Në vitin 2013, gjatë vizitave të tij në Kazakistan dhe Indonezi, presidenti kinez Xi Jinping propozoi përkatësisht nismën e ndërtimit të Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe të Rrugës Detare të Mëndafshit të Shekullit të 21-të, të njohura bashkërisht si “Një brez, një rrugë”. Në dekadën e kaluar, si një masë e rëndësishme e zgjerimit të hapjes së Kinës ndaj botës së jashtme, kjo nismë ka çelur një kapitull të ri të zhvillimit të përbashkët të Kinës dhe të botës.
Një banor indonezian pozon para trenit të shpejtësisë së lartë Xhakartë-Bandung të ndërtuar nga kompanitë kineze, shtator 2023, Xhakartë(Foto:VCG)
Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, nisma “Një brez, një rrugë”, e bazuar mbi parimin e konsultimit, ndërtimit dhe ndarjes së përbashkët, e drejtuar nga fryma e paqes, bashkëpunimit, hapjes dhe përfshirjes, mësimit nga njëri-tjetri dhe përfitimeve të ndërsjella, e fokusuar në ndërlidhshmërinë e politikave, infrastrukturës, tregtisë e të investimeve dhe në shkëmbimet ndërmjet popujve, nga një koncept është vënë në jetë si një produkt publik konkret. Deri më tani, Kina ka nënshkruar më shumë se 200 dokumente bashkëpunimi me më shumë se 150 vende dhe 32 organizata ndërkombëtare. Nisma “Një brez, një rrugë” është përfshirë në dokumentet e organizatave ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, Bashkëpunimi Ekonomik i Azi-Paqësorit (APEC) etj. Ajo i ka sjellë forca të reja mbrojtjes së sistemit të tregtisë së lirë globale e të ekonomisë së hapur, nxitjes së shkëmbimeve dhe mësimit të ndërsjellë ndërmjet qytetërimeve, si edhe zhvillimit paqësor të botës.
Ndërlidhshmëria e politikave hedh bazat për bashkëpuinim. Kina dhe vendet bashkëndërtuese të "Një brez, një rrugë" po forcojnë koordinimin institucional dhe integrimin e strategjive të zhvillimit, duke promovuar hapjen e sistemeve të rregullave e të standardeve, për të eksploruar rrugë të reja drejt lulëzimit të përbashkët. Për shembull, Kina ka krijuar grupe pune të posaçme me vendet pjesëmarrëse për tregtinë, investimet, tregtinë elektronike ndërkufitare dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Kina ka forcuar vazhdimisht bashkëpunimin rajonal dhe ka krijuar mekanizma bashkëpunimi brenda kornizave si ASEAN-i, Organizata e Bashkëpunimit të Shangait, Bashkimi Ekonomik Euroaziatik, Lidhja e Vendeve Afrikane, Këshilli i Bashkëpunimit i Gjirit dhe Bashkësia e Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve, për të nxitur krijimin e konsensusit, përplotësimin e kërkesave reciproke me anën e shfrytëzimit të epërsive të njëri-tjetrit dhe ndërtimin e komuniteteve rajonale me fate të përbashkëta. Kina ka integruar nismën "Një brez, një rrugë" me Agjendën për Zhvillim të Vazhdueshëm 2030 të Kombeve të Bashkuara, duke kontribuuar në zbatimin e këtij programi.
Të rinj nga disa vende aziatike në një kurs të organizuar nga Kina për bashkëpunimin në fushën mjekësore, 25 korrik 2023, Xining, provincë Qinghai (Foto:VCG)
Tani ndërlidhshmëria po përparon në mënyrë të qëndrueshme. Ndërtimi i "Një brez, një rrugë", nëpërmjet integrimit me planet e zhvillimit infrastrukturor të të gjitha palëve pjesëmarrëse, synon të krijojë një rrjet të gjithanshëm infrastrukturor në fusha si hekurudhat, autostradat, anijet, aviacioni, gazsjellësit dhe platforma elektronike të informacionit. Në këto drejtime, janë përuruar një sërë projektesh në të mirë të zhvillimit ekonomik vendor dhe përmirësimit të jetesës së banorëve, si porti i Pireut në Greqi, porti i Kolombos në Sri-Lankë, hekurudha Kinë-Laos, Ura e Miqësisë Kinë-Malajzi, Qendra e Konferencave e Bashkimit Afrikan, hekurudha Mombasa-Najrobi dhe hekurudha Adis Abeba-Xhibuti etj. Gjithashtu janë vënë në funksionim trenat e mallrave Kinë-Evropë dhe janë krijuar kanalet e reja të transportit tokësor-detar ndërkombëtar, duke çelur një faqe të re në transportin ndërmjet Azisë dhe Evropës dhe duke krijuar një zinxhir të qëndrueshëm të furnizimit logjistik ndërkufitar.
Tregtia është bërë më e lehtë. Nga viti 2013 deri më 2022, vëllimi i tregtisë vjetor ndërmjet Kinës dhe vendeve pjesëmarrëse të nismës u zgjerua nga 1.04 trilion dollarë në 2.07 trilion dollarë. Në vitin 2022, Kina u bë vendi më i madh i tregtisë së mallrave për gjashtë vjet radhazi, me automjetet elektrike, produktet fotovoltaike dhe bateritë e litiumit si përfaqësuese. Ndërkohë, totali i investimeve të dyanshme ndërmjet Kinës dhe vendeve të tjera pjesëmarrëse i ka kaluar 270 miliardë dollarët amerikanë. Deri në fund të vitit të kaluar, investimet e ndërmarrjeve kineze për ndërtimin e zonave të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar në vendet pjesëmarrëse arriti në 57.13 miliardë dollarë amerikanë, duke krijuar mbi 420 mijë vende pune për banorët vendës. Nëpërmjet promovimit të nismës, Kina jo vetëm ka forcuar marrëdhëniet ekonomiko-tregtare me vendet në zhvillim, por edhe ka dhënë kontribut për zhvillimin global në këtë drejtim.
Noor, një qendër e prodhimit të elektrikut me energji diellore në Marok(Foto:VCG)
Ndërlidhja financiare po u sjell më shumë dobi pjesëmarrësve. Kina ka zhvilluar bashkëpunim financiar në forma të ndryshme me vendet pjesëmarrëse të nismës dhe institucionet financiare shumëpalëshe, në fusha si energjetika, transporti, telekomunikacioni, bujqësia, shëndeti publik, burimet ujore etj. Nëpërmjet eksplorimit të vazhdueshëm të risive në modelet e investimeve dhe financimit, Kina po përpiqet të ofrojë shërbime financiare në mënyrë të qëndrueshme, transparente dhe cilësore. Gjithashtu, ajo ka krijuar një sërë fondesh investimi dhe financimi për vendet e tjera brenda kësaj kornize, si Fondi i Rrugës së Mëndafshit, Fondi i Investimeve për Bashkëpunimin e Kapaciteteve Industriale Kinë-Amerikë Latine, Fondi i Bashkëpunimit të Kapaciteteve Industriale Kinë-Afrikë, Fondi i Bashkëpunimit Ekonomik Kinë-Euroazi etj., për të ofruar mbështetje afatgjatë për financimin e ndërtimit të “Një brez, një rrugë”.
Njohja ndërmjet popujve është thelluar më tej. Janë hartuar e nënshkruar marrëveshje të shumta ndërqeveritare për shkëmbimet kulturore, arsimore, artistike, turistike etj., duke zhvilluar aktivitete si Viti i Kulturës "Një brez, një rrugë", festivale artistike, forume të grupeve studimore etj. Po shtohen më shumë kontaktet midis partive politike, qyteteve, të rinjve dhe organizatave popullore etj., duke përfshirë dhënien e bursave për të mbështetur zhvillimin e arsimit etj.
"Një brez, një rrugë" është një mënyrë e rëndësishme e realizimit të objektivit të PKK-së për të ndërtuar një komunitet me fate të përbashkëta të njerëzimit. Në fakt, sivjet është gjithashtu edhe dhjetëvjetori i paraqitjes së konceptit “komunitet me fate të përbashkëta të njerëzimit”. Më 23 mars 2013, presidenti kinez dhe sekretari i përgjithshëm i PKK-së Xi Jinping propozoi për herë të parë këtë koncept. Harmonia universale, harmonia ndërmjet të gjitha kombeve dhe bashkëjetesa harmonike ndërmjet njeriut dhe natyrës janë koncepte që burojnë nga kultura tradicionale e kombit kinez dhe janë gjithashtu origjina kulturore e paraqitjes së “komunitetit me fate të përbashkëta të njerëzimit”.
Ky koncept është bazuar mbi idetë e Kinës për të ardhmen e njerëzimit. Aktualisht, komuniteti ndërkombëtar gjendet në një periudhë ndryshimesh, zhvillimesh dhe transformimesh të mëdha. Rreziku i recesionit ekonomik global është në rritje e sipër, dhe konfliktet rajonale ndodhin shpesh. Si të trajtohen si duhet problemet si ndryshimet klimatike, kriza ushqimore e energjetike dhe çështje të tjera të rëndësishme të lidhura ngushtë me zhvillimin njerëzor? Çfarë bote duhet të ndërtojmë? Si ta ndërtojmë këtë botë? Këto janë bërë pyetjet e kohës që shtrohen para gjithë njerëzimit.
Diga Moragahakanda në Sri-Lanka për hidrocentral dhe ujitje e financuar dhe ndërtuar nga kompanitë kineze(Foto:VCG)
Në dekadën e kaluar, sfera dhe përmbajtja e konceptit të “komunitetit me fate të përbashkëta të njerëzimit” janë pasuruar e zhvilluar pandërprerë. Nga ndërtimi i një komuniteti me fate të përbashkëta midis vendeve dhe rajoneve, deri në ndërtimin e një komuniteti me fate të përbashkëta në hapësirën kibernetike, sigurinë bërthamore, oqeanet, shëndetësinë, bashkëjetesën harmonike midis njerëzve dhe natyrës, nga nisma "Një brez, një rrugë" deri në Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimeve Globale, të gjitha këto iniciativa synojnë ndërtimin e një bote më të mirë dhe një jetë më të lumtur .
"Një brez, një rrugë" dhe një komunitet me fate të përbashkëta të njerëzimit kanë frymë e qëllime të përbashkëta dhe një bashkim logjik, duke mishëruar lidhjen e ngushtë ndërmjet "Ëndrrës kineze" dhe "Ëndrrës Botërore", ndërmjet "popullit kinez" dhe "popujve të botës" e duke i shërbyer kërkimit prej njerëzve të një rruge më të mirë drejt modernizimit dhe përparimit të zhvillimit shoqëror e qytetërimor. "Një brez, një rrugë" mbulon vende, rajone, faza zhvillimi, tradita, kultura dhe fe të ndryshme. Ajo është një nismë për zhvillim paqësor dhe bashkëpunim ekonomik, jo një aleancë gjeopolitike a ushtarake. Ajo është një proces i hapur e përfshirës i zhvillimit të përbashkët, jo formim i qarqeve të vogla a i "Klubit të Kinës" me dyer të mbyllura. Ajo nuk vendos kufij me ndryshime ideologjike dhe nuk synon një "lojë ku fituesi i merr të gjitha". Për sa kohë që një vend është i gatshëm, ai mund të marrë pjesë. Studimet vërtetojnë se ndërtimi i nismës "Një brez, një rrugë" është një praktikë e shkëlqyer e ndërtimit të një komuniteti me fate të përbashkëta të njerëzimit.
Nëpërmjet integrimeve strategjike dhe përplotësimit të kërkesave reciproke të vendeve të ndryshme, mund t'u përgjigjemi së bashku sfidave aktuale me të cilat përballet ekonomia botërore. Ndërsa, nëpërmjet mësimit të ndërsjellë midis qytetërimeve, mund të kapërcejmë konfliktet e qytetërimeve, të promovojmë respektin reciprok, konsultimin demokratik dhe vendimmarrjen e përbashkët ndërmjet vendeve, duke nxitur krijimin e një lloji të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare.