10 vjet “Një Brez, një Rrugë”: Kina me një pozicion kryesor në marrëdhëniet tregtare me Shqipërinë
2023-10-13 10:08:05

Nisma Një brez një rrugë dhe vendet në zhvillim (Foto CMG)

Nisma Një brez një rrugë dhe vendet në zhvillim (Foto CMG)

Gjatë dekadës së fundit,  nisma kineze “Një Brez, një Rrugë”  ka kontribuar në multilateralizmin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike, si dhe ka krijuar kushte më të mira zhvillimi për vendet në zhvillim. Deri tani, “Një Brez, një Rrugë”  ka tërhequr pjesëmarrjen e më shumë se tre të katërtave të vendeve të botës dhe të 32 organizatave ndërkombëtare. Nisma ka zbatuar dhe po zbaton më shumë se 3,000 projekte bashkëpunimi, duke krijuar 420,000 vende pune dhe duke ndihmuar në daljen e 40 milionë njerëzve nga varfëria. Ajo ka ofruar gjithashtu modelin dhe përvojën e zhvillimit të Kinës, për vendet dhe rajonet e përfshira në të.

Nisma “Një Brez, një Rrugë” përbën një nga projektet më të rëndësishme në kuadrin e tregtisë globale. Zgjerimi i ndjeshëm i marrëdhënieve tregtare dhe reduktimi i kostove të transportit në tranzitimin e mallrave, që nga Lindja e Largët dhe deri në kontinentin tonë, janë dëshmi e dukshme e kontributit që ka dhënë  kjo nismë, në zgjerimin e infrastrukturës së transportit botëror, në shfrytëzimin racional të burimeve natyrore dhe në progresin e dukshëm ekonomik në dhjetra e dhjetra vende të globit.

Duke marrë pjesë në projektet e kësaj nisme, vendi ynë do të kishte mundësi më të gjera në zhvillim ekonomik dhe akses më të madh në tregtinë ndërkombëtare. Eduard Gjokutaj, ekspert i ekonomisë komenton ecurinë e nismës “Një brez, një rrugë” në intervistë ekskluzive për Grupin Mediatik të Kinës

Eksperti Eduart Gjokutaj në intervistë për CMG (Foto CMG)

Eksperti Eduart Gjokutaj në intervistë për CMG (Foto CMG)

 

CMG: Brenda dhjetë viteve,  nisma e Kinës "Një brez, një Rrugë" ka thithur investime me vlerë afro 1 trilionë dollarë, ka zbatuar e po zbaton mbi 3,000 projekte bashkëpunimi dhe ka ofruar 420 mijë vende pune, duke ndihmuar rreth 40 milionë qytetare të dalin nga varfëria në dhjetra e dhjetra vende të botës, me tre të katërtat e vendeve të botës që përfitojnë nga projektet e saj. Forumi i 3-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar i Nismës “Një Brez, një Rrugë”, do të zhvillohet në datat 17-18 tetor në Pekin, Kinë A është momenti që edhe ne të nisim të mendojmë, për të lobuar për projekte zhvillimi pranë strukturave të Nismës?

Eduard Gjokutaj: Po, është momenti. Në çdo kohë, jo vetëm tani që do të zhvillohet ky Forum i Tretë. Do të thosha që në historikun e marrëdhënieve që ka Shqipëria, por edhe Ballkani Perëndimor, ata janë edhe pjesë e një nisme që quhet Blloku i Bashkëpunimit dhe Mekanizmit Ekonomik të Evropës Lindore dhe Qendrore, ku përgjithësisht janë vendet ish-komuniste të Evropës Lindore. Ky mekanizëm është pjesë e Nismës"Një Brez, një Rrugë" , ku përfshihen gati 150 vende.

Nëse e shikojmë zhvillimin e kësaj Nisme, në funksion të projekteve të Shqipërisë,  do të thosha që nuk ka pasur zhvillime, e konfirmuar kjo edhe nga Kryeministri i Shqipërisë, në fillim të vitit 2023. Por, duke e mbajtur vendin si pjesë të kësaj nisme, edhe pse nuk ka pasur zhvillime, pikërisht për shkak të një pritshmërie në të ardhmen, të ndërthurjes së asaj çfarë ofron Shqipëria, me atë çfarë ofron e gjitha kjo Nismë.

Duhet të përmendim këtu në historikun e investimeve kineze në vendin tonë, një rritje të madhe kanë pasur në fakt këto investime pesë-gjashtë vite më parë, sidomos me blerjen e aksioneve të kompanisë së ish-Bankers Petroleum nga kompania kineze Geo-Jade, e cila është një kompani shtetërore, apo me blerjen e aksioneve të Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit në Tiranë, nga një kompani tjetër kineze. Më pas, aeroporti u rishit tek një kompani shqiptare.

Pastaj kemi edhe investime, të cilat lidhen në pjesën e tregut të prodhimit të konfeksioneve, për qëllimin që ka realisht Ballkani dhe Shqipëria, si një pikë fokale, për t’u transferuar pastaj në tregjet e Evropës.

Dhe ketu fillon edhe interesi, se sa do të ishte me vend që Shqipëria të prezantonte projekte, me qëllim që të përfitonte nga Nisma “Një Brez, një Rrugë”, duke shfrytëzuar potencialet gjeostrategjike, dhe, nga ana tjetër, edhe atë pjesë të zhvillimeve infrastrukturore, që në fakt dhe realisht tërheqin kompanitë kineze në Evropë.

Në një historik të zhvillimeve të fundit, realisht vendi ynë nuk e ka përfituar këtë lloj statusi, pasi është Serbia më përpara, duke qenë se ka marrë investime në metalurgji, në ndërtim dhe në energji. Nga ana tjetër, Mali i Zi, i cili është një rast që nevojitet të analizohet, edhe për detajet që pati. Po ashtu, edhe Maqedonia dhe Kosova.

Pra, Shqipëria, përveç zhvillimeve që përmenda më lart, ka pasur një nivel të ulët të pjesëmarrjes. Në këtë mes, ka ndikuar si pjesa e asaj që quhet të bërit biznes, pra kushteve që mund të paraqiten, ashtu edhe, nga ana tjetër, edhe pjesa e nxjerrjes së mësimeve nga një rast si Mali i Zi, i cili, në momentin që nuk ishte në pozita për të paguar borxhin, në rast se nuk do të kishte ndërhyrë banka, natyrshëm që do të kishte ndryshuar edhe mënyra e qasjes së kushtëzimit të ndihmave kineze, apo të investimeve direkte tashmë.

 

Një brez, një rrugë (Foto CMG)

Një brez, një rrugë (Foto CMG)

       CMG: Nisma "Një brez, një Rrugë" nuk është një aleancë gjeopolitike, as edhe një "grup ekskluziv". Në vend të tyre, ajo përfaqëson një proces të hapjes, gjithëpërfshirjes dhe zhvillimit të përbashkët me interes reciprok. Si e tillë, nisma “Një Brez, një Rrugë”  po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje nga njerëzit në mbarë botën. Cilat mund të ishin format e bashkëpunimit që ne mund të ndërmerrnim, pranë kësaj të mire publike kaq të pëlqyer ndërkombëtarisht?

Eduard Gjokutaj: Pjesa që Shqipëria duhet të bëjë në rradhë të parë, janë ato çfarë lidhen me dobësitë dhe boshllëqet infrastrukturore, të cilat ndikojnë në tërheqjen e atyre lloj investimeve nga Kina, për të mundësuar pastaj një rikthim të investimit, përsa i përket atyre çfarë ata kanë në program.

Nga ana tjetër, ajo çfarë konsiderohet si industria minerare, e cila, në fakt, ka një pjesëmarrje nga një kompani kineze, përsa i përket bakrit në Shqipëri, është me interes, pasi kompanitë kineze janë shumë të zhvilluara në pjesën e minierave, pra të industrisë minerare, pjesës së industrisë së lëndëve të para të ndërtimit, si dhe në energji. Përfshirë këtu edhe pjesët e caktuara që lidhen me pasuritë e paluajtshme të turizmit. Këto janë zona që janë investuar nga Kina, pasi shërbejnë jo vetëm si pikëlidhje, siç përmenda, me Evropën, por, duke i pasur këto pozicione, ato shërbejnë si pikëlidhje edhe me Afrikën Veriore, me Lindjen e Mesme dhe me vetë Azinë.   Në rast se këto kushte nuk janë realizuar, atëhere nuk ka nevojë për thirrje, apo për plotësime të tjera marrëveshjesh, përtej asaj që lidhet vetëm dhe thjesht me interesin tregtar.

CMG: A mund të shërbente si një nxitje akoma dhe më e madhe, fakti që Nisma “Një Brez, një Rrugë” pranon bashkëpunim jo vetëm të strukturave publike të biznesit, pra të shtetit kinez, por edhe të kompanive të mëdha private kineze? Fakti që në tregun tonë, për shembull, tashmë qarkullojnë makina elektrike kineze, a do të përbënte një nxitje më shumë për të realizuar një përfshirje më aktive të vendit tonë me projekte në Nismë?

Eduard Gjokutaj: Në kuptimin e marrëdhënieve tregtare, Kina tashmë ka zënë një vend dominues, pasi edhe përpara pak vitesh, deri në vitin 2022, ajo ishte në vendin e tretë, në listën e importuesve të mëdhenj për Shqipërinë. Tashmë, po të shikojmë shifrat e importeve të tetëmujorit janar-gusht 2023, ajo ia ka kaluar edhe Turqisë, duke kaluar në vend të dytë dhe patur përpara vetëm Italinë, e cila është një partner tregtar që nuk mund të zëvendësohet lehtësisht.

Nisur nga kjo, duke pasur parasysh edhe tregun e automjeteve elektrike dhe të teknologjisë, në përgjithësi, me prani të inteligjencës artificiale në automjete, të cilën Kina po e eksporton me sukses në shumë vende, natyrshëm që vetë ndërmarrjet private i kanë gjetur vetë lidhjet me njëra-tjetrën.

Përsa i përket projekteve të mëdha, ku nevojitet qoftë ndërhyrja e shtetit, qoftë krijimi i kushteve të caktuara, jo vetëm rregullatore, por edhe, në përgjithësi, kushteve të përshtatshme, për të qenë të konkurrueshëm me rajonin, nuk janë plotësuar, me sa duket, kritere të tilla.

Prandaj dhe në harkun e pesë-gjashtë viteve të fundit, ne nuk kemi investime të mëdha kineze, qoftë në kuadrin e Nismës globale “Një Brez, një Rrugë”, qoftë dhe në kuadrin e asaj që përmenda më parë, pra të Bllokut dhe Mekanizmit Ekonomik me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.  Pra, nevojitet më së pari të kërkojmë tek vetvetja, dhe pastaj të jemi të gatshëm për të ofruar ato projekte që mund t’i vlejnë Nismës.       

Presidenti Xi në shpalljen e nismës (Foto CMG)

Presidenti Xi në shpalljen e nismës (Foto CMG)

CMG: Ju e përmendët që Kina tashmë, në këtë tetëmujor të këtij viti, është kthyer në partneren e dytë më të rëndësishme tregtare të Shqipërisë në importe. A e shikoni mundësinë që e ardhmja e marrëdhënieve tona tregtare, e vëllimit tregtar të rritet, përse jo, edhe me eksportet shqiptare në Kinë? Me rritjen e vëllimit tregtar, a mund të kemi një rritje të investimeve?

Eduard Gjokutaj: Përsa i përket rritjes së importeve, ato e kanë marrë një tendencë të tillë, për shkak të nevojave që ka tregu shqiptar, qoftë për mallra që janë me cilësi, por edhe që janë me teknologji të avancuar, pasi lidhen me pajisje të ndryshme. Shkak tjetër është edhe mbushja e hapësirave që ofron ky treg i madh kinez, që ka edhe kushte lehtësuese për tregtarët shqiptarë.

Përsa i përket pjesës së eksporteve, ajo lidhet qoftë me atë çka mund të prodhojnë ato dy-tre investime të mëdha kineze këtu, të cilat janë krijuar edhe për të ndihmuar tregun kinez, por, nga ana tjetër, edhe bërjen të gatshme të atyre kushteve për industrinë minerare, për energjitikën, si dhe për infrastruktura të tilla, të cilat mund të jenë të alternuara, në partneritete me Shqipërinë, me Buxhetin tonë të shtetit. Nga ana tjetër, infrastrukturat mund të synojnë edhe fonde të Bashkimit Evropian, që zhvillohen nga kompani kineze, të cilat kanë arritur një volum të madh punësh në vitet e fundit, me këto fonde, Ne i dimë kryeveprat e pjesës infrastrukturore, që Kina po zhvillon.

Natyrshëm që të gjitha këto mund të jenë hapësira, të cilat i interesojnë jo vetëm Kinës, por edhe tregut unik evropian. Në vetvete, Shqipëria është e interesuar të ketë një treg të tillë, për ta pasur edhe për të ardhmen. Jo vetëm tashmë që është vetëm një vend kandidat, me bisedimet e hapura për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe kur të bëhet pjesë e BE-së, pasi i nevojitet një treg i tillë, që të ndërveprojë lehtësisht dhe të mos i krijojë probleme.        

 

Intervistoi Fatos Çoçoli