Laura Olldashi me profesion është mjeke dhe punon në Milano të Italisë, ku shkoi si emigrante klandenstine 25 vite më pare. Ajo merret me studimin e ilaçeve eksperimentale për sëmundje të rënda, përpara se të dalin në shitje. “Asgjëja ime” është libri i dytë i autores pas librit të parë “Atman”. Në një intervistë për Radio Ejani Laura flet për rikthimin në atdhe dhe promovimin e librit të saj të dytë.
CMG: Riktheheni në atdhe për promovimin e librit tuaj të dytë me tregime. Ju kishte munguar Tirana?
Laura Olldashi: Kam një vit pa ardhur, qëkur kam bërë promovimin e librit të parë “Atman” dhe më kishte munguar. Tirana është gjithmonë në lëvizje dhe përherë më duket më e re se ajo që e kam lënë me ndryshimet e bëra.
CMG: Jetoni dhe punoni prej vitesh në Milano. Ku ndryshon Tirana nga Milano?
Laura Olldashi: Në Milano nuk sheh shumë njerëz në rrugë sepse janë në punë, ndërsa këtu shoh që ka shumë njerëz gjatë ditës. Ndonjëherë mendoj se a po bëjnë më të mirën e jetës së tyre, sepse më duket sikur po harxhojnë kohën e jetës së tyre. Kjo është ideja ime.
CMG: Arsyeja e rikthimit tuaj pas një viti në Shqipëri është promovimi i librit me tregime “Asgjëja ime”, që do ta prezantosh në Tiranë, Elbasan dhe Shkodër.
Laura Olldashi: Vitet e fundit unë vij në Shqipëri vetëm për letërsinë dhe për artin tim, pasi jam shpërngulur nga Shqipëria në vitin 1998, ku familja dhe gjithçka është në Milano. Lidhja ime shumë e madhe me Shqipërinë është shpirtërore sepse arti im del shqip dhe kjo është një gjë për t’u studiuar, por edhe se mua më bën krenare, sepse në pavetëdijen time rrënjët e mia janë akoma shqip. Unë të dua dhe të mundem që ta shkruaj librin në italisht është e pamundur se jam shumë mirë në gjuën shqipe, ku arti im del ashtu si është në gjuhën e shpirtit. Unë kam ardhur vjet në Shqipëri me librin “Atman”, ku bëra prezantimin jo vetëm në Tiranë, por edhe në Elbasan e Cërrik. Këtë vit me prezantimin e librit të ri “Asgjëja ime” kam menduar ta promovoj në Tiranë si gjithmonë, pastaj në Elbasan, në universitetin ku kam studiuar sepse bazat atje janë. Do ta promovoj dhe në Shkodër sepse për mua Shkodra është djepi i letërsisë dhe unë jam rritur me poezitë e Migjenit të madh, Ndre Mjedës dhe Gjergj Fishtës. Unë nuk mundem të dal nga ajo çfarë janë bazat. Të tre këto qytete së bashku, ku Elbasani për gjuhën shqipe dhe Tirana pastaj si djepi i emancipimit.
CMG: Elbasanin e zgjodhët si qytetin ku jeni rritur dhe keni kryer dhe studimet?
Laura Olldashi: Unë kam studiuar në Elbasan dhe kam ndenjur tek tezet, ku më lidhin shumë gjëra si qytet, plus që njëri nga redaktorët e librit është nga Elbasani dhe tjetri nga Cërriku, kështu që kam ndjekur origjinën time.
Laura duke i dhuruar librin gazetares Anila Varfi
CMG: Ka qenë i vështirë organizimi i promovimit në këto tre qytet, duke parë që jetoni prej vitesh larg vendlindjes?
Laura Olldashi: Unë para se të largohesha nga Milano organizova një darkë me kolegët e mi të punës, për të më uruar për prezantimin e librit. Duke pregatitur valixhet i thosha vetes se jam e çmendur dhe çfarë po bëja me këto ritme të çmenduar për të bërë një gjë me impenjim kaq të madh. Aty kuptova se është ajo që unë dua, ajo gjë që më mban gjallë. Unë kam me të vërtetë ritme të çmenduara, ku kthehem shumë vonë nga puna dhe shumë e lodhur. Kur kthehesha nga puna ulesha te koridori, merrja telefonin dhe me anë të tij përgatita të trija këto takime së bashku me redaktorin tim Rexhep Shahun, i cili me gjithë problemet e tij shëndetësore u mundua të jetë në krahun tim, sepse të përballosh energjinë që kam unë dhe gjithë këtë punë që është bërë me shumë mundim. Në fund kuptoj atë se çfarë jam e aftë të bëj, ku vjet kisha një kufi tjetër dhe sot kam një kufi akoma më të ri. Të shohim vitin tjetër.
CMG: Si e keni menaxhuar kohën dhe punën tuaj të përditshme për të shkruar dhe përfunduar në një kohë rekord librin?
Laura Olldashi: Unë kam 17 vjet që punoj në fushën e mjekësisë në farmacinë e spitalit dhe para tre vjetësh ekipi im u shpërngul në spitalin San Rafaele, ku tani jam data manaxher dhe merrem me ilaçin eksperimental. Impenjimi është shumë i madh, koha dhe vrulli është shumë i madh, ku gjatë javës pothuajse nuk shkruaj sepse duhet të punoj, plus që jam dhe familjare. Këto ritmet e çmenduara që kanë por dhe nuk kanë kuptim, ku të shtunën dhe të dielën unë i largoj duke shkruar, duke marrë një tjetër energji të shpirtit.
CMG: Edhe vajza juaj po ndjek fushën e mjekësisë, duke studiuar në një prej universiteteve në Tiranë. Pse zgjodhi të shkëputet nga Milano për të vazhduar studimet në Tiranë?
Laura Olldashi: Mendoj se asgjë nuk ndodh rastësisht dhe të shohim pse është bërë një zgjidhje e tillë. Vetëm koha do na e tregojë më vonë. Në mënyrë praktike zgjidhja është bërë sepse vajza dhe pse nuk ka lindur në Shqipëri flet gjuhën shqipe sepse ka jetuar me mua dhe mamanë time dhe në familjen time flitet shqip. Me vajzën unë flas gjuhën shqipe dhe italishte. Besoj se zgjidhja ka qenë për arsye shumë të thjeshta, sepse ajo donte të studionte në fushën e mjekësisë, duke pasur të dyja nënshtetësitë dhe ju dha mundësia këtu në Tiranë. Gjatë kësaj kohe unë isha për promovimin e librit në Tiranë dhe bëmë një zgjidhje të tillë.
Laura me studiuesin Behar Gjoka
CMG: Mënyra e promovimit të librit tuaj të dytë është e veçantë, ku në fokus do të jenë diskutimet me të pranishmit si dhe të ftuarit e zgjedhur.
Laura Olldashi: Unë nuk kam një shembull që ta ndjek, por shembujt e mi janë çfarë bëra vjet dhe çfarë do bëj këtë vit. Unë nuk jam në garë me të tjetër, por jam në garë me veten time. Ajo çfarë do sillet në Tiranë do të jetë një bashkëbisedim i lirë ndërmjet meje dhe publikut. Është një publik shumë i përzgjedhur nga unë dhe shumicën nga Rexhep Shahu, sepse unë duke qenë larg nuk njoh shumë mirë zhvillimet e artit. Besoj se njerëzit që ndjekin letërsinë time duhet të kenë të njëjtën energji me mua dhe libri im do lexohet në atë moment kur ata do kuptojnë që ka nevojë për një ndryshim të brendshëm, sepse e gjithë mënyra ime e të shkruarit është e brendshme.
Unë shkruaj se çfarë ndodh brenda nesh kur jashtë ndryshon, si reagon shpirti ynë, si reagon gjendja jonë shpirtërore me ndryshimet globale. A jemi ne gati me gjithë këto ndryshime dhe a po e ruajmë ne çfarë na është dhënë ? Si do ndryshohet me modernizimin që po ndodh jashtë, shpirti si ndryshon? Kjo më pëlqen sepse është një vazhdim i Frojdit, Jungut, duke parë psikoanalizën, ndryshimin që po bën njeriu. Unë them se gjithçka është brenda nesh, dhe nëse gjejmë ekuilibrat që kemi brenda, ne krijojmë individin.
Në Tiranë unë do të sjellë dialogun dhe komunikimin, sepse librin do ta kenë këtu dhe do ta lexojnë, ndërsa mua më kanë pak kohë. Dua që të më njohin më shumë, ose ata që janë kuriozë të shohin sesi një femër, një grua, arrin të prekë disa tema që janë me të vërtetë të fuqishme, sepse temat e mia janë për gjërat e padukshme dhe njeriun e padukshëm. Kam përgatitur dhe një diskutim, ku flas për rolin e shkrimtarit sot dhe çfarë na bën ne të jemi shkrimtarë. Ne duke shkruar mund të fshijmë lotët e një fëmije që as nuk e njohim, ne me anë të fjalës mund të vendosim paqen, me anë të rrëfimit tonë mund të mbillim farën e parë të pemës së ekzistencës së botës.
CMG: Keni menduar që librat t’i sillni të përkthyera në gjuhën italiane?
Laura Olldashi: Kjo është mëse e vërtetë, madje dhe të njohurit e mi në Itali më thonë që unë po ju heq të drejtën për ta lexuar në italisht. Ideja ime është që libri të vijë dhe në italisht, por duhet gjetur përkthyesi i duhur sepse unë me ritmet e mia nuk mund të bëj dhe këtë gjë.
CMG: Pse duhet lexuesi ta lexojë librin tuaj me tregime “Asgjëja ime”?
Laura Olldashi: Si libri i parë “Atman” dhe i dyti “Asgjëja ime”, por sidomos libri i parë filloi nga rënia ime, sepse unë isha rrëzuar dhe ngritjen ma bëri letërsia, që solli ndryshimin tim të brendshëm. Unë them se njerëzit duhet t’i lexojnë të dy librat, sepse “Atman” është vagoni dhe librat e tjerë janë lokomotiva, janë fëmijët që Atmani do t’i ketë kujdes se i kam dhënë sytë dhe shpirtin tim, e kam identifikuar me veten time. Nëse ato duhet të bëjnë ndryshimin e brendshëm, të dy librat e mi sjellin kuptimin dhe idenë pse jemi këtu, çfarë gjërash të rëndësishme ka që ne duhet të mësohemi, kush është më e mira jonë, kush janë ekuilibrat tanë dhe si ne mund të rritemi brenda.
Intervistoi: Gazmend Agaj