Ligji për pensionet private, ekspertët shpjegojnë lehtësitë fiskale
2023-10-18 10:52:29

Miratimi i ligjit të ri për fondet e pensioneve private ofron lehtësi fiskale për t’i bërë këto skema më tërheqëse për individët. Ekspertët e fushës thonë se janë një sërë ndryshimesh që sjellin rritje të ndjeshme të stimujve fiskalë që parashikojnë ndër të tjera që këto pensione mos të tatohen në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm kthimin nga investimi. Zgjidhja përfundimtare e problemit të pensioneve në Shqipëri, sipas analistëve, do të ishte përfshirja e fondeve private si kolonë e dytë, e detyrueshme, në skemë.

pensione-private (monitor)jpg

pensione-private (monitor)jpg

Ligji për pensionet private, ekspertët shpjegojnë lehtësitë fiskale

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar tashmë ligjin e ri për fondet e pensionit privat. Sipas përfaqësuesve të qeverisë, ky projektligj ka si qëllim përmirësimin e bazës ligjore dhe rregullimin e tregut të fondeve të pensionit privat, krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin e këtij tregu dhe nxitjen e kursimeve për pension. Po ashtu, projektligji parashikon politika lehtësuese fiskale për nxitjen e pjesëmarrjes në fondet e pensionit privat, të cilat pritet të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e tregut të pensioneve private. Drejtori i përgjithshëm i shoqërisë administruese “Albsig Invest”, Elton Korbi, thotë për revistën “Monitor” se ligji i ri sjell një rritje të ndjeshme të stimujve fiskalë për pensionet private. Megjithatë, ai mendon se zgjidhja përfundimtare e problemit të pensioneve në Shqipëri do të ishte përfshirja e fondeve private si kolonë e dytë, e detyrueshme, në skemë.

“Risia më e madhe ishte ajo tatimore, me ligjin e mëparshëm nuk është e vërtetë që pensionet përjashtoheshin nga tatimi mbi të ardhurat personale, për kontributin individual dhe njiheshin si shpenzim për pjesën e kompanisë, por, në momentin që tërhiqeshin si pension këto kontribute si të punëdhënësit dhe punëmarrësit patjetër dhe interesat tatoheshin në fund. Me ligjin aktual, ky kontribut është përjashtuar, do të thotë se nëse e shpërndani në momentin e tërheqjes shumën e akumuluar në formë pensioni jo më pak se dy vite, atëherë tatohesh vetëm për të ardhurat për interesin që ke marrë dhe nuk tatohesh për kontributin e punëdhënësit apo punëmarrësit. Kjo ishte një shtysë shumë e madhe për rritjen e anëtarëve dhe kontribuuesve të fondeve për pension”, - tha Korbi.

Ligji i ri ka sjellë rritje të ndjeshme të lehtësive fiskale për kontributet në fonde private të pensioneve.

“Një nga risitë e tjera që ka të bëjë me përfitimet tatimore është limiti i lejuar që çdo individ mund të përjashtojë për efekt të llogaritjes tatimin mbi të ardhurat personale. Nëse dikur ai ishte 200 apo 250 mijë nëse ishe mbi 51 vjeç, ky limit u lidh me pagën minimale, do të thotë që çdo individ, çdo muaj, mund të përjashtojë deri në pagën minimale që është 40 mijë lekë në këto momente. Kontributet në formë pensioni mund t’i zbresë për efekt të tatimit mbi të ardhurat personale, pra nuk do të paguajë kontribut. Po ashtu edhe limiti për punëdhënësin u rrit dhe u bë sa paga minimale vjetore, që do të thotë se kontributi që bën punëdhënësi në formë pensioni për punonjësit e tij, deri në 480 mijë lekë të reja në vit, i njihen si shpenzim si çdo kontribuues që do të bëjë”,-theksoi Korbi.

Plan per pension (Foto Onmanorama)

Plan per pension (Foto Onmanorama)

Ligji sjell për herë të parë edhe një formë të re të fondit privat të pensionit, atij me pjesëmarrje të mbyllur.

“Ligji gjithashtu krijoi mundësinë e hapjes së fondeve të mbyllura, që është një tjetër risi. Fondet e mbyllura do të funksionojë kur një punëdhënës apo një grup punëdhënësish të krijojë një fond të dedikuar për punonjësit e tyre. Ndryshe nga fondet e hapura, në fondet e mbyllura, ky grupim punëdhënësish negocion me shoqërinë administruese që do të administrojë këtë fond në dy elementë që janë kryesorë, që është kostoja e administrimit dhe politika e investimit. Pra, ky punëdhënës apo grupi i punëdhënësve do të negociojë me shoqërinë administruese për të parë se si mund ta ulë sa më shumë këtë kosto administrimi për punonjësit e tyre, si dhe ndoshta për të parë një politikë më agresive investimi nga fondet sot në treg, me idenë që të marrë kthim sa më të lartë për këtë fond. Gjithashtu një nga risitë që solli ligji është dhe ulja e komisionit maksimal të administrimit që shoqëritë administruese mund të aplikojnë për fonde. Ky limit ishte deri në 3% më parë. Sot, apo me ligjin që pritet të hyjë në fuqi, do të jetë jo më shumë se 2.5% e kostove që do t’i ngarkohen fondeve”,- shprehet Korbi.

Sipas ekspertëve, një tjetër koncept që u fut në ligj është dhe përfshirja automatike e punonjësve. Nëse një punëdhënës ka një skemë të ngritur dhe punëson disa punonjës, ata automatikisht, dhe në bazë të rregullave të brendshme, mund të përfshihen në skemë.

“Në këtë rast punonjësit kanë 30 ditë kohë për të vendosur nëse do të qëndrojnë apo mund të tërhiqen pa penalitet. Kjo është një tjetër risi që ka sjellë ligji. Gjithashtu, shtimi i agjentit të fondit të pensionit është një gjë e re tjetër. Më parë nuk ekzistonte te ligji që është në fuqi. Në ligjin e ri, çdo institucion financiar i regjistruar pranë AMF-së mund të luajë rolin e agjentit në fondet e pensionit. Ai mund të lidhë kontrata në emër të shoqërive administruese. Po ashtu, ligji ka sjellë një kërkesë shumë të lartë në lidhje me krijimin dhe licencimin e shoqërive administruese dhe të fondeve të pensionit, qoftë të hapura dhe të mbyllura. Janë shtuar dhe kërkesat për informim, transparencë dhe publikim që shoqëritë administruese duhet të bëjnë për çdo anëtar të fondit të pensionit”,- tha Korbi.

Ligji i ri pritet të japë një ndihmë në rritjen e këtij tregu.

“Sipas një studimi të bërë kur u propozua ky ligj nga AMF-ja, pritet që anëtarët e fondeve të pensionit të rriten me 14% çdo vit duke arritur në 65 mijë në 5 vitet e ardhshme, pra, pak a shumë do të dyfishohet në 5 vitet e ardhshme. Fondet e mbyllura do të jenë një alternativë e re për punëdhënësit apo grupimet e punëdhënësve dhe pritet të kemi të paktën deri në 10 fonde pensioni të mbyllura në 5 vitet e ardhshme. Gjithashtu, asetet neto të fondit të pensionit pritet të rriten çdo vit me 12% ose 60% në 5 vitet e ardhshme, edhe sipas studimit të bërë nga vetë AMF-ja. Për sa i përket incentivave, asnjëherë nuk janë të mjaftueshme, por kuptohet që lehtësitë tatimore që janë dhënë në këtë ligj janë një incentivë shumë e madhe për çdo kënd që do të kursejë për fondet e pensionit. Model i mirë në lidhje me incentivat është rasti i Turqisë, ku për çdo kontribut që derdhet për pension shteti turk të jep një kontribut “cash” në fondin e pensionit. Pra, nëse kontribuon me 75 lekë, shteti të kontribuon me 25 lekë duke plotësuar 100 lekë”,- shpjegoi drejtori i përgjithshëm i shoqërisë administruese “Albsig Invest”, Elton Korbi.

Elton-Korbi--(revista-monit

Elton-Korbi--(revista-monit

Shifrat tregojnë se gjithnjë e më shumë shqiptarë po zgjedhin skemat e pensioneve private, pasi numri i personave të përfshirë në këto fonde ka shënuar një rritje të fortë edhe në gjysmën e parë të vitit. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, numri total i anëtarëve në fondet e pensionit privat ka arritur në më shumë se 37.500.