Pjesa e kompanive të huaja që do të marrin pjesë në seksionin e automjeteve të edicionit të 6-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës/ foto nga CFP
Në tre tremujorët e parë të këtij viti, tregtia e jashtme e Kinës ka ruajtur funksionimin e qëndrueshëm dhe prirjen e mirë, sipas të dhënave statistikore zyrtare të publikuara ditët e fundit. Ekspertët janë të mendimit se muajt e fundit sfera dhe struktura e tregtisë së jashtme të Kinës janë përmirësuar ndjeshëm.
Sivjet, rimëkëmbja e ekonomisë botërore ka qenë e dobët dhe tregtia globale ndodhet përpara shumë trysnive. Në këto rrethana, paraqitja pozitive e tregtisë së jashtme të Kinës nuk u realizua lehtë dhe kyçi për këtë është konsolidimi i epërsive tradicionale dhe zhvillimi i forcave të reja të rritjes, vihet në dukje në një koment të Grupit Mediatik të Kinës.
Analistët vunë në dukje se tregu kolosal dhe epërsitë industriale afatgjata kanë hedhur një bazë për prirjen e mirë të tregtisë së jashtme të Kinës. Nga ana e importit, vëllimi mujor i importit në Kinë është shtuar për tetë muaj me radhë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa vëllimi i përgjithshëm në tre tremujorët e parë të këtij viti u rrit 2.6 për qind. Vëllimi i importit të produkteve energjetike e të burimeve, si edhe i pjesëve kyçe të këmbimit, u shtua në mënyrë të qëndrueshme, ndërkohë që vëllimi i importit të mallrave të konsumit u rrit 3.1 për qind. Në fushën e eksportit, janë ngritur më tej përqindja e tregut, aftësia konkurruese dhe forca ndikuese e markave në manifakturë, si prodhimi i anijeve, i makinerive inxhinierike, i pajisjeve elektro-shtëpiake etj.
Trena e mallrave Kinë-Evropë që transportoi mallrat evropiane për pjesëmarrjen në Ekspozitën e 6-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës hyri në stacionin Minhang të Shangait/ foto nga CFP
Në një artikull të publikuar më 11 tetor në uebsajtin e Tanzanisë “The Citizen” theksohet se pozicioni i përparuar i Kinës në sektorin e manifakturës tërheq ende vëmendjen e mbarë botës. Duke iu referuar informacioneve të një platforme gjermane të dhënash, në artikull vihet në dukje se vëllimi i industrisë së manifakturës i Kinës zë mbi 28 për qind të vëllimit të përgjithshëm global, kurse i ShBA-së 16 për qind.
Krahas forcës së fuqishme konkurruese në industritë tradicionale, automjetet kineze me energji të reja shkojnë gjithnjë e më shumë në botë. Një media njoftoi një histori të tillë në Holandë: një banor i Roterdamit, që nuk i njihte më parë automjetet kineze me energji të reja, provoi një të tillë dhe pastaj e mori menjëherë me qira, dhe krijoi grupin e përdoruesve të kësaj lloj makine në median sociale. Sipas të dhënave të publikuara ditët e fundit nga Shoqata e Industrisë së Automjeteve e Kinës, në shtator Kina eksportoi 96 mijë automjete me energji të reja, duke u shtuar 92.8 për qind në krahasim me shtatorin e vjetshëm.
Automjeti kinez me energji elektrike në Ekspozitën e Automjeteve të Munihut/ foto nga CFP
Sot, “tre produktet e reja” - automjetet elektrike për udhëtarë, bateritë e litiumit dhe bateritë me energji diellore - janë bërë "kartëvizita" e re e tregtisë së jashtme të Kinës.
Në të njëjtën kohë, hapja e vazhdueshme e nivelit të lartë e Kinës i ka krijuar gjithashtu kushte të favorshme tregtisë së jashtme. Në tre tremujorët e parë të këtij viti, vëllimi i import-eksportit ndërmjet Kinës dhe vendeve pjesëmarrëse në nismën “Një brez, një rrugë” pati rritje prej 3.1 për qind dhe zuri 46.5 për qind të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme të Kinës. Kjo tregon se nisma “Një brez, një rrugë” ka nxitur vazhdimisht tregtinë kineze.
Edhe prirja e mirë e ekonomisë kineze ka mbështetur fort zhvillimin e tregtisë së jashtme. Kohët e fundit, shumë institucione financiare, si "JP Morgan", "Australia & New Zealand Banking Group" etj., i ngritën parashikimet e tyre për rritjen e ekonomisë kineze. Rimëkëmbja e vazhdueshme e ekonomisë kineze ka nxitur kërkesën për importimin e mallrave, si edhe eksportimin e produkteve kineze. (Wang Lei/ Artan)