 5-vjetorin e festivalit në Sarandë, kinemaja në këtë qytet kremtonte 80-vjetorin, por që nuk kishte fare kinema.
Në fakt, secili prej nesh është përgjegjës dhe këtë edukim duhet ta fillojmë nga familja. Nëse fëmija shikon që prindërit shkojnë në kinema, lexojnë letërsi cilësore dhe shikojnë media cilësore, atëherë atij do t’i bëhet edukatë të përqafojë këto zhanre.
Drejtoresha artistike e festivalit Mirela Oktrova
CMG: Cila është proceduara që ndiqni për përzgjedhjen e filmave në konkurrim?
Mirela Oktrova: Ne kemi dy burime nga i marrim filmat, ku ka mijëra aplikime. Kineastët aplikojnë në dy platforma, të cilat seleksionohen në përputhje me zhanret. Rruga e dytë, e cila përcakton dhe standardin e filmave, janë njohjet tona. Ne jemi një festival i vogël me mjete financiare shumë të kufizuara, ndaj përdorim të gjitha njohjet tona për të siguruar filma cilësorë. Duke i kombinuar këto dy rrugë ia kemi dalë të arrijmë një ekuilibër të shëndetshëm midis filmave që zgjedhim ne dhe filmave që na vijnë me aplikime.
Aplikimet janë në rritje çdo vit, gjë që na gëzon. Ne nuk synojmë vetëm të shpërndahemi në sasi, por edhe të ngrihemi në cilësi, ndaj i kombinojmë të dyja opsionet.
Nuk është e vështirë të marrësh aplikime, por të përzgjedhësh.
CMG: Këto pesë vitet e fundit keni bashkëpunuar me Universitetin e Arteve për organizimin e këtij festivali dhe besoj se bashkëpunimet do vazhdojë në të ardhmen.
Mirela Oktrova: Sigurisht që bashkëpunimi do të vazhdojë, sepse kemi ardhur me synim për të qenë këtu. Do të kishim pasur dëshirë që prezenca e studentëve dhe pedagogëve të ishte më e dukshme. Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me rektorin e universitetit dhe me ata që e menaxhojnë institucionin. Shpresojmë që në të ardhmen të rritet prania dhe interesimi i studentëve.
CMG: Së fundi, një mesazh për dëgjuesit tanë dhe të gjithë dashamirësit e kinemasë së vërtetë.
Mirela Oktrova: Mesazhi nuk shkon për ata që e duan kinemanë, sepse ata vijnë. Do të doja t’i bëja një thirrje atyre që nuk janë mësuar ta prekuentojnë kinemanë.
Kinemaja është komunikim dhe një urë që na njeh me realitetet e tjera që ne nuk i kemi jetuar. Ajo na mëson dhe zgjeron horizontin, na mëson të komunikojmë në mënyrë më të sofistikuar dhe na bën ndoshta edhe më të mirë.
Kinemaja është një magji dhe do të doja që njerëzit të mësohen ta shijojnë filmin në të.
Do t’u thosha të gjithëve që të shkojnë njëherë në kinema, ta provojnë se ç’është dhe besoj se do të dashurohen e do të bëhen të varur prej saj.
Përgatiti: Gazmend Agaj