Rakipe Karaj, një jetë në skenë me këngën
2023-10-14 16:40:24


Rakipe Karaj me kostum popullor 

Këngëtarja e njohur Rakipe Karaj ka lindur në qyjetin e vogël të Librazhdit, nga ku ka nisur rrugëtimin e artit, për ta vazhduar më pas në rrethin e Krujës, ku jeton prej shumë vitesh. Ajo ka marrë pjesë në shumë aktivitete muzikore, duke promovuar më së miri vlerat e vërteta të muzikës shqiptare. Rakipe Karaj është nga të paktët artistë, që me punën e saj ka ngritur lart prestigjin e këtij qyteti të vogël, duke nxjerrë shumë talente të reja në fushën e artit. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ajo tregon me shumë nostalgji për vitet e karrierës së saj artistike në të dyja qytetet si dhe punën e saj me fëmijët, duke ju mësuar folklorin dhe muzikën tonë popullore për ta trashëguar atë në breza.  

Rakipe Karaj gjate nje aktiviteti me femijet 

CMG: Si ka nisur rrugëtimi juaj me muzikën popullore, por dhe të lehtë?

Rakipe Karaj: Si të gjithë artistët e tjerë dhe unë e kam nisur këtë rrugëtim që në moshë të vogël  dhe për fat të mirë në Librazhd, qyteti im i lindjes ku janë fillesat e mia si këngëtare. Kam nisur që e vogël me festivalet e pionerëve dhe më vonë me festivalet e të rriturve, festivalet kombëtare të këngës popullore. Zakonisht nëpër qytete të vogla kënga popullore është kënga më masive, që kapet shumë shpejt dhe përqafohet shumë nga dëgjuesit.

Unë e kam nisur karrierën me muzikë të lehtë, me popullore dhe pastaj me vazhdimin e shkollës në Akademinë e Arteve në atë kohë si këngëtare lirike me pedagogen Edit Mihali. Kështu ka vazhduar karriera ime, që edhe pse sot nuk kam shumllojshmëri të aktiviteteve, jam prezente kur kam ndonjë ftesë. Martesa ime me kompozitorin Ylli Kalaja dhe shkëputja nga Librazhdi në Krujë, ku përqafova folklorin e zones, vazhdon  edhe sot  që interpretoj bukur këngën krutane të përpunuar, e sjellë në kohë dhe pak më të avancuar, por motivet janë gjithmonë tabani i muzikës popullore.

Rakipe Karaj 

CMG:Ka qenë një mbështetje në rrugën e këngës bashkëshorti juaj Ylli Kalaja, kompozitor i njohur?

Rakipe Karaj:Kjo na ka bërë shumë mirë ne, sepse kemi plotësuar njëri-tjetrin. Ai duke ditur vokalin dhe ngjyrën e timbrit tim, i është përshtatur shumë bukur. Kështu që dhe unë i jam përshtatur dhe i kam kënduar këngët që ka kompozuar bashkëshorti im Ylli Kalaja.

CMG:Si u përshtatët me folklorin e Krujës, që ndryshon nga ai i qytetit tuaj të lindjes?

Rakipe Karaj: Folklori i rrethit të Krujës futet te treva e Shqipërisë së mesme, sepse Librazhdi prek trevën veriore, këngë me çifteli nga malësia, por prapë është zonë që i përket Shqipërisë së mesme. Shqipëria e mesme ka një folk shumë të bukur dhe të këndueshëm, me tekstet e mrekullueshme të Isuf Myzyrit. Gjithashtu edhe në Krujë pothuajse është i njëjti folk, por varet nga tekstet e ndryshme, nga autorët dhe populli. Unë e kisha shumë të thjeshtë dhe u dashurova shumë shpejt me këngët e bukura krutane.

Rakipe Karaj duke kenduar

CMG: Gjatë karrierës keni interpretuar këngë të muzikës së lehtë, popullore dhe klasike. Në cilin nga këto zhanre përshtatet më tepër zëri juaj?

Rakipe Karaj: Vitet e mia të rinisë janë festivalet e këngës së fundvitit që organizonte gjithmonë RTSH-ja. Ato priteshin si aktiviteti më i rëndësishëm, dhe për mua ka qenë fat që kam marrë pjesë në disa festivale të radios, duke filluar që nga festivali i 16-të dhe deri në vitin 1981. Gjithashtu kam marrë pjesë në koncertet e majit, anketat muzikore ku aty jam vlerësuar disa herë sipas kërkesave të dëgjuesve dhe këngët e mia kanë dalë fituese.

Duke pasur një eksperiencë të tillë, edhe pse ishte muzikë e lehtë, motivin këngët e mia e kanë pasur nga muzika popullore. Kam bashkëpunuar me kompozitorët Naim Gjoshi, i cili shquhet edhe sot për melosin e këngëve të bukura, për motivet e bukura që ka në këngët e tij burimore popullore. Gjithashtu edhe kompozitori Enver Shëngjergji, që  kam pasur fatin të këndoj dhe këngët e tij, një kompozitor i cili e ka shumë të theksuar melosin dhe motivet popullore në këngët e krijuara prej tij. Kam interrpetuar dhe këngët e kompozitorit të madh Tish Daija, i cili ka qenë udhëheqësi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Kam qenë me fat të bashkëpunoja me këta kompozitorë, duke ditur që e kisha si natyrë timbrike ëmbëlsinë dhe motivet popullore dhe kompozitorët thonin se do ua këndoja unë këngët sepse isha më afër natyrës së folkut.

Rakipe Karaj me bashkeshortin, kompozitorin Ylli Kalaja 

CMG: Sa i rëndësishëm është arsimimi për një artist në shkollën e muzikës, për të qenë një këngëtar profesionist?

Rakipe Karaj: Arsimimi është gjithçka për një artist. Patjetër që dikush e ka dhe të lindur talentin dhe e ka brenda vetes, por mendoj se shkolla ndikon shumë sepse merr një kulturë më të gjerë, merr teknikën e të kënduarit, duhet të punosh me diafragmën që të jesh rezistent. Dallohet një këngëtar profesionist nga një amator, sepse amatori nuk ka teknikën e të kënduarit. Ky është mendimi im, pavarësisht se sot ka të rinj të mirë, por për mua sidomos përsa i përket këngëve që këndojmë lenë shumë për të dëshiruar. Ata vetë janë amatorë por edhe ata që u krijojnë këngët janë amatorë. Për mendimin tim shkolla ka të bëjë shumë.

CMG: Një vlerë e çmuar e folkut shqiptar është dhe kostumi popullor tradicional, që ju e keni veshur gjithmonë ] në skenë. Cilat kanë qenë përjetimet emocionale kur keni veshur kostumin popullor?

Rakipe Karaj: Unë me origjinë jam nga Rrajca dhe kostumin e trashëgoj nga origjina, që është një perlë e folkut tonë. Unë atë kostum kam pasur fatin ta vesh kur jam përfaqësuar në festivalet folklorike të Gjirokastrës, duke përfaqësuar qytetin e Librazhdit. Ndërsa këtu në Krujë është kostumi i Shqipërisë së mesme, një kostum dhe më i bukur, por nuk mund t’i ndaj sepse ai i Rrajcës ka tjetër stil dhe ngjyra, ndërsa Shqipëria e mesme është më elegant dhe i bukur. Sot po ta shikosh nëpër dasma dhe festa familjare ka hyrë tradita që çifti të vishet me kostum popullor. Nuk mund t’i ndaj dot sepse kam pasur fatin që t’i vesh dhe të këndoj me kostumin popullor të Rrajcës dhe të Krujës, pavarësisht se këtu në Krujë kam  më shumë aktiviete dhe kem veshur më shumë kostumin popullor të Krujës.

Rakipe Karaj me interpretues te vegjel me veshje popullore 

CMG: Prej vitesh keni dhënë një kontribut të madh si drejtuese e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Fushë-Krujë. Si kanë qenë këto vite eksperince më fëmijët në përcjelljen e muzikës popullore te brezi i ri?

Rakipe Karaj: Kam që në vitin 2001 që e kam praktikuar këtë gjë, sidomos me fëmijët e vegjël, duke filluar nga mosha 5 deri në 14-15 vjeç. Për herë të parë Festivalin e Interpretuesve të Këngës Popullore e kam bërë në qytetin e Krujës, duke përzgjedhur zërat më të mirë, por dhe sot këtë festival  e vazhdoj edhe pse me kushte shumë të vështira.

 Jam shumë e apasionuar dhe e përkushtuar që muzikën tonë popullore të mrekullueshme dhe të mirëfilltë të të gjitha trevave t’ja trashëgojmë brezit të ri. Kuptohet që tashmë ky brez është më shumë i prirur pas rrymave të reja moderne muzikore. Me këmbënguljen time dhe të bashkëshortit  e kemi edicionin e 22-të të festivalit të interpretuesve të këngës popullore me perlat e muzikës sonë popullore, që  mundohem t’i sjell me këta fëmijë të vegjël. Ne kemi bërë një punë të shkëlqyer sepse duam që këta fëmijë mos t’i harrojnë këto këngë, mos ta harrojnë kostumin popullor dhe traditat tona të mrekullueshme.  Kjo është arsyeja pse ne po e vazhdojmë këtë gjë.

Rakipe Karaj me veshje popullore

CMG: Si ka qenë pjesëmarrja e deritanishme e fëmijëve që duan të mësojnë këngët popullore?

Rakipe Karaj: Fëmijët kanë qenë shumë të interesuar, sepse prindërit janë gjithmonë shtysa ose ata që i japin mbështetje fëmijëve, por dhe familjët janë të kënaqur që ne ju mësojmë të tilla këngë. Kemi pasur suksese deri tani dhe kemi nxjerrë shumë elementë, duke evidentuar shumë talente të cilët vazhdojnë në qendrën tonë dhe më pas shkojnë në lice dhe Akademinë e Arteve. Pra kemi një brez, që puna jonë është evidentuar nga këta fëmijë.

Rakipe Karaj me kompozitorin Enver Shengjergji 

CMG: Keni së afërmi ndonjë projekt të ri muzikor?

Rakipe Karaj: Momentalisht po punoj për një album timin muzikor, me këngë krutane dhe të Librazhdit, ku dëshiroj të bëj një koncert recital për ta promovuar albumin. Krijimtaria është e mbështetur në motivet popullore.

Intervistoi: Gazmend Agaj