Studentët shohin një dritare mundësie në marrëdhëniet Kinë-Kenia
2023-10-17 09:50:44


Foto nga ChinaDaily

Kërcimi i luanit ishte një nga pikat kryesore të Festivalit treditor të Turizmit dhe Kulturës Turkana, i cili u hap nga presidenti kenian William Ruto, në qytetin Lodwar. Vizitorë ndërkombëtarë dhe vendas u mblodhën në Qendrën Kulturore Ekalees për të festuar kulturën dhe trashëgiminë Turkana. Përveç kulturës Turkana, një pavijon me kulturën kineze tërhoqi disa vizitorë. Kur Ruto ndaloi në pavijonin kinez, studentët nga Instituti Konfuci në Universitetin e Nairobit performuan kërcimin e luanit.

Për studentët nga Kolegji Universitar Turkana, ishte hera e parë që ndoqën një shfaqje kulturore kineze. Ata panë ndërsa studentët e Institutit Konfuci performonin kërcimin e luanit dhe këndonin këngë kineze. Po ashtu, ata ndoqën edhe një film kinez, gjë që bëri që shumë prej tyre të shprehnin dëshirën e tyre për të mësuar gjuhën dhe kulturën kineze.

Studentët e kolegjit Turkana përjetuan aktivitete kulturore kineze si prerja e letrës, pikturimi i maskave të operës dhe provimi i kostumeve tradicionale kineze.

“Kjo është hera e parë që unë po ndërveproj me kulturën kineze dhe jam e interesuar të mësoj më tej kulturën dhe gjuhën”,- tha Ruth Wambui, një studente e vitit të parë të universitetit.

Foto nga ChinaDaily

Ajo shpreson se në të ardhmen e afërt në Kolegjin Universitar Turkana do të hapet Instituti Konfuci, për t'i lejuar studentët të mësojnë kulturën dhe gjuhën kineze, gjë që më pas mund t'u japë atyre një avantazh në sigurimin e vendeve të punës në kompanitë kineze në Kenia.

Wambui, e cila po ndjek studimet bachelor për energjinë e rinovueshme, tha se thellimi i marrëdhënieve midis Kinës dhe Kenias, sidomos në investimet për energjinë e rinovueshme, u jep studentëve si ajo shpresë për të siguruar vende pune pas diplomimit.

Graig Onunga, një student i vitit të dytë që ndjek studimet bachelor në letërsi angleze, ndan ndjenja të ngjashme. Ai tha se kultura kineze është e pasur dhe interesante dhe hapja e një Instituti Konfuci në universitet do të forconte lidhjen midis Kinës dhe Kenias, sidomos në zona të largëta si Turkana, ku njerëzit dinë shumë pak për vendin aziatik.

George Muthaa, zëvendësdrejtor i ngarkuar me administratën, financat dhe planifikimin në universitet, shprehu mirënjohjen e tij për anëtarët e stafit të Ambasadës së Kinës dhe Institutin Konfuci. “Turkana njihet si djepi i njerëzimit, kështu që ata janë kthyer në burim. Ne gjithashtu vlerësojmë diversitetin dhe përhapjen e kulturës”,- tha ai.

Muthaa tha se edhe pse institucioni aktualisht nuk ka programe kineze, vizita e ambasadorit kinez në Kenia në universitet muajin e kaluar dhe vizita e javës së kaluar nga zëvendësambasadori shënuan fillimin e realizimit të universitetit për ëndrrën e tij për hapjen e Institutit Konfuci.

“Kjo do të pasurojë ofertat tona si universitet dhe ndoshta kulturën që ne duam të përqafojmë dhe të formojmë si një institucion i arsimit të lartë”,- tha ai.

Kolegji Universitar Turkana ndodhet përgjatë rrugës Lodwar-Kitale, e cila është ndërtuar nga një kompani kineze. Muthaa tha se institucioni ka përfituar nga ndërtimi i rrugës dhe i një pusi nga kompania.

Foto nga ChinaDaily

Muthaa parashikon që bashkëpunimi i mëtejshëm me Ambasadën e Kinës në Kenia do ta ekspozojë më tej universitetin si në skenën vendase ashtu edhe në atë ndërkombëtare.

Zhang Zhizhong, zëvendësambasadori kinez në Kenia, deklaroi se ambasada është e përkushtuar të mbajë kontakte të rregullta me universitetin, si dhe të bashkëpunojë për shkëmbimet kulturore. Ai theksoi se ambasada do të vazhdojë të organizojë evente kulturore me universitete të tjera në të gjithë Kenian, për t'i lejuar studentët të mësojnë më shumë rreth kulturës kineze.

Zëvendësambasadori bëri të ditur se Kina dhe Kenia kanë një marrëdhënie të mirë në arsim, duke vënë në dukje se qeveria kineze ka ofruar çdo vit bursa për studentët kenianë, për t'i mundësuar ata të ndjekin arsimin e tyre në Kinë.