E njohur për shtëpitë karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. “Shtëpia Kadare” apo Muzeu Etnografik në Gjirokastër presin turistë në çdo stinë. Të rikonstruktuara gjatë viteve të fundit, ato janë kthyer në pika të interesit të fortë për turistët që e vizitojnë çdo ditë Gjirokastrën. Por krahas tyre, janë edhe një varg shtëpish, me një akitekturë tipike të viteve 1800, që të vendosura pranë njëra- tjetrës në një rreze të vogël gjeografike, ruajnë vlera të rralla arkitekturore, etnografike dhe qytetare për Gjirokastrën, si dhe përbëjnë një atraksion të rrallë turistik për vizitorët. Dy prej tyre, Muzeu Etnografik dhe shtëpia e Kadaresë, shërbejnë si muze që administrohen nga shteti, ndërsa të tjerat janë shtëpi tradicionale ku trashëgimtarët jetojnë duke ruajtur vlerat më të mira të paraardhësve të tyre.
Njëra prej tyre, shërben si muze privat, Shtëpia e Zekatëve, ndërsa pritet që shtëpitë e personaliteteve të tjera, si shtëpia e Çabejve në nder të gjuhëtarit Eqerem Çabej, apo e Kokalarëve, në nder të intelektuales së paepur Musine Kokalari, të kthehen edhe ato në muze.
Shtepia Muze e shkrimtarit Ismail kadare - foto Kult Plus
Shtëpia e lindjes së Shkrimtarit Ismail Kadare
Shtëpia e shkrimtarit të shquar shqiptar Ismail Kadare në qytetin e tij të lindjes në Gjirokastër është ndër Monumentet e Trashëgimisë Kulturore më të vizituar në vend. Kjo shtëpi është kthyer në një qendër të rëndësishme letrare e kulturore, jo vetëm në Shqipëri por në të gjitha trojet shqiptare. Të pasionuarit pas shkrimtarit, por jo vetëm ato, mund të njihen në këtë shtëpi muze me gjithë jetën dhe hapat e para të shkrimtarit në fushën e letërsisë. Kush ka lexuar “Kronikë në gur” të Kadaresë, do të gjejë në këtë shtëpi, copëza reale të përshkruara në roman si dhe relike që lidhen me jetën dhe krijimtarinë e Kadaresë.
Shtëpia e gurtë, së cilës Kadareja në romanin e tij “Kronikë në gur”, i kushton faqe të tëra në përshkrimin letrar, aktualisht është kthyer në një vend të veçantë të prezantimit të vetë qytetit, Gjirokastrës. Vetë shtëpia prezanton një shtëpi tradicionale karakteristike të Gjirokastrës, gjë që e bën këtë vend akoma edhe më joshës dhe intrigues. Në mure, mund të gjenden të shkruara pjesë të librave të tij. Gjatë vizitës nëpër dhoma të ndryshme mund të dëgjohen gjithashtunë audio pjesë të shkrimeve të Kadaresë. Vizitorët mund të shpenzojnë kohë duke lexuar një libër brenda banesës, ose duke përjetuar efektet e avionëve bombardues në vendstrehimin mbrojtës, të përshkruar aq bukur në romanin “Kronikë në gur”. Përveç ciceronit, vizitorët mund të përdorin edhe audioguidat që ofrohen në këtë shtëpi muze.
Shtepia e Zekateve - foto wikimedia Sjkelqen Rexha
Shtëpia e Zekatëve
Por, nëse shtëpia Kadare është bërë e famshme për shkrimtarin që lindi dhe nisi të shkruajë nga ato parvaze penxheresh, si fëmijë që ishte, shtëpia e Zekateve është një shembull i mrekullueshëm i një shtëpie tradicionale gjirokastrite, shembulli më i mirë i kullës tipike.
Ndërtesa konsiderohet si shembulli më i mirë i kullës tipike Otomane. Ajo ka një kat të poshtëm, ndërtuar detyrimisht prej guri për arsye sigurie, dhe në katet më të larta janë vendosur dhomat kryesore për familjen. Shtëpia është ndërtuar në fillim të 1800-ës dhe muret rrethuese të dhomës kryesore janë të dekoruar me afreske, ndërsa tavanët janë prej druri të gdhendur dhe oxhakët të zbukuruar. Dritaret me forma hënore me xhama shumëngjyrëshe thuhej se vinin nga Venediku, çka dëshmonte për një lidhje të hershme që gjirokastritët kishin me botën e përtej maleve. Dy harqe të mëdha sa lartësia e të gjithë shtëpisë, krijojnë një raport misterioz për vizitorët. Prej këtu pamjet nga lart e qytetit dhe të luginës së lumit Drino janë spektakolare.
Shtëpia ka tre kate, ku i poshtmi përmban dhomat e magazinimit, një kuzhinë të lartë dhe sterat e ujit, si dhe shkallët që gjarpërojnë lart për në katet e tjera. Kati i dytë ka dhomat kryesore, që shërbenin për degë të ndryshme të familjes, ndërsa kati sipërm ka një dhomë të madhe pritjeje dhe dy dhoma të tjera. Dhoma kryesore është tipike për shtëpitë më madhështore të Gjirokastrës me mure me afreske, tavan druri të gdhendur dhe oxhak të zbukuruar. Në qendër të katit, pranë shkallëve është një ballkon druri që mbizotëron mbi qytet. Shtëpia e Zekatëve është një shembull i shkëlqyer për të njohur Gjirokastrën e vërtetë përmes elementeve të saj urbanistik dhe etnografik të ruajtura aq mirë nga trashëgimtarët e familjes.
Muzeu Etnografik Gjirokaster - foto into Albania
Muzeu Etnografik
Muzeu Etnografik i Gjirokastrës ndodhet në lagjen Palorto, që është më e mirëmbajtura në qytetin historik dhe pikërisht në vendin ku ishte shtëpia e lindjes së Enver Hoxhës, udhëheqësit të vendit nga 1944 deri në 1985. Ndërtesa e muzeut është ngritur më 1966 pasi shtëpia origjinale ishte shkatërruar nga zjarri. Ajo u rindërtua si një model tradicional i shtëpive gjirokastrite me shumë përbërës kulturorë tradicionalë klasikë. Nga 1966 deri më 1991 ndërtesa shërbeu si Muze Antifashist. Më 1991, këtu u sollën eksponatet e muzeut të atëhershëm etnografik. Ndonëse shtëpia nuk përmban sendet apo dekorimet specifike të familjes së Hoxhës, ajo tregon hollësisht jetën tradicionale të një familjeje gjirokastrite. Ndërtesa ka 4 kate, të cilat janë që të gjitha të hapura për publikun. Dhomat janë rregulluar sikur të ishin në përdorim dhe janë zbukuruar me sende shtëpiake, kostume popullore, objekte artistike e kulturore tipike për familjet e pasura të tregtarëve gjirokastritë ose administratorëve otomanë të shekullit të XIX-të.
Shtepia e Skëndulatëve - foto wikimedia Wolfgag Sauber
Shtëpia e Skëndulatëve
Në brinjë të muzeut etnografik qëndron shtëpia e Skëndulatëve, e cila i ka rezituar kohës edhe së është më shumë se 250 vjeçare. Ndërtesa e lartë mbahet nga themele guri që arrijnë dritaret e katit të parë. Odave të shtëpisë u është dhënë hapësirë dhe ndriçim në mënyrë të përsosur. Shtëpia e veçantë ka 9 oxhaqe dhe tavanë të punuar me finese, reflektues të statusit të kamur të familjes. Përmes odave të shumta gratë kishin mundësinë për të numëruar, pa u vënë re, miqtë që mësynin çdo javë në shtëpi. Dhoma e grave, ku zhvilloheshin ceremonitë më të gëzueshme të jetës familjare, ruhet e paprekur. Në katin përdhe janë qilarët ku mbaheshin zahiretë (ushqimet). Kati i parë mban dy dhoma banimi dhe një kthinë të bollshme për gatim dhe në katin e dytë janë vendosur tre oda të tjera. E gjithë shtëpia përshkohet nga shkallë që reflektojnë një model unikal ndërtimi.
Shtëpia e Babametove
Fillesat e modernizimit të familjes gjirokastrite i gjen në modelin e shtëpisë së Babametove, një ndërtesë me arkitekturë mbresëlënëse e ndërtuar në shekullin e XIX. Ngrehina lindi mbi një gërmadhë të vjetër dhe projektuesit e saj patën vizionin të bashkonin dy shtëpi nën një çati, për të hedhur hapat e ndarjes së njësive më të mëdha familjare në njësi më të vogla. Mbi portën e hyrjes dallohen dy mbishkrime të viteve 1885 dhe 1887, që përkojnë me kohën e ngritjes së shtëpisë. Kati i sipërm duket sikur rrëshqet mbi themelet e shtëpisë, duke u mbajtur në konstruksione të pjerrëta të padukshme në pamjen ballore. Dritaret e shtëpisë të dekoruara sipas stilit otoman janë dy llojesh. Ato të katit të sipërm janë të mëdha, ndërsa pjesa tjetër që ndriçojnë katin përdhes duken si frëngji. Shtëpia është e ngritur mbi dy rradhë oborresh të shkëputur prej bimësisë nga njeri tjetri.
Shtëpia e Angonatëve
Si i ulur në një lozhë teatri mund të të duket vetja ndërsa sheh nga dritaret e shtëpisë së Angonatëve, shtëpia më e madhe e të gjithë qytetit. Banesa dominohet nga ndërtimi simetrik me shtatë kulme çatish. Angonatët shohin mbi Pazarin e Gjirokastrës dhe pamja e plotë e qytetit të jep kohë të sodisësh, me duart kryq, këtë ansambël gurësh të pazakontë. Pjerrësia e relievit nuk i ka penguar gjirokastritët që të ndërtojnë në çdo shtëpi odat e miqve dhe odat e banimit, të dekoruara plotësisht. Këto janë standarde të pashkruara askund, që nuk kanë pyetur për çmim e mundim. Muri rrethues i shtëpisë shtrihet bashkë me rruginën e kalimtarëve, derisa fiton një lartësi dominuese mbi lagjen ku është vendosur.
Banesa e Ficove
Hap pas hapi, sokak më sokak dhe pakuptuar mund të biesh në oborrin e një shtëpie tjetër. Shtëpia, ndërtuar në vitin 1902, të jep një ide të qartë të evoluimit të banesës gjirokastrite. Ajo përsërit variantin e thjeshtë të ndërtimit me katin përdhes dhe një kat të pare por ajo çfarë solli të re ishte konstruksioni i mbajtur në dy krahë, simetrikë me njëri-tjetrin, me dritare të mëdha që shohin mbi lagje dhe qytet. Çatia me pllaka guri derdhet lehtë mbi kurorën e shtëpisë, jeta e të cilës lëvizte në një oborr të vockël që shtrihej mbi kalldrëmin e lagjes. Tre shkallë të shkurtra guri ndanin portën nga rruga, ndërsa trarët në dritaret ballore duken si roje të heshtura që shohin gjithçka.
Neritana Kraja