Foto nga China Daily
Duke qëndruar përpara Orkestrës Filarmonike të Kinës, në Teatrin “Poly” në Pekin, më 26 shtator, dhe duke kënduar këngë që ndërthurin xhazin dhe muzikën klasike, kantautorja 24-vjeçare Laufey Lin Jonsdottir, me emrin e saj të skenës Laufey, e cila është gjysmë islandeze dhe gjysmë kineze, dhe e njohur në vend si Lin Bing, dha koncertin e saj të parë në Kinën kontinentale.
Duke luajtur kitarë dhe violonçel, Laufey performoi rreth 20 këngë, duke përfshirë “Let You Break My Heart Again”, “Beautiful Stranger” dhe “Bewitched”. Muzika dhe teksti i këngëve, që portretizojnë momente të jetës së përditshme, kanë bërë që Laufey të ketë adhurues globalë qëkur ajo filloi të publikonte këngë në internet gjatë pandemisë.
“Nuk jam nervoze për këtë koncert të parë në Kinë, por jam më shumë nervoze që do të mbaj taka të larta në skenë, sepse nuk dua të rrëzohem”,- tha këngëtarja dhe kantautorja e re për “China Daily”, disa orë para koncertit të saj në Pekin.
Pas turneut në Mbretërinë e Bashkuar, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo më në fund pati mundësinë të performonte për fansat kinezë.
“Provat me Orkestrën Filarmonike të Kinës kanë qenë të pabesueshme. Ndihem veçanërisht mirë të kthehem sërish në Pekin”,- tha ajo.
Gjyshi i Laufey, Lin Yaoji (1937-2009), një violinist i mirënjohur, ka pasur merita për mësimdhënien te shumë violinistë të tjerë. “Për shkak se shumë studentë të gjyshit tim janë në orkestër, duket sikur muzika e tij po kalon përmes tyre, por sigurisht edhe përmes meje”,- tha ajo.
Lin Yaoji ndërroi jetë kur Laufey ishte 9 vjeçe, por kujtimet e saj për të janë të gjalla. Ajo e përshkruan gjyshin e saj si një person shumë aktiv. “Më kanë thënë që i ngjaj shumë”,- thotë ajo. “Ai ishte një gjeni muzikor dhe i bënte të gjitha nga dashuria për artin. I pëlqente të këndonte, të kërcente dhe të mësonte violinë. Ai gjithashtu e donte xhazin”,- theksoi kantautorja.
Sipas Laufey, fansat e rinj të saj mund të presin një arratisje dhe përhumbje në kohë përmes këngëve. “Shumë nga fansat e mi janë të rinj dhe po kalojnë vështirësi në shkollë e në miqësi, por kalojnë dhe vuajtje dashurore. Shpresoj që muzika ime të ofrojë një mënyrë për t'i shpëtuar realitetit të trishtë dhe t’i transportojë në një realitet më të bukur”,- tha ajo.
Ajo është rritur në Islandë, por tashmë jeton në Los Anxhelos. Laufey e vizitonte Kinën për disa muaj çdo verë për të studiuar piano dhe violonçel. Kjo është hera e parë që ajo kthehet në Pekin që nga pandemia.
Muzika klasike ka qenë gjithmonë një ndikim i rëndësishëm. Nëna e saj, Lin Wei, është gjithashtu një violiniste dhe ka qenë anëtare e Orkestrës Simfonike të Islandës që nga viti 1988. Laufey u rrit duke mësuar të luante violinë, piano dhe violonçel dhe e mori muzikën klasike shumë seriozisht si fëmijë. Xhazi ishte gjithashtu pjesë e jetës së saj falë dashurisë së babait të saj për këtë zhanër muzikor.
“Më kujtohet që babai im luante muzikë xhaz në shtëpi. Unë kam një zë të ulët, kështu që kur fillova të këndoja, xhazi u duk i përshtatshëm”,- tha ajo.
Ndërsa prindërit e Laufey e kanë mbështetur gjithmonë për të ndjekur një karrierë në muzikë, ajo nuk ishte e sigurt për veten e saj. Këngën e saj të parë e shkroi kur ishte 16 vjeçe, por e fshehu për vite me radhë.
“Në muzikën klasike, mëson të jesh lojtar, jo krijues i muzikës. Më pas kur isha 20 vjeçe, dhe studioja në Kolegjin e Muzikës “Berklee”, nisa të shkruaja përsëri këngë. Këtë herë ndihesha e sinqertë dhe me veten time”,- tha ajo.
Laufey filloi t'i publikonte këngët gjatë pandemisë dhe kaloi shumë kohë në mediat sociale, si “TikTok” dhe “Instagram”. Vitin e kaluar, ajo publikoi albumin debutues, “Everything I Know About Love”, dhe këtë shtator albumin e dytë, “Bewitched”, të cilin ajo e quan kapitulli i dytë i albumit të parë. Ajo luan piano, violonçel dhe kitarë në shumicën e këngëve dhe thyen muret midis muzikës klasike dhe xhazit.
Në një nga këngët e albumit të dytë, “Letter to My 13-year-old Self”, ajo këndon: “Mos u shqetëso për flokët kaçurrelë, rrobat që nuk të përshtaten... bëhu e fortë dhe magjepsëse... shkruaje historinë tënde, bjer në dashuri … Do të doja të kthehesha dhe t'i bëja një shkundje vetes sime në moshën 13-vjeçare … Vazhdo me ëndrrën tënde idiote”.
Ajo thotë: “Isha shumë e shqetësuar kur isha 13 vjeçe. Doja të bëhesha këngëtare, por nuk isha e sigurt nëse gjërat do të funksiononin. Kënga është për versionin tim 13-vjeçar”.
Përveç prindërve të saj, motra binjake e Laufey, Junia, është gjithashtu një mbështetëse e madhe, e cila kujdeset për pamjet vizuale që shoqërojnë muzikën e saj.
“Ajo është drejtoresha ime krijuese. Kujdeset për gjithë anën vizuale të projektit tim artistik. Është e mrekullueshme të kesh dikë që mund të jetë kaq i sinqertë me ty pa të të zemëruar duke qenë i tillë. Është shumë e veçantë”,- thotë Laufey.
E pyetur për procesin e saj të shkrimit të këngëve, ajo thotë se para se të shkruajë diçka, e di se për çfarë do të flasë kënga dhe cili do të jetë mesazhi apo titulli i saj dhe shpreson që një ditë të shkruajë muzikë për filma.
Zou Shuang, drejtoreshë artistike e Festivalit të Muzikës në Pekin, thotë se është e emocionuar që ka Laufey-n në Pekin si pjesë e aktivitetit vjetor në vazhdim, i cili nxjerr në pah muzikantët e rinj. “Muzika e Laufey ka marrë vlerësime të mira nga kritika. Ajo ndërthur elementë të muzikës moderne me tingujt më tradicionalë të klasikes dhe xhazit. Me trashëgiminë muzikore të familjes së saj, ajo ka bërë një emër për veten e saj, duke sjellë tinguj magjepsës, që janë unikë”,- thotë Zou.