Vit i suksesshëm për Mezzo-Sopranon Ivana Hoxha
2023-10-15 17:30:03

Artistja Ivana Hoxha e lindur në Tiranë, e ka nisur pasionin për muzikën shumë herët. Ajo ka studiuar në degën e Kantos pranë Liceut Artistik “Jordan Misja”, për tu diplomuar më pas në Universitetin e Arteve në Tiranë. Falë regjistrit të saj vokal tejet të veçantë si Mezzo-Soprano, ajo arriti të ngjitej në skenën e TKOB në fillim si pjesë e korit  si studente për të vijuar ëndrrën e saj tashmë si soliste. Gjatë studimeve  Ivana është vlerësuar me shumë çmime. Ajo ka kryer studime të specializuara në Francë në vitet 2008-2009.

 

Ivana ka interpretuar në shumë role të njohura që i përshtaten vokalit të saj si Opera “Carmen”, “Madama Butterfly”, etj, por portretizimi i saj mbetet tek roli aq shumë i dashur dhe për të, Amneris në operan “Aida", të cilën e interpretoi premierë në TKOB, por edhe në Bullgari. Ky vit vit për Mezzo-Sopranon Ivana Hoxha, konsiderohet si ndër më të suksesshmit në karrierën e saj artistike. Për Grupin Mediatik të Kinës Ivana Hoxha tregon sukseset e këtij viti, dashurinë e madhe për muzikën operistike dhe planet për të ardhmen.  

CMG: Në çeljen e sezonit artistik në muajin shtator në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, mësuam se në fund të vitit ti si  soliste do të interpretosh operan “Carmen” të Georges Bizet. Edhe pse e ke interpretuar më herët këtë vepër, sigurisht që kërkon përgjegjësi dhe prova sa herë që rivihet në skenë.

Ivana Hoxha: Është e vërtetë që unë e kam debutuar para pesë vjetësh dhe kanë qenë kushtet pak më të vështira, sepse ne në atë kohë ishim pa teatër dhe shfaqjet i bënim në Pallatin e Kongreseve. Kushtet sot janë shumë herë më të mira dhe na duhet patjetër që të punojmë shumë, për të arritur në një nivel ashtu siç i takon teatrit tonë.

CMG: Si kritike, si e sheh veten në interpretimin e një shfaqje dikur duke e krahasuar me sot, në aspektin artistik e profesional?

Ivana Hoxha: Ke shumë të drejtë, kur shfaqet një vepër dhe ke sukses të madh si pesë vite më parë, mendoj se tani pas pesë vjetësh duhet të punoj edhe shumë për të pasur një ndryshim, e për ta sjellë me  profesionalizëm edhe më të madh një vepër të caktuar. Pra duhet një punë kolosale gjithmonë.

CMG: Le të flasim  për operan “Aida” që ti e ke pasur ëndërr që në universitet. Tashmë ëndrra jote u bë realitet dhe ke interpretuar në këtë opera jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Bullgari…

Ivana Hoxha: Jam shumë e lumtur që mu besua ky rol, sepse është një nga rolet që unë e kam dashur gjithë jetën time, jo vetëm në fakultet, por edhe më përpara. Më duhej një punë shumë e madhe për të arritur në një nivel që duhej të debutohej në atë vepër kaq të rëndësishëm, që  Teatri i Operas vuri në skenë nga Zeffirelli. Jo vetëm për mua, por edhe për teatrin duhej të isha në një nivel shumë të lartë. Besoj që ja arrita dhe për këtë arsye pata edhe ftesën për në Bullgari.

CMG: Ftesa erdhi menjëherë sapo interpretove në këtë shfaqje?

Ivana Hoxha: Në fakt jo, kam qenë duke interpretuar veprën “Requiem” të Verdit, gjatë hapjes së sezonit artistik 2022 në muajin tetor. Aty ishte e ftuar drejtoresha e operas së Varnës në Bullgari, e cila më dëgjoi dhe menjëherë pas shfaqjes ajo më takoi  duke më thënë: “Do shihemi shumë shpejt në Varna me operan “Aida”. Në atë kohë nuk e kisha interpretuar ende në Tiranë operan “Aida”. Ndërkohë pasi kaloi një muaj pas interpretimit të kësaj vepre në Tiranë në TKOB, shkova ta interpretoja më pas këtë vepër në Varna të Bullgarisë. Shkova unë si soliste nga TKOB  dhe  regjisorja Ada Gurra. Ajo që ishte më e rëndësishme për mua, ishte që të debutoja me një nga artistet që  këndon në “La Scala” , në një nga operat më të mira të Europës dhe më tej, që është Krassimira Stoyanova, një nga këngëtaret më në zë në botën operistike.

CMG: Si ka qenë bashkëpunimi me të?

Ivana Hoxha: Kisha një emocion të jashtëzakonshëm sepse ajo ka kënduar operan “Aida” shumë herë, por edhe me këngëtarë të përzgjedhur në gjithë botën . Isha e emocionuar që të këndoja përpara saj, por ajo më ka pritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Pas provës, ajo erdhi dhe më pëshpëriti në vesh duke më thënë: “Sei fantastica”, sepse fliste italisht. Ishte një suport i jashtëzakonshëm, mu desh që të jepja më shumë nga vetja, sepse mbështetja që ne kemi nga kolegët, të ndihmon shumë për të dhënë maksimumin tënd.

CMG: Opera “Aida” është e dhimbshme pasi përfundon me vdekjen e personazheve kryesore, por le të ndalemi tek ky trekëndëshi i dashurisë, ishte më i dhimbshëm në Bullgari apo në Tiranë?

Ivana Hoxha: Shpirtërisht më e dhimbshme ishte në Tiranë, sepse ishte shfaqje debut dhe sigurisht që emocionet janë më të mëdha. Ndërsa në Bullgari shfaqja ishte më e pjekur profesionalisht, muzikalisht dhe vinte në lehtë, prandaj profesionalisht isha më e përfshirë në Bullgari dhe në Tiranë isha e përfshirë më shumë emocionalisht.

CMG: Si është për një artiste përjetimi i këtyre emocioneve të dhimbshme në fund?

Ivana Hoxha:  Është një ngarkim emocional që në fillim në prova. Na qëllon që të qajmë në prova me njëri -tjetrin, na qëllon që të ndalojmë deri sa të qetësohemi.

CMG: Janë lot të vërtetë?

Ivana Hoxha: Po, janë lot të vërtetë. Kam kënduar shumë role, si në veprën “Il Trovatore”, ku nëna qan pafund për fëmijën. Ishte një fazë atëherë që unë nuk isha bërë nënë ende dhe nuk e përjetoja dot, ashtu siç mund ta përjetoj sot. Gjithsesi ishte një ndjenjë që në momentin që futesh brenda rolit dhe e ndjen atë sikur ta kesh nën lëkurë. Realisht më besoni se janë emocione të vërteta.

CMG: Mbetemi tek veshja e rolit nën lëkurë, ku  ke bërë edhe role meshkujsh. Sa ke hyrë brenda këtyre roleve?

Ivana Hoxha: (Qesh) Roli im i parë në jetë ka qenë roli i një djali. Ishte roli i Cherubinit tek “Dasma e Figaros”, kur kam qenë studente dhe mbrojta diplomën me atë vepër që për mua ka qenë shumë e vështirë. Në atë opera kam pasur pedagog Nikolin Gurakuqin, i cili më ka ndejtur mbi kokë. Është shumë e vështirë që nga një ecje femërore, ta kthesh  në një ecje djaloshare.

CMG: Si arrite të hyje brenda këtij roli?

Ivana Hoxha: Gjëja e parë që duhet të bëja gjatë asaj kohe duhej të rrija me atlete, e dyta duhej të rrija e kërrusur, realisht janë role djaloshore, jo burrërore, sepse një zë femëror nuk mund t’i përshtatet një zëri burri. Bëhet djalë për një djalosh rreth moshë 15-16 vjeç. Kam luajtur edhe 4-5 role të tjera djemsh, e para ishte e vështirë, më pas ja kam dalë.  

CMG: Shumë nga këto vepra që luan sot, ti i ke interpretuar edhe kur ke qenë studente?   

Ivana Hoxha: Jam aktivizuar shumë në korin e teatrit, madje më spikatën dhe herë pas here më kërkonin që të dilja nga kori, e të interpretoja role të vogla episodike në opera. Këto janë gjëra që të ndihmojnë të rritesh profesionalisht, sepse gjithmonë shkallët ngjiten një e nga një dhe arrin në një kulm të një pjekurie artistike, shkallë pas shkalle. Unë i shihja solistët e teatrit, si të ishin njerëzit më të rëndësishëm në botë. Unë e shoh sot edhe vetë, që të kesh një familje, të kesh edhe një jetë profesionale të arrirë, të duhet një punë edhe më e madhe, se një njeri që nuk ka angazhime të tjera, por ka vetëm karrierën. Por më pas vijnë rolet më të rëndësishme, rolet më të mëdha. Të besohen role më të madha për arsye se je më e rritur profesionalisht dhe e meriton që të bësh diçka edhe më të madhe.

CMG: Pasi përfundove Universitetin e Arteve në Tiranë shkove në Francë për Masterin. Si ishte kjo periudhë ?

Ivana Hoxha: Ishte pak e vështirë, së pari adoptimi nga një vend ku isha mësuar që të kisha gjithçka gati, prindërit, familjen, miqtë, ke gjithçka në vendin tend, e të duhet që t’ja nisësh nga e para në një vend të huaj.  Ishte pak e vështirë, por ishte një punë e një sakrificë që ja vlejti. Mu desh të bëja gjëra që nuk i bëja në Tiranë, aty bënim muzikë kontemporane, muzikë baroke, pra mu desh të mësoja pak nga këto, sepse është muzikë shumë e rëndësishme për zhvillimin artistik, gjë që ja vlejti.

CMG: Ivana ti ke vite që merresh me muzikë, por kush e zbuloi talentin tënd?

Ivana Hoxha: Talentin tim e ka zbuluar ajo që unë  i them nëna ime  e dytë, pedagogia ime, e cila më ka ndejtur te koka. Ajo është Ema Kançi,  një nga njerëzit që unë e vlerësoj shumë në jetë, një nga njerëzit më të rëndësishëm, prej saj unë jam kjo që jam sot.

CMG: Është bukur kur u themi “faleminderit”, personave që kanë ndikuar në suksesin tonë. Unë e shoh që Ema poston shpesh në rrjetet sociale sukseset e tua artistike.

Ivana Hoxha: Ajo më thotë gjithmonë që; “je krenaria ime”, por në fakt ajo nuk e di sa shumë unë e vlerësoj dhe sa shumë i jam mirënjohëse. Është një nga njerëzit më të rëndësishëm dhe do i jem falenderuese gjatë gjithë jetës time.

CMG: A ka vepra të mira e jo të mira, apo vepra të dashura e jo të dashura për ty?

Ivana Hoxha: Po sigurisht, ka role të mira dhe të debutuara shumë mirë dhe sidomos kur e do shumë. Ka role  të cilat duhet t’i bësh, sepse i takon t’i bëjë vokali. Një profesisonist duhet t’i bëjë dhe shumë mirë madje, pavarësisht se sa mund ta ndjesh në lëkurën tënde, si puna e atij rolit të djalit që diskutuam. Mund të jetë e vështirë, por është një sfidë më vete, që një gjë të pamundur, ta bësh të mundur. Ndërsa kur vjen puna tek rolet që i ke ëndërr, atëherë është më e thjeshtë sepse i ke më brenda shpirtit dhe dëshirës tënde.

CMG: Është libreti që të tërheq tek një vepër apo muzika?

Ivana Hoxha: Është libreti, muzika, pra gjithçka. Ata kanë qenë mjeshtra që e kanë shkruar veprën dhe e kanë ndërthurur kaq bukur sa ato janë njësh me njëra-tjetrën.

CMG: Prej shtatë vjetësh je soliste në TKOB, por si e sheh veten pas një dekade nga ana profesionale?

Ivana Hoxha: Ndonjëherë jam njeri që nuk bëj plane afatgjate, por mendoj që të realizoj projektet që kemi për një periudhë 2-3 vjeçare, pastaj të shohim. Sigurisht që do jem në TKOB gjithmonë. Të them të drejtën më janë hapur shumë rrugë pas këtyre shfaqjeve të fundit në teatër, pas “Requiem” të Verdit dhe pas veprës “Aida” më erdhën ftesa shumë të rëndësishme përtej kufijve dhe shpresoj që në të ardhmen, t’i bëj realitet.   

CMG: Ivana, ti je gjithashtu nënë e dy djemve, por si është të bësh art në kohët e sotme, ku për një mezzo- soprano, kërkohet një impenjim shumë i madh?

Ivana Hoxha: Është  e vështirë, por të them të drejtën, më shijon më shumë suksesi pasi shkoj në shtëpi. Më duket realizimi i vërtetë i gjithë shfaqjes që unë kam bërë. Më duket realizim i gjithë jetës time, kur shoh dy yjet e mi në shtëpi. Është e vështirë përgatitja dhe gjithë ato gjëra që të gjitha nënat i dinë, por që është gjëja më e bukur që kam në jetë. Profesionin tim, të realizuar me dy bebat e mi.