Dikur një studente me ëndrra, sot menaxhon projekte të rëndësishme për qytetin e Lezhës, kjo është historia e Vasilika Laskës e cila po punon fort për të ndryshuar pamjen e qytetit dhe për t’i dhënë atij imazhin e një qyteti rinor. Shumica nga aktivitetet në këtë qytet, menaxhohen me shumë dashuri dhe korrektesë prej saj, duke i hapur kështu edhe rrugën drejt projekteve ndërkombëtare, me të cilat ajo është ende duke u marrë.
CMG: Vasilika, cili është pozicioni juaj aktual?
Vasilika Laska: Unë jam sekretare e përgjithshme në Këshillin Vendor Rinor, në Bashkinë Lezhë, ku jap kontributin tim në çdo projekt që lidhet me të rinjtë. Gjithashtu, jam dhe kordinatore projektesh në organizatën “Social Inclusion For Development”, e cila ofron projekte që ndërthurin evente të ndryshme për të rinjtë. Qëllimi ynë janë të rinjtë dhe gratë, një grup tjetër tejet i rëndësishëm që ka nevojë për vëmendjen tonë. Përpiqemi që fokusi ynë të jenë problematika të ndryshme të të gjitha llojeve, të cilat të kenë një impakt social. Nëse ne nisim një projekt aty është thjesht fillimi, më pas çdo gjë thellohet në shoqëri. Pra, temat marrin fokuse të ndryshme edhe nëse ne thjesht i iniciojmë.
CMG: Pse Lezha është kaq i rëndësishëm për ju, duke qenë që ju punoni në shumë projekte në këtë qytet?
Vasilika Laska: Lezha do të jetë prirotieti im për të ushtruar punën dhe funksionin tim për disa arsye. Unë kam lindur në Lezhë. Jam rritur këtu dhe kam kujtime të shtrenjta. Kam qenë vetë studente dhe një vajzë e re dhe e di shumë mirë se çfarë do të thotë që të kesh nevoja të ndryshme në përditshmëri, qoftë nevoja sociale për t’u angazhuar, qoftë nevoja argëtimi. Dua t’i jap diçka qytetit tim dhe mes gjërave më të mira është kapaciteti i dijes që t’i zotëron dhe dëshira e madhe për punë. Lezha e meriton që unë të punoj për të. Nga viti në vit kuptojmë që jemi shumë të rinj që e duan dhe respektojmë qytetin. Të rinjtë e lezhës nuk largohen masivisht, por ata e duan qytetin, i duan projektet dhe janë të predispozuar të angazhohen në çdo aktivtitet që ne si bashki, apo organizata jofitimprurëse, ndërmarrim.
Kryetari i bashkise ne Lezhe me te rinjte
CMG: Çfarë mund të bëhet më tepër për të rinjtë për t’u angazhuar?
Vasilika Laska: Të rinjtë duhet t’i kërkojnë mundësitë. Tani në Lezhë, por edhe në qytete të tjera, ka më shumë mundësi përfshirjeje dhe mundësi për të marrë pjesë në evente të ndryshe, seminare dhe çdo gjë tjetër. Çka është edhe më e rëndësishme është që këto pjesëmarrje duhet të shihen si mundësi të cilat të rrisin. Lezha tashmë këto mundësi t’i ofron. Në këtë qytet të vogël gjen mundësi të mëdha, mjafton dëshira për të ndryshuar diçka te vetja.
CMG: A është sfiduese puna me projekte për të rinjtë?
Vasilika Laska: Kur punon me të rinj ke një sfidë përpara, për të njohur pikat e tyre të forta, dëshirat dhe synimet që duan të arrijnë. Unë jam vetë një vajzë e re plot ëndrra dhe çdo gjë që bëj e nis fillimisht nga vetja. E kam të lehtë të depërtoj te dëshirat e atyre që punoj. Është bukur të punosh me të rinj, pasi çdo ditë punon me energji.
CMG: A është Lezha qytet më i bukur këto vitet e fundit?
Vasilika Laska: Lezha ka qenë gjithmonë e bukur, por këto vitet e fundit është edhe më e bukur, sepse është bërë një punë e madhe me të rinjtë. Ata janë edukuar që të japin maksimumin e tyre brenda këtij qyteti. Ajo që bie në sy është dëshira e tyre për përfshirje në projekte që i japin jetë qytetit.
Pamje nga projekti i cili zbukuroi disa mure te qytetit te Lezhes
CMG: A duhet të rreshtë një i ri së punuari?
Vasilika Laska: Sugjerimi im është që të rinjtë duhet të angazhohen më tepër me vullnetarizëm, të jenë më të hapur drejt kontaktit me botën e cila e bën edhe më të gjërë horizontin e dijeve.
CMG: Cilat janë projektet që po zhvilloni në Lezhë?
Vasilika Laska: Ne kemi bërë dhe do të vijojmë të bëjmë tepër projekte për të rinjtë, të cilat në shumicën e rasteve janë drejpërdrejt për ta. por, ka edhe projekteve që gjallërojnë jetën në qytet, siç ishte edhe projekti i fundit i cili na dha kënaqësi për të pikturuar disa nga muret e qytetit për t’u dhënë atyre jetë.
Përgatiti: Megi Latifi