Vlerat e nismës “Një Brez, një Rrugë”
2023-10-17 10:36:02

Nisma “Një brez, një rrugë”, e iniciuar nga Kina 10 vjet më parë, ka treguar se është një projekt i suksesshëm, i cili tregoi se vizionet janë të realizueshme nëse ka angazhim dhe vullnet për të realizuar gjëra të dobishme për njerëzit dhe vendet. Në një analizë-koment, Genc Muçaj, kryetar i Këshillit të Ambasadorëve të Shqipërisë, tregon për arritjet e kësaj nisme, e cila jep mundësi jashtëzakonisht të mëdha për zhvillim dhe për shkëmbime tregtare, por edhe për shkëmbime kulturore e njerëzore.

Genc Muçaj, kryetar i Këshillit të Ambasadorëve të Shqipërisë

Vlerat e nismës “Një Brez, një Rrugë”

Iniciativa më e madhe e kohërave tona, nisma “Një brez, një rrugë”, e nisur nga Kina 10 vjet më parë, u prit fillimisht me një ndjesi skeptike, për shkak të madhështisë, ngaqë përfaqësonte një nga projektet më të mëdha të realizuara ndonjëherë.

Në një analizë-koment, Genc Muçaj, kryetar i Këshillit të Ambasadorëve të Shqipërisë, me rastin e 10-vjetorit të “Një brez, një rrugë”, deklaron se kjo nismë e provoi shpejt se ishte një projekt i suksesshëm.

Një projekt, i cili pati me miliona njerëz, si dhe me dhjetëra e qindra shtete dhe qytete, të cilat u bënë pjesë e kësaj nisme. Projekti dëshmoi se edhe vizioni i madh mund të jetë i realizueshëm, nëse vërtet njerëzit angazhohen, por dhe u jepet mundësia të kuptojnë që projekte të tilla mund të jenë të dobishme për të gjitha vendet.

CFP

CFP

Filozofia “win-win”, pra që të gjitha shtetet fitojnë, në bashkëpunimin e tyre ekonomik dhe në bashkëpunimin në biznes, por jo vetëm, tregoi një vlerë të jashtëzakonshme të kësaj nisme.

Ishte shumë e rëndësishme që nisma u përqendrua te rrugët, të cilat nuk janë vetëm damarët e një vendi, por edhe një gjeografi më e madhe për të gjithë botën tashmë.

Nisma u shndërrua në bazën që ushqen me projekte të mëdha njerëzit dhe komunitetet në të cilat ata jetojnë, në të gjithë botën. Ajo i lidhi njerëzit me njerëzit, duke lënë barrierat kulturore dhe duke mundësuar që qytetarët, të cilët bëjnë biznes me njeri-tjetrin, tashmë bëhen miq. Por, nga ana tjetër, edhe vendet e këtyre qytetareve bëhen vende mike me njëra-tjetrën.

Dhe miqtë nuk bëjnë luftë. Miqtë vetëm punojnë, për të pasur më shumë zhvillim dhe progres më të mirë. Kështu që edhe paqja, për të cilën bota jonë me kaq shume konflikte ka kaq shumë nevojë, arrihet.

CFP

CFP

Dhe nisma “Një brez, një rrugë” patjetër që ndihmon edhe në këtë drejtim, pasi ajo jep mundësi jashtëzakonisht të mëdha për zhvillim dhe për shkëmbime tregtare, por edhe për shkëmbime kulturore dhe njerëzore. Dhe këto shkëmbime kryhen përmes një gjeografie shumë herë më të madhe sesa arena e një shteti të vetëm.

Kjo është një filozofi, e cila provoi të kishte një vizion, i cili edhe në praktikë pati sukses. Sigurisht që nisma, në praktikë ka pasur dhe do të ketë vështirësitë e saj në të gjithë rrugëtimin, në të cilin ajo ka kaluar, kalon dhe do të kalojë. Por, nëse vizioni është i shëndetshëm dhe kur njerëzve u jepet mundësia për të ndryshuar në progres jetën e tyre, atëherë projektet e nismës sjellin vetëm mbarësi, sjellin dobi për popujt dhe njerëzit që bëhen pjesë të saj. Kështu, bota merr një zhvillim më të madh në tërësinë e saj.           

Përveç projekteve të mëdha hekurudhore, rrugëve, porteve e shumë të tjerë si këto, me rëndësi të madhe është edhe fakti që vendet që bëhen pjesë në këtë nismë janë vende të cilat vendosin vetë me dëshirë, pa detyrim. Pra, janë vende që u respektohet, si e drejtë themelore, pavarësia e plotë në marrjen e vendimit për t’u bërë pjesë e saj. Nuk ka kushte të paravëna, por shihen interesat kombëtare.

CFP

CFP

Në “Një brez, një rrugë”, secili shikon interesat e vendit të tij dhe është gjetur një interes reciprok, i cili ka shërbyer si shtysë dhe ka funksionuar. “Një brez, një rrugë” përqafon një qasje, e cila nuk funksionon me receta, por zbatohet vetëm në funksion të interesit kombëtar të secilit vend, i cili ndërthuret me interesat e vendeve të tjera pjesëmarrëse. Seicili vend ka specifikat e veta të prodhimit. Një vend është krenar për turizmin e vet, një tjetër për prodhimin bujqësor.

Nisma siguron një treg disa herë më të madh nga ai i një vendi të vetëm. Të gjithë së bashku në këtë treg kanë mundësi të japin dhe të marrin. Në këtë drejtim, Kina duhet përgëzuar, sepse ka ndërmarrë një nismë shumë serioze dhe të respektuar.

Mendoj se fuqi të mëdha si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina dhe të tjera fuqi në botë duhet të punojnë së bashku. Gjërat e mira ndodhin edhe për popujt më të vegjël, atëherë kur fuqinë e mëdha bashkëpunojnë, mbi baza mirëkuptimi me njëri-tjetrin.

CFP

CFP

Besoj se kjo nismë do të vijojë me sukses edhe më tej dhe jam i bindur që do të vijohet të respektohet integriteti gjeopolitik, si dhe në aspiratat që secili vend ka, për të sjellë më shumë begati në zhvillimin e tij.

Ky është qëllimi i vetëm i nismës dhe kjo është arsyeja pse shumë vende në botë e mbështetën atë dhe janë bërë pjesë e saj.