Foto nga VCG
Importet dhe eksportet totale të mallrave të Kinës vazhduan përmirësimin në shtator, me vëllimin e tregtisë që arriti një nivel të ri mujor të këtij viti, treguan të dhënat zyrtare. Vëllimi i tregtisë së jashtme arriti në 3.74 trilionë juanë (rreth 521 miliardë dollarë amerikanë) muajin e kaluar, duke regjistruar rritje në bazë mujore për të dytin muaj radhazi, njoftoi Administrata e Përgjithshme e Doganave (GAC), citon “Xinhua”.
Në tre tremujorët e parë, importet dhe eksportet e mallrave në Kinë, në terma në juanë, ranë me 0.2 për qind në bazë vjetore në 30.8 trilionë juanë.
Eksportet e vendit u rritën me 0.6 për qind në bazë vjetore, ndërsa importet ranë me 1.2 për qind në nëntë muajt e parë të vitit, sipas të dhënave.
Gjatë kësaj periudhe, tregtia e Kinës me vendet pjesëmarrëse në nismën “Një brez, një rrugë” arriti në 14.32 trilionë juanë, 3.1 për qind më shumë në bazë vjetore dhe përbën 46.5 për qind të vlerës totale të tregtisë së jashtme të vendit. Tregtia e vendit me tregjet në zhvillim si Azia Qendrore, Afrika dhe Amerika Latine u zgjeruan përkatësisht me 33.7 për qind, 6.7 për qind dhe 5.1 për qind. Po ashtu u u përmirësua ndjeshëm edhe tregtia me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në periudhën janar-shtator, ndërmarrjet private panë një normë të shpejtë rritjeje pasi importet dhe eksportet u rritën me 6.1 për qind në 16.34 trilionë juanë, që përbën më shumë se gjysmën e totalit të vendit.
Eksportet e makinerive dhe produkteve elektronike të Kinës, të cilat përbënin 58.3 për qind të totalit të eksporteve, u rritën 3.3 për qind gjatë kësaj periudhe, me vlerën e eksportit të automobilave dhe pjesëve të tyre që u rrit me 48.2 për qind nga një vit më parë. (Irma)