“Jorganxhi Story” ishte eventi i cili solli shumë emocione dhe nostalgji javën që shkoi në teatrin “Andon Z. Çajupi”. Salla ishte e tejmbushur me artdashës, të cilët ndoqën me mjaft interes, krijimtarinë e familjes Jorganixhi, e cila erdhi e realizuar nga vetë anëtarët e familjes dhe artistë të tjerë, që i dhanë ngjyra mbrëmjes muzikore kushtuar familjes Jorganxhi.
Ideatori Hektor Leka solli në teatër dëshmi e të ftuar. Ai kishte mbledhur detaje të rralla nga jeta e personaliteteve artistike të prejardhjes familjare që ka lënë gjurmë në kulturën shqiptare.
Spektakël, histori dhe shumë frymëzim përcolli nëpërmjet muzikës nata e veçantë artistike kushtuar familjes Jorganxhi, e cila ka nxjerrë artistë, muzikantë e poetë të njohur.
Hektor Leka arriti ta realizonte në kohë rekord këtë spektakël kaq të veçantë. Surpriza e kësaj mbrëmje ishte interpretimi i Dorina Lekës, vajzës së Gjergj Lekës. Kënga e re e këtij të fundit solli këtë material kushtuar artistëve që nuk jetojnë më, si dhe ngjiti në skenë për herë të parë duke kënduar Hektor Lekën.
Hektor LEKA
E pranishme ishte edhe Mjeshtrja e Madhe Zhuljana Jorganxhi, poete, shkrimtare, autore e qindra këngëve shqiptare, një vlerë e çmuar e vendit tonë. Mes emocionesh ajo u shpreh për mediat e pranishme në këtë aktivitet: “Mi sollën gjithë ata që janë në qiell e mi zbritën këtu në skenë. Jam e ngropur për vite me radhë me këtë mbrëmje të mrekullueshme që na dhuroi qyteti i lindjes, Korça”.
Kënga me titull “Jeto dhe jetën time”, vargjet e së cilës janë shkruar aq bukur nga pena e artë e artistes Zhuljana Jorganxhiu, erdhi e kënduar nga këngëtari Bledi Polena, si dhe interpertimi i vargjeve nga Blerta Belliu.
Hektor Leka, ideatori i këtij kujtimi kaq të bukur artistik për gjithë familjarët, por edhe artdashësit e pranishëm, deklaroi për mediat: “Arrita të realizoja diçka, mendoj të bukur, që me sa pashë edhe publikut korçar i pëlqeu. Më bëhet shumë qejfi, se për mua është hera e parë që këndoj në qytetin e nënës sime”.
Për 120 minuta spektatorët shijuan magjinë e realizimit të këtij dedikimi duke u kujdesur deri në detaje. Siç thotë edhe filozofi rus, Shneur Zalman Borukhovich: “Fjalët janë lapsi i zemrës. Muzika është lapsi i shpirtit”. Dhe familja Jorganxhi shpalosi faqet e historisë që mban në skenën e Teatrit të Korçës, si një pjesë e pandarë e historisë mbi një shekullore muzikore të vendit. Histori e cila starton me “Artistin e Merituar”, baritonin dhe autorin e disa këngëve korçare, Gaqo Jorganxhi, që për 65 vjet këndoi pa reshtur si solist dhe në grupin e mirënjohur të këngëve karakteristike korçare “Lira”.
Zamira Kita dhe Zhuljana Jorganxhi
Ai është babai i poeteshës kombëtare Zhuliana Jorganxhi, i dirigjentes së parë shqiptare dhe mezzo-sopranos Rozmari Jorganxhi, si dhe i dirigjentit Rikard Jorganxhi. Gjithashtu është edhe gjyshi i kantautorit të mirënjohur Gjergj Leka, këngëtarit lirik Hektor Leka dhe i kompozitorit Lambert Jorganxhi.
Kjo mbrëmje poetike e muzikore erdhi me skenar, regji dhe realizim audioviziv nga Hektor Leka, drejtimi muzikor nga Lambert Jorganxhi, koreografi nga Bardhi Pojani dhe prezantim nga Zamira Kita, me mbështetjen e Bashkisë së Korçës dhe Ministrisë së Kulturës.
Gjatë jetës, çdo njeri dëgjon histori të ndryshme, por në fund të fundit, vetë arti e muzika janë një udhëtim i madh nëpër kohë, ashtu si krijimtaria e pavdekshme e krijuesve që kanë bërë histori.
Përgatiti: Sava Lena